Përkujtohen Viktimat e Masakrës së Srebrenicës

Disa mijëra refugjatë nga Srebrenica kthehen për të përkujtuar ata që vdiqën në sulmin e Serbëve të Bosnjes ndaj qytetit.

Përkujtohen Viktimat e Masakrës së Srebrenicës

Disa mijëra refugjatë nga Srebrenica kthehen për të përkujtuar ata që vdiqën në sulmin e Serbëve të Bosnjes ndaj qytetit.

Në një ditë të nxehtë të Korrikut të vitit 1995, punonjësit e spitalit rajonal të Tuzlës u thirrën në punë me një urgjencë të madhe. Filluan të mbërrinin autobusë të mbushur me dhjetra mijëra Musliman të dëbuar nga e ashtuquajtura "zonë e sigurtë" e OKB-së në Srebrenica, e cila sapo kishte rënë në duart e forcave Serbe të Bosnjes.


Këtë vit, për herë të parë që nga ajo kohë, është organizuar një ceremoni përkujtimore në Potocari, dikur baza e forcave të OKB-së në këtë enklavë, për të kujtuar 7,800 njerëzit e zhdukur në ditë që pasuan rënien e enklavës.


Autoritetet lokale, Serb dhe Musliman, dhe administrata ndërkombëtare nuk kishin lejuar më parë organizimin e ceremonive nga frika e rritjes së tensioneve.


Ndërsa ky raport i IWPR-së po botohej, rreth 3,500 njerëz, përfshirë këtu edhe kryetarin Musliman të presidencës tre palëshe të Bosnjes, Alija Izetbegoviq, pritej të merrnin pjesë në këtë përkujtimore. Zyrtarët ndërkombëtar kishin bërë thirrje për një numër sa më të vogël pjesëmarrësish, duke pasur frikë se ekstremistë nga të dyja palët mund të përdorin këtë ngjarje për të nxitur dhunë. Vetëm një natë më parë, disa njerëz kishin vënë flakën shtëpisë së një prej pak Muslimanëve që banojnë në Srebrenica.


Ndërsa po afrohen zgjedhjet e Nëntorit, nuk ka dyshim që partitë nacionaliste, si Partia e Veprimit Demokratik e drejtuar nga Izetbegoviq, mund të shfrytëzojnë çdo rritje të tensionit të shkaktuar nga ceremonia.


Menjëherë pas rënies së enklavës në duart e Serbëve, partitë politike Boshnjake e kanë kuptuar rëndësinë e kontrollit mbi refugjatët nga Srebrenica. SDA ka marrë votat e tyre disa vjet me rradhë duke theksuar fatin e tyre të keq dhe duke premtuar se ajo do ti ndihmojë të kthehen në shtëpitë e tyre. Por, deri më sot, vetëm katër refugjatë janë lejuar të kthehen në qytet. (Shih Raportin e Krizës në Ballkan Nr.146).


Gjatë tre vjetë konflikti përpara ngjarjeve të Srebrenicës, Tuzla kishte pritur rreth 150,000 refugjatë. Por atë Korrik, brenda dy ditëve, 30,000 gra, fëmijë dhe pleq u dyndën në qytet.


Shumë prej tyre ishin të plagosur, të sëmurë dhe duke vdekur urie. Të ndihmuar nga një brigadë Nordike e forcave të OKB-së në Bosnje, personeli i spitalit të Tuzlës kreu ekzaminimet e para mjeksore, duke ndarë veç të plagosurit më rëndë dhe të sëmurët. Të gjithë refugjatëve ju shpërndanë edhe racione ushqimore.


Qendrat e pritjes së refugjatëve ishin të mbushura, kështu që autoritetet shtetërore dhe përfaqësuesit ndërkombëtar urdhëruan që aeroporti si i vetmi vend aq i madh për të përballuar këtë fluks të shndërrohej në një qendër pritjeje. Gjatë katër ditëve të ardhëshme, rreth 8,000 burra arritën në qytet - ata që kishin mundur të shpëtonin nga rrethimi i forcave Serbe të Bosnjes duke ecur më këmbë nëpër pyje.


