MILLOSHEVIQ MBURRET ME MASHTRIMET
Perceptimi i shtrembëruar i historisë nga Sllobodan Millosheviq e ka shndërruar përvjetorin e dështimit në Kosovë në një festim të fitores.
MILLOSHEVIQ MBURRET ME MASHTRIMET
Perceptimi i shtrembëruar i historisë nga Sllobodan Millosheviq e ka shndërruar përvjetorin e dështimit në Kosovë në një festim të fitores.
Shumë shfaqje në të gjithë Serbinë, mijëra koncerte me muzikë popullore, qindra mitingje spontane të organizuara. Disa dhjetra tryeza të rrumbullakta dhe katrore me diskutime që ngjajnë si filmat fantastiko-shkencorë kundër "Rendit të Ri Anti-Serb". Një bandë që feston fitoren tonë të madhe në Kosovë. E gjithë kjo për të shënuar 24 marsin me të cilin krenohemi, përvjetorin e parë të bombardimeve të NATO-s.
Në të njëjtën kohë komandanti ynë suprem Sllobodan Millosheviq ka vendosur - natyrisht për koinçidencë - të zbukurojë me fotografinë e tij me ngjyra dhe një biografi personale faqen e tij të internetit. Po të njëjtin internet që na informon ne për akuzimin e tij për krime lufte nga Gjykata e Hagës dhe që na njofton se çdo informacion për largimin e tij do të ishte i mirëpritur.
Nëse Interpoli do të ndiqte lajmet tona të mbrëmjes "TV Dnevnik" (natyrisht që nuk i shohin), ata do ta dinin me saktësi se ku ishte presidenti: në varrin e Heroit të Panjohur në Avala, duke nderuar kujtimin e ushtarëve dhe policëve të vrarë gjatë bombardimeve. Me shprehjen e tij shumë serioze në fytyrë, ai ngjasonte tamam si një personazh kryesor i një filmi me Interpol - dedikuar mëmëdheut.
Ne fituam luftën e vitit të kaluar, përfundoi ai. Ne qëlluam me shkelm Perëndimin. Ne triumfuam. Ne ruajtëm pavarësinë tonë. Ne ia dolëm të mbanim Kosovën në Jugosllavi. Ne u bëmë vendi i vetëm i lirë në Europë dhe jashtë saj. Presidenti ynë vazhdoi duke thënë se çdo qytetar duhet të këndojë me zërin plot se sa me fat është që jeton në Serbi.
Skicofrenia dhe çmenduria kolektive kanë qenë edhe gjetkë. Më herët atë mëngjes punëtorë, që u ngjanin njerëzve të ardhur nga një planet tjetër, në sheshin Nikola Pasiq ishin bashkuar në një protestë duke nënshkruar një peticion që Perëndimi - menjëherë - të hiqte sanksionet e padrejta të vendosura ndaj Serbisë. Në flamujt e tyre ishin vendosur fotot e yllit kryesor të Interpolit, Sllobodan Millosheviq, si edhe sllogane ku shkruhej "Serbët nuk janë indianë" dhe "Kosova është çështje jonë e brendëshme".
Ata u përzien më së miri me koncertin e muzikës popullore "Këngët na mbajtën gjallë", që zhvillohej në sheshin Republika aty pranë, ku yjet e muzikës popullore këndonin këngët e tyre patriotike për një publik prej disa qindra qytetarë të humbur.
Natyrisht që çdo gjë është xhiruar me kujdes nga televizioni shtetëror serb, i gatshëm për ta transmetuar në kohën më të mirë, të nesërmen, shpirtin e padukshëm të popullit: se si luftojmë ne me këngë kundër F-16 kriminelë dhe se si qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të mëmëdheut tonë. (Të paktën ta dinim se sa i madh është ky mëmëdhe, se ku janë kufinjtë!)
Festimet e 24 marsit janë përmbledhur në një transmetim të TV Dnevnik i cili dukej se zgjati të paktën rreth njëzet e katër orë. Aty u shfaqën të gjithë aktorët e nevojshëm: gjeneralët dhe kolonelët serbë, miqtë nga Rusia, gra shtëpiake nga Kina, komunistë nga Tailanda, miq nga Iraku, anarkistë nga Gjermania, fitues të çmimeve Nobel nga Afganistani, armiq të Interpolit nga Irani, gra të ngrira nga Kazakistani. Të gjithë ata konfirmonin se Serbia ishte fituesja e lojës luftash të vitit të kaluar. Secili ka theksuar se Serbia nuk mund të pranohej pa Kosovën dhe se vendi i drejtuar nga ylli i Interpolit nuk mund të humbasë kështu pas zgjedhjeve apo të ashtuquajturit vullnet i popullit.
Shokët tanë nga Birmania thanë se ne duhet të ndjekim shembullin e tyre: ata kanë përballuar me zotësi armiqtë e brendëshëm dhe të jashtëm dhe kanë luftuar propagandën armike me fletërrufe të mëdha. Shokët tanë nga Iraku nuk ishin dakort me fletërrufetë - ekzekutimet, thanë ata, ishin shumë më mirë për të rritur moralin e njerëzve.
Kubanezët konfirmuan se varjet janë shumë të rëndësishme, ndërsa kinezët kanë theksuar eksperiencën e tyre të vitit 1989, kur përdorimi i zgjuar nga ana e tyre e tankeve ruajti sovranitetin e tyre mbi Tibetin. Shokët rusë thanë se serbët që dëshironin komunizmin duhet të prisnin disa shekuj deri sa Brezhnjevi të ngrihej nga varri. Grekët dërguan një mesazh të bukur ku thuhej se junta ushtarake nuk kishte vdekur akoma.
E gjithë kjo vazhdoi deri pas mesnate. Dhe askush nuk përmendi ushtarët e vrarë, civilët e vdekur dhe tokën e vrarë të sunduar nga presidenti ynë i gëzuar i Interpolit.
Mbyll sytë dhe do të shikosh Kosovën e humbur përgjithnjë nga Serbia. Shikon njerëz të papunë dhe të uritur që festojnë 24 marsin duke ndenjur pa folur nëpër rradha. Dëgjon jehonat e muzikës popullore dhe nuk mund të kujtosh se çfarë duhet të festosh - Ditën e Bombardimeve apo Ditën e Shtetit?
Zbulon se mbi njëmijë ushtarë janë vrarë gjatë bombardimeve dhe e sheh veten duke pritur mbi urat në mbrëmje ku të rrahin e majta dhe e djathta jugosllave. Papritur dëgjon himnin kombëtar "Hej, Slloveni" dhe të vjen të kërcesh nga ura drejt e në ujë, të largohesh nga ky vend i cili është kaq i lirë, i pavarur dhe progresiv saqë të gjithë duan të largohen.
Gëzuar Festën Kombëtare!
Petar Lukoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.