A PO PËRGATITET SERBIA PËR BASHKËPUNIM ME HAGËN?

Po vihen re shenja se Beogradi është i përgatitur të bashkëpunojë më ngushtësisht me gjykatën.

A PO PËRGATITET SERBIA PËR BASHKËPUNIM ME HAGËN?

Po vihen re shenja se Beogradi është i përgatitur të bashkëpunojë më ngushtësisht me gjykatën.

Monday, 21 February, 2005

IWPR ka mësuar se Serbia duket se po bën përpjekje serioze për të dorëzuar në Hagë disa të akuzuar të rëndësishëm për krime lufte.


Mendohet se qeveria është detyruar të veprojë nga frika se mosveprimi në këtë fushë mund të çojë në izolimin diplomatic dhe të rrezikojë koalicionin qeveritar.


Dy burime të pavarura, në poste të larta në policinë serbe dhe qeveri, thonë se Beogradi po punon shumë për të arrestuar ish komandantin e serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiq, brenda muajit shtator.


Sipas të njëjtave burime, nëse ata nuk arrjnë të zbulojnë vendndodhjen e tij, autoritetet kanë negociuar dorëzimin e dy gjeneralëve serbë të akuzuar për krime lufte.


Ky ndryshim i qëndrimit të autoriteteve është rezultat i presionit në rritje ndaj kryeministrit Vojislav Koshtunica nga partnerët e tij në koalicion, presidenti i sapozgjedhur Boris Tadiq, dhe komuniteti ndërkombëtar. Ata janë të gjithë optimist se bashkëpunimi me gjykatën e Hagës do të forcohet.


Nëse Koshtunica nuk pranon, ekziston rreziku i një izolimi të menjëherëshëm diplomatic dhe mundësia e zgjedhjeve të reja, thonë analistët.


Presioni ndërkombëtar mbi Beogradin është shtuar gjatë muajve të fundit, me paralajmërime se Serbia nuk do të pranohet në programin e NATO-s Partneritet për Paqe, dhe se një studim i leverdishmërisë nga BE për Serbinë dhe Malin e Zi do të bllokohet deri sa të niset zbatimi i bashkëpunimit me gjykatën e Hagës.


Një zyrtar i lartë i qeverisë serbe, i cili preferon të mbesë anonim, ka thënë se ekziston një “marrëveshje e brishtë” në lidhje me Mlladiq, brenda qeverisë se ish drejtuesi ushtarak i serbëve të Bosnjes, apo disa prej katër gjeneralëve të ushtrisë serbe dhe policisë të akuzuar vjeshtën e kaluar, duhet të dorëzohen në Hagë deri në fund të javës së parë të shtatorit.


Një tjetër burim, këtë herë nga policia, ka thënë se disa operacione janë ndërmarrë për të zbuluar vendin ku strehoet Mlladiq në bashkëpunim me shërbimet e huaja secrete.


Burimi ka thënë se ky bashkëpunim ka arritur në një fazë më të lartë gjatë javëve të fundit. Nëse më parë, shërbimet e huaja secrete vetëm informoheshin për përpjekjet që ishin bërë, tani ato bashkëpunojnë ngushtësisht në kërkimin për Mlladiq.


Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendohet se kanë një prezencë të fuqishme në përpjekjet për zbulimin e Mlladiq, ambasadori amerikan në Serbi dhe Malin e Zi, Michael Polt, ka mohuar këtë javë çdo bashkëpunim ndërmjet shërbimeve secrete amerikane dhe serbe për këtë qëllim.


Burimi qeveritar i IWPR-së ka thënë se autoritetet e Beogradit ishin përpjekur të kontaktonin me Mlladiq nëpërmjet familjes së tij dhe disa personave të konsideruar si miq të afërt të tij, po këto përpjekje kanë dështuar.


Ky burim ka thënë se disa “karaktere të dyshimta” janë përpjekur të paraqesin shërbimet e tyre si ndërmjetës midis qeverisë dhe të kërkuarit.


Sipas këtij burimi, zyrtarë të qeverisë serbe thonë se një probleme me të cilin përballen në zbulimin e vendndodhjes së Tadiq është se ai tani është i shkëputur nga strukturat e ushtrisë dhe ka fshehur gjurmët duke mbajtur kontakte vetëm me një numër tepër të vogël njerëzish.


Nëse Mlladiq nuk arrestohet, qeveria serbe do të përpiqet të qetësojë komunitetin ndërkombëtar duke ekstraduar disa nga katër gjeneralët e ushtrisë dhe drejtuesit e policisë të akuzuar vitin e kaluar, ka thënë burimi.


Sipas tij, Beogradi ka arritur marrëveshje me dy prej tyre për dorëzimin vullnetar, gjë e cila do të ndodhë nëse nuk zbulohet vendndodhja e Mlladiq.