Dis mijëra refugjatë qëndruan në aeroport deri në vjeshtë, duke jetuar nëpër çadra me mungesa të mëdha uji dhe ushqimesh. Shumë fëmijë kanë vuajtur djegie të gradës së parë dhe të dytë për shkak të qëndrimit në pistën e aeroportit nën diell. Disa të moshuar vdiqën. Pastaj refugjatët u ndanë përsëri dhe u lëvizën nëpër qëndra të ndryshme kolektive dhe kampe refugjatësh nëpër të gjithë rajonin.


Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, disa mijëra Serb të Bosnjes u larguan nga shtëpitë e tyre në rrethinat e Sarajevos, dhe atëherë kush më mirë se refugjatët nga Srebrenica mund të hynte në këto shtëpi të boshatisura?


Marrëveshja e Dejtonit ndalonte kategorikisht zënien e pa ligjëshme të shtëpive të abandonuara, por refugjatët u transportuan në mënyrë sekrete nga Tuzla për t'u sistemuar në shtëpitë e abandonuara.


Kjo ishte një lehtësim i shumëpritur krahasuar me kushtet e vështira të kampeve ku kishin jetuar refugjatët. Por shume shpejt ata filluan të largoheshin për në vende të tjera të Europës apo edhe më larg, në një përpjekje për të shpëtuar nga varfëria, papunësia dhe mungesa e shpresës.


Afërsisht 8,000 burra, baballarë dhe djem akoma konsiderohen si të zhdukur. Trupat e rreth 2,000 njerëzve janë zhvarrosur nga varret masive rreth Srebrenicës. Trupat ruhen në tunele prapa morgut në Tuzla ku presin tu bëhet analiza e AND, e cila mendohet se do të jetë bazë për identifikimin e tyre. Deri më tani metodat e përdorura zakonisht kanë identifikuar vetëm 76 trupa.


Gjykata e Hagës ka lëshuar akuzat zyrtare për disa të dyshuar për krime të kryera në Srebrenica. Deri më tani i vetmi person i dënuar është Drazhen Erdemoviq, dhe një tjetër, Gjeneral Radislav Krstiq, ish komandant i Korpusit Drina të ushtrisë Serbe të Bosnjes, e cila pushtoi qytetin, është në gjykim.


Më 11 Korrik të çdo viti, gratë nga Srebrenica organizojnë protesta paqësore në Tuzla dhe Sarajevo duke kërkuar nga zyrtarët Boshnjak dhe ata ndërkombëtar të thonë të vërtetën për të humburit e tyre, dhe duke kërkuar kthimin e të afërmëve të humbur - gjallë apo të vdekur.


Deri më tani, gratë kanë marrë vetëm një falje publike nga Kofi Anan, Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, për dështimin e organizatës për të parandaluar krimet në Srebrenica. Ai ka thënë se kjo tragjedi do të rëndojë gjithnjë në të kaluarën tonë.


Banorët e Srebrenicës tani janë të shpërndarë në të gjithë botën. Ata që kanë mbetur pas janë lënë në mëshirë të fatit. Ata thonë se e vetmja gjë që i bën të ecin përpara është dëshira e tyre për të varrosur të afërmit e vdekur në qytetin e tyre.


Por rikthimi është shumë i ngadaltë. I pari që ka guxuar të kthehet është 86 vjeçari Shaqir Haliloviq në Prill të këtij vit. Ai tani ka riparuar shtëpinë e tij dhe me të është bashkuar edhe e shoqja, Mevlida.


Shaqiri është plak dhe i sëmurë, por ai dëshiron të qëndrojë pranë varrit të djalit Sead Haliloviq, një doktor, i cili është vrarë në pranverën e vitit 1995 kur helikopteri me të cilin udhëtonte së bashku me tre kolegë të tjerë nga Tuzla, është rrëzuar ndërsa po përpiqej të ulej në qytetin e rrethuar. "Unë dua të qëndroj këtu, të shoh varrin e djalit tim dhe të lutem për të," thotë Shaqiri.


Nermina Durmiq-Kahroviq është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists