MILLOSHEVIQIT TË SËMURË I VENDOSEN AVOKATËT
Trupi gjykues ka emëruar dy “miq të gjykatës” si avokatë mbrojtës, kundër dëshirës së ish presidentit jugosllav.
MILLOSHEVIQIT TË SËMURË I VENDOSEN AVOKATËT
Trupi gjykues ka emëruar dy “miq të gjykatës” si avokatë mbrojtës, kundër dëshirës së ish presidentit jugosllav.
Gjyqi ndaj Sllobodan Millosheviq ka arritur një pikë kthese këtë javë, kur gjykata e Hagës ka caktuar dy avokatë britanik për të mbrojtur ish presidentin jugosllav kundër dëshirës së tij.
Në vendimin e tyre – një prej vendimeve më të rëndësishme në historinë e gjykatës – gjykatësit kanë arritur përfundimin se Millosheviq nuk “është në gjendje të mbrojë veten” dhe kanë emëruar Steven Kay dhe Gillian Higins, të cilët kanë shërbyer deri më tani si miq të gjykatës, për ta mbrojtur atë.
“Ekziston rreziku që procesi gjyqësor të zgjasë një kohë tepër të gjatë, apo edhe më keq, të mos përfundojë fare nëse e pandehuri vazhdon të përfaqësojë veten,” ka thënë drejtuesi i trupit gjykues Patrick Robinson më 2 shtator.
Dukshëm i nxehur, Millosheviq ka akuzuar gjykatën se është përpjekur ti mbyllë gojën sa herë që ka qenë rradha e tij për të treguar anën e tij të historisë.
Dhe ndërsa disa vëzhgues ligjorë duket se e mbështesin këtë interpretim, të tjerë kanë mirëpritur vendimin e gjykatësve për të rivlerësuar autoritetin e tyre në një proces gjyqësor i cili është kritikuar se është shndërruar në një forum politik për ish presidentin e Jugosllavisë.
Gjykatësit kanë vendosur të mos i japin mundësinë Millosheviq të zgjedhë avokatin e tij në këtë moment, për shkak të insistimit të tij të mëparëshëm se ai nuk do të zgjidhte asnjë avokat.
Përkundrazi, ata kanë caktuar dy miqtë e gjykatës në këtë rol, duke i lënë mundësinë Millosheviqit të bëjë një kërkesë trupit gjykues që ta lejojë të zgjedhë avokatin e tij mbrojtës, nëse ai do të ndryshojë mendjen.
Millosheviq, i cili ka përsëritur disa herë se ky zhvillim ishte “një shkelje e të drejtave të tija bazë,” ka reaguar ndaj vendimit me mospërfillje.
Kur gjykatësit kanë shpallur vendimin e tyre, ata i kanë kërkuar Millosheviqit të paraqesë pikpamjen e tij mbi pikën se si do të dëshironte që të vepronin avokatët e tij. Kur i pandehuri është përpjekur përsëri të ngrejë pikpyetje mbi vendimin, mikrofoni i tij është mbyllur nga kryetari i trupit gjykues, i cili i ka thënë atij se trupi gjykues tani “po shqyrtonte një çështje tjetër”.
“Epo atëherë merruni me atë,” ka thënë Millosheviq, duke hedhur stilografin e tij mbi tavolinë, duke mbledhur shënimet dhe syzet e leximit, dhe duke shfryrë deri në fund të seancës.
Pas pushimit, ish presidenti është rikthyer në sallën e gjyqit, por ka qëndruar kryesisht i heshtur. Këshilltarët e tij ligjorë nuk kanë pranuar të komentojnë mbi hapat e ardhëshëm të tij dhe janë larguar nga salla e gjyqit menjëherë pas përfundimit të seancës.
Vendimi për të caktuar një avokat për të pandehurin më të rëndësishëm të gjykatës së Hagës është marrë pothuajse pas tre muaj diskutime mbi disa mendime të ndryshme ligjore dhe mjeksore për këtë çështje.
Ideja për ti caktuar një avokat mbrojtës 63 vjeçarit është diskutuar për herë të parë në qershor, pasi procesi gjyqësor praktikisht u ndal për shkak të tensionit të lartë të gjakut që ka pasur i pandehuri. Një raport mjeksor i paraqitur në atë kohë e bënte të qartë se këto keqësime të gjendjes shëndetësore do të ndodhnin sa herë që ai të ishte nën stres.
Të gjendur përballë mundësisë së vonesave të pafund në këtë proces gjyqësor i cili ka zgjatur dy vjet e gjysëm dhe ka humbur një nga gjykatësit e tij – Richard May – trupi gjykues ka vendosur të përdorë të gjitha rrugët për të siguruar që ky proces gjyqësor të mos dështojë përpara se të arrihet një vendim.
Një sërë raportesh mjeksore për gjendjen shëndetësore të Millosheviqit janë bërë nga kardiologu i tij dhe një specialist i pavarur i zemrës i sjellë nga Belgjika, dhe pjesë të këtij raporti janë bërë publik në seancat e kësaj jave.
Përveç se ka konfirmuar që i pandehuri vuante nga “tension i lartë i gjakut”, ata kanë treguar gjithashtu se Millosheviq nuk po ndiqte as terapinë e përcaktuar dhe kishte refuzuar të merrte qetësuesit e dhënë nga kardiologu i tij.
Prokurori ka përdorur këtë informacion si provë që Millosheviq praktikisht po manipulon gjykatën duke lënë me qëllim shëndetin e tij të keqësohet kur i intereson – një akuzë që ish presidenti jugosllav e kundërshton me forcë.
Kryeprokurori Geoffrey Nice ka thënë përpara trupit gjykues se avokatëve mbrojtës të caktuar duhet ti jepen të gjitha të drejtat për të kryer mbrojtjen dhe të vendosin edhe se cilët dëshmitarë të thërrasin. Ai ka thënë se kjo është mënyra e vetme për tu përballur me “manipulimin pothuajse të sigurtë” të Millosheviqit për çështjen e shëndetit, dhe për tendencën e të pandehurit për ta përdorur gjykatën si një platforë politike.
Të premten në mbrëmje gjykatësit kanë dhënë vendimin e tyre për punën e avokatëve mbrojtës në të ardhmen, duke u dhënë atyre detyrimin për të përgatitur dhe ekzaminuar “ata dëshmitarë të cilët konsiderojnë të përshtatshëm për tu thirrur”.
Millosheviqit i është dhënë mundësia për të “marrë pjesë në këtë proces” duke – ndër të tjera – pyetur dëshmitarët, por vetëm “pas marrjes në pyetje nga avokatët e caktuar nga gjykata”.
Kjo praktikisht do të thotë që Millosheviq do të ketë një rol dytësor në marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tij – diçka që ai këtë javë ka paralajmëruar se nuk është i gatshëm ta pranojë.
“Unë nuk do të pranoj të pyesë më pas dëshmitarët e mi,” ka thënë ai. “Unë kërkoj që ti pyes ata vetë”.
Gjykatësit kanë urdhëruar vazhdimin e procesit gjyqësor me paraqitjen e dëshmitarëve të parë më 7 shtator, sipas planit.
Përpara se gjykata të arrinte vendimin e saj për përcaktimin e avokatëve, Millosheviq ka shpenzuar një ditë e gjysëm duke lexuar deklaratën e tij të mbrojtjes, në të cilën ka shpalosur strategjinë e tij të mbrojtjes.
Deklarata e tij ka qenë në pjesën më të madhe një version i shkurtuar i deklaratës së tij fillestare të cilën Millosheviq e ka bërë në fillim të procesit në shkurt të vitit 2002.
Në një vështrim të gjerë historik, Millosheviq ka dhënë versionin e tij të historisë së re të ballkanit, duke i paraqitur serbët si viktima të një sërë komploteve duke filluar që nga ditët e monarkisë austro-hungareze deri në ditët tona, kur ai mendon se Jugosllavia ka rënë viktimë e një komploti të Gjermanisë dhe Vatikanit, me të cilin më pas janë bashkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e ish presidentit Bill Clinton.
Fjalimi i tij ka qenë i mbushur me fjalë të përsëritura dhe numri i të pranishmëve në pjesën e sallës të rezervuar për vizitorët është pakësuar pas çdo séance, duke bërë që vetëm rreth një e treta e tyre të qëndronin deri në fund të ditës së parë.
Millosheviq ka përmendur disa prej akuzave për të cilat është akuzuar vetëm në fund të deklaratës së tij, duke sulmuar konceptin ligjor të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, duke thënë se ajo sugjeron që prokurorët nuk kanë asnjë provë të qartë kundër tij.
Ai gjithashtu ka kundërshtuar akuzat për përgjegjësinë e komandimit të përfshira në akuzën për Kosovën, duke thënë se ai do të paraqesë dokumenta të cilat provojnë se ai ka bërë sa ka pasur mundësi për të parandaluar krimet që janë kryer atje dhe për të ndëshkuar fajtorët për to.
Ai i ka dhënë fund fjalimit të tij me një deklaratë dramatike duke thënë se ai “ndjehej i privilegjuar se ka të vërtetën në anën e tij”.
Vetëm pak orë më pas ai ka denoncuar gjykatën se “nuk po lejon të thuhet e vërteta”.
“Në një moment kur unë duhet të ushtroj të drejtën time për të mbrojtur veten, ju vendosni që të ma hiqni këtë të drejtë,” ka thënë ai me zemërim.
Kjo ndjenjë do të ndikojë shumë në Serbi, ku anketimet e fundit të opinionit publik tregojnë se rreth 60 përqind e popullsisë ende kundërshtojnë gjykatën ndërkombëtare.
Por disa nga ekspertët ligjorë të mbledhur në Hagë kanë vlerësuar vendimin e trupit gjykues.
“Alternativa ndaj këtij vendimi do të ishte që gjykatësit të hiqnin dorë nga roli i tyre për të menaxhuar këtë process,” ka thënë Richard Dicker, kryetar i programit të drejtësisë ndërkombëtare për organizatën Human Rights Watch.
Dicker thotë se e drejta për vetë përfaqësim nuk është absolute. “Ajo që është absolute është e drejta për një gjyq të ndershëm. Dhe këto të dyja nuk janë të barazvlefshme,” ka thënë ai, duke shtuar se gjykata ka lejuar hapësirën e mjaftueshme që Millosheviq të mbesë plotësisht i përfshirë në këtë çështje nëse dëshiron.
Por jo të gjithë profesionistët ligjorë mendojnë njësoj. Studjuesi i të drejtave të njeriut Ëilliam Shabas, bashkëautor i librit Sllobodan Millosheviq në Gjyq: Një Mik, ka paralajmëruar se vendosja e një avokati mbrojtës kundër dëshirës së të pandehurit “do të kontribuojë në idenë seky ka qenë një gjyq i padrejtë,” duke shtuar se tregimi i ndershmërisë është shumë i rëndësishëm për gjykatën.
“Po, ai është një i pandehur i cili mbrohet vetë, dhe ata duhet të mundohen më tepër,” ka thënë Shabas. “Është diçka e pashmangëshme që duke ditur që ka qenë dikur një drejtues i lartë politik, ai do të përdorte këtë proces gjyqësor si një platformë politike dhe nuk do të zbatonte gjithnjë rregullat. Dhe ndërsa gjykatësit kanë detyrën të kufizojnë shkeljen e rregullave, atij duhet ti lihet shumë liri për të kryer mbrojtjen e tij”.
Tiphaine Dickson, një avokate kanadeze dhe zëdhënëse ligjore e Komitetit Ndërkombetar për Mbrojtjen e Sllobodan Millosheviq, ka thënë se ish presidenti jugosllav “tani do të mbrohej, por nuk do të jetë mbrojtja e tij”.
Si Dickson ashtu edhe Shabas insistojnë se ish gjykatësi Richard May – i cili ka drejtuar pjesën e paraqitjes së akuzës në këtë proces, dhe që ka vdekur këtë verë – e kishte parim të qartë të tij për të siguruar të drejtën e Millosheviqit për vetë mbrojtje, si një të drejtë themelore të përcaktuar në statutin e gjykatës dhe në Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike.
Por një ish ndihmës i ish gjykatësit ka thënë për IWPR se ajo nuk mendon që May do të kishte kundërshtuar vendimin e tanishëm të trupit gjykues. Marieke Wierda – tani një bashkëpunëtore në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësinë në Tranzicion me qendër në Nju Jork – ka thënë se vendimi i trupit gjykues për të caktuar një avokat mbrojtës për Millosheviqin në një mënyrë e cila do ti lejojë gjithsesi liri atij për të marrë pjesë në mbrojtjen e tij mund të kishte qenë “e pranueshme” për ish kryetarin e trupit gjykues.
Momentalisht, e panjohura më e madhe është se si ish presidenti jugosllav do të vendosë të vazhdojë.
Analistët pranojnë se ai mund të vonojë përsëri zhvillimin e procesit gjyqësor duke mos pranuar të bashkëpunojë me avokatët e caktuar, duke u thënë dëshmitarëve të tij të mos u përgjigjen pyetjeve të avokatëve, apo të mos paraqiten fare në sallën e gjyqit.
Një sjellje e tillë mund të detyrojë gjykatësit të marrin vendime edhe më të vështira se ai që kanë marrë më 2 shtator.
Por të tjerë thonë se një vendim duke u larguar krejtësisht nga mbrojtja e vetvetes do të ishte i pazakontë për karakterin e ish presidentit jugosllav.
“Ai e kupton shumë mirë se kjo mund të jetë mundësia e tij e fundit për të komunikuar me mbështetësit e tij,” thotë Wierda. “Unë nuk mendoj se ai është i gatshëm të heqë dorë nga ajo”.
Ana Uzelac është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.