Gjeneralët Nebojsha Pavkoviq, shefi i shtabit të ushtrisë në kohën e Millosheviqit, dhe Sreten Lukiq, një ish shef i policisë serbe, akuzohen për krime të kryera në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 1999. sipas burimit të qeverisë serbe, ata janë të gatshëm të dorëzohen.


I njëjti burim ka thënë se Lukiq, i cili ka probleme me zemrën, ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në zemër javën e kaluar me qëllim që të mund të shërohet përpara udhëtimit të tij për në Hagë. IWPR është përpjekur të kontaktojë me Lukiq dhe Pavkoviq për ti pyetur ata në lidhje me këto informacione, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të komentojë.


Dy gjeneralët e tjerë të akuzuar për krime në Kosovë, Vlastimir Gjorgjeviq, një zyrtar i lartë i policisë në regjimin e Millosheviqit, dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Pavkoviq, Vladimir Lazareviq, nuk kanë treguar shenja se janë të gatshëm të dorëzohen vullnetarisht.


Gjorgjeviq, i cili është zhdukur në vitin 2001, thuhet se fshihet në Rusi, ndërsa Lazareviq, i cili është ende në Serbi, ka hedhur poshtë çdo mundësi për tu dorëzuar. Më 18 korrik, ai ka thënë për BKTV se transferimi i tij dhe i gjeneralëve të tjerë do të ishte “një tradhëti e atyre të cilët kanë vdekur do të ishte njësoj sikur tu jepej amnisti shkaktarëve të krimeve kundër serbëve”.


Ka shenja të tjera që Beogradi është më i gatshëm të bashkëpunojë se sa më parë. Një prej këtyre shenjave është njoftimi i kohëve të fundit i Këshillit Kombëtar të qeverisë për Bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës se ai do të lejojë rreth 70 dëshmitarë të cilët janë kërkuar nga gjykata për të dëshmuar gjatë dy vjetëve të fundit.


Këshilli gjithashtu ka njoftuar se do të heqë sekretin shtetëror dhe do të dorëzojë disa dokumenta të kërkuara nga gjykata.


Këto, sipas njerëzve të brendëshëm të gjykatës së Hagës, përfshijnë edhe arkivat e ministrisë së brendëshme të Serbisë si edhe dosjen personale ushtarake të Mlladiq, e cila mund të tregojë se për sa kohë ka vazhduar Mlladiq të paguhet nga Beogradi pas fillimit të luftës në Bosnje.


Florence Hartman, zëdhënëse e kryeprokurores së Hagës, Carla Del ponte, ka mohuar se zyra e saj ka marrë ndonjë dokument të ri apo leje për dëshmitarët që prej takimit të fundit të këshillit javën e kaluar. Deklarimet e këshillit, ka thënë ajo, ishin “vetëm fjalë”.


Por pavarësisht këtij komenti skeptik, disa njerëz të brendëshëm të gjykatës janë më optimist, duke thënë se Beogradi ka shprahur “dëshirën e mirë”. Një prej tyre ka thënë se “Duket se ata janë vërtetë të vendosur të dorëzojnë Mlladiq këtë herë”.


Vendimi i gjykatës këtë javë për të liruar përkohësisht dy ish zyrtarë të lartë të policisë sekrete serbe shihet nga disa si një provë tjetër e arritjes së një mirëkuptimi ndërmjet qeverisë serbe dhe komunitetit ndërkombëtar.


Qeveria serbe kishte kërkuar dhe kishte përcaktuar lirimin e përkohëshëm të Jovan Stanishiq dhe Franko Simatoviq, të akuzuar për koordinimin e spastrimit etnik gjatë luftërave në Bosnje dhe Kroaci, si prioritetin numër një në marrëdhëniet e saj me gjykatën e Hagës.


Analistët në Beograd thonë se ky hap mund të jetë një shenjë e vullnetit të mirë nga ana e komunitetit ndërkombëtar.


“Mund të jeni të sigurtë se lirimi i përkohëshëm i Stanishiq dhe Simatoviq është kërkuar prej kohësh nga qeveria serbe,” ka thënë Predrag Simiq, drejtor i akademisë diplomatike në ministrinë e jashtëme të Serbisë.


“Lirimi i Stanishiq dhe Simatoviq dhe dorëzimi i tyre tek qeveria serbe do të shihet padyshim si një shenjë e dëshirës së mirë e cila mund të interpretohet edhe si pjesë e një marrëveshjeje”.


Bratislav Grubac, drejtor i përgjithëshëm i shërbimit të lajmeve VIP, ka thënë për IWPR se “Këto lirime mund të jenë një shenjë që qeveria serbe është tani e gatëshme të bashkëpunojë për transferimin e të pandehurve të tjerë”.


Në qarqet diplomatike ekziston mendimi se Serbia më në fund do të plotësojë detyrimet e saj ndaj gjykatës. Një zyrtar i lartë