KOHE TE VESHTIRA PER SERBINE DHE MALIN E ZI

Bashkimi ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit kërcënohet nga ndryshimi i qeverisë në Serbi.

KOHE TE VESHTIRA PER SERBINE DHE MALIN E ZI

Bashkimi ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit kërcënohet nga ndryshimi i qeverisë në Serbi.

Monday, 21 February, 2005

Federata e Serbisë dhe Malit të Zi mund të gjendet përballë një krize kushtetuese pas triumfit të një partie të djathtë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi.


Dy republikat për momentin janë në një bashkim të lirshëm shtetesh - cili i shkon për shtat autoriteteve të Podgoricës të cilat synojnë pavarësinë – por ky bashkim është tani i kërcënuar pas fitores së Partisë Radikale Serbe, SRS, në zgjedhjet parlamentare të muajit dhjetor.


Shenjat e para janë shfaqur më 5 janar, kur zyrtarë të lartë të SRS kanë njoftuar se ata kanë në plan të kërkojnë shkarkimin e presidentit të tanishëm të bashkimit të vendeve, malazezit Svetozar Maroviq, për shkak të gjoja pikpamjeve të tij pro pavarësisë.


Sekretari i përgjithëshëm i SRS, Aleksandar Vucic, ka thënë se “Ne nuk do të pranojmë kërcënimet dhe shantazhet e përditëshme nga dikush i cili është një zyrtar i lartë malazez”.


Ndërsa SRS ka fituar zgjedhjet e fundit, ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojëshme për të krijuar një qeveri dhe vështirë se do të arrijë të krijojë një qeveri koalicioni. Ka shumë mundësi që qeveria të krijohet nga katër parti të tjera – tre prej të cilave mbështesin një bashkim federal edhe më të fuqishëm ndërmjet dy vendeve.


Partia Demokratike e Serbisë, DSS, e cila drejtohet nga ish presidenti federal, Vojislav Koshtunica, i cili ka shumë mundësi të emërohet kryeministër i qeverisë së re, është mbështetësja më e fuqishme e këtij bashkimi.


Vetëm partia reformatore G17 Plus – partia e katërt e cila mendohet të përfshihet në koalicionin e ri – kërkon një shkëputje ndërmjet dy shteteve.


Ndërkohë, autoritetet malazeze po ngulin këmbë të ruajnë bashkimin e shteteve me Serbinë deri në një referendum për pavarësinë i cili mendohet se do të mbahet në vitin 2005.


Sonja Biserko, kryetare e Komitetit Serb të Helsinkit, ka thënë se “Qeveria e re serbe – pavarësisht faktit se cilat parti do të bëjnë pjesë në të – do të ketë padyshim një qëndrim më agresiv ndaj Malit të Zi.


“Nëse krijohet një qeveri e djathtë e dominuar nga SRS apo DSS, koalicioni me kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviq do të rrëzohet. Kjo mund të shtojë tensionet, dhe mund të cojë në një destabilizim të të gjithë rajonit”.


Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit në tetor të vitit 2000 është arritur falë një aleance politike të vendosur ndërmjet Gjukanoviq dhe ish kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, në atë kohë në krye të koalicionit Opozita Demokratike e Serbisë.


Aleanca ka mbijetuar pas vrasjes së Gjingjiq në mars të vitit 2003, pas së cilës pausesi i tij Zoran Zivkoviq është emëruar kryeministër dhe ka ndihmuar në ruajtjen e bashkimit të lirshëm të arritur në bazë të marrëveshjes së Beogradit 12 muaj më parë.


Koalicioni i Gjukanoviq me DOS në nivel federal i ka lejuar kryeministrit malazez të vazhdojë të ruajë një autonomi të madhe, vecanërisht në fushën ekonomike.


Kjo ka qenë e mundur për shkak se koalicioni ka vepruar mbi një parim të thjeshtë – krijimi i institucioneve të brishta në nivel federal për të kënaqur zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian, por kontroll sovran mbi territoret e tyre respektive.


Në këtë mënyrë, Podgorica, e cila kishte ndryshuar monedhën e saj zyrtare nga dinari jugosllav në euro përpara marrëveshjes së Beogradit, ka ruajtur përdorimin e kësaj monedhe si edhe një numër tarifash dhe taksash të ulta për disa prodhime bujqësore, pavarësisht kundërshtimeve nga BE, e cila ngul këmbë për vendosjen e një sistemi të përbashkët detyrimesh doganore në Serbi dhe Malin e Zi.


Përvec se ka siguruar një shkallë të lartë autonomie në gjirin e entitetit të ri, Gjukanoviq ka ruajtur edhe barazinë me Serbinë në institucionet më të rëndësishme federale. Kolegu i tij, Svetozar Maroviq, të cilit i atribuohet përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës, është emëruar president i bashkimit të shteteve dhe kryetar i këshillit të tij ministror.


Por tani duket se po i vjen fundi muajit të mjaltit dhe analistët kanë frikë se marrëveshjet e arritura ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës gjatë muajve të fundit mund të rrëzohen.


Në rradhë të parë, rezultatet e zgjedhjeve të parakohëshme në Serbi do të ndryshojnë përbërjen e parlamentit federal sepse aleatët e Gjukanoviq, koalicioni DOS, nuk është më në pushtet.


Për asemblenë shtetërore nuk zhvillohen zgjedhje direkte – partitë e zgjedhura në organizmat republikane caktojnë përfaqësuesit e tyre në organizmat federale.


SRS, DSS dhe partia Socialiste Serbe e Millosheviqit, SPS, do të kontrollojnë një shumicë prej dy të tretash në asamblenë shtetërore – dhe këto parti jaë përfshirë në mosmarrëveshje dhe përplasje të fuqishme me autoritetet e Podgoricës në lidhje me synimet e tyre për pavarësi.


Analistët në Malin e Zi paralajmërojnë se ky zhvillim mund të përbëjë fillimin e një krize kushtetuese serioze.


“Duke mos pasur mundësi të tjera, qeveria e Malit të Zi do të përpiqet të pengoë punën e organizmave federale, pothuajse në të njëjtën mënyrë që ka vepruar gjatë periudhës së Millosheviqit,” ka thënë analisti malazez, Drasko Djurakovq për IWPR.


Vëzhguesit thonë se problemi qëndron jo vetëm me forcat e djathta serbe, por edhe me partitë e moderuara të bllokut demokratik, si G17 Plus. Kjo parti nuk është e kënaqur me bashkimin e tanishëm, sepse sipas tyre ai dëmton interesat ekonomike të Serbisë.


Mesa duket, zyrtarët e lartë të G17 mendojnë se dy republikat nuk do të jenë në gjendje të harmonizojnë sistemet e tyre ekonomike.


Gjatë fushatës zgjedhore, zyrtari i lartë i G17 Plus, Mladjan Dinkiq, ka thënë se “Nëse ne vijmë në pushtet, do të anullojmë menjëherë marrëveshjen ekzistuese me Malin e Zi… Ka ardhur koha që Serbia të kujdeset për veten dhe interesat e saj”.


Milka Tadiq Mijoviq është një gazetare me revistën Monitor në Podgoricë.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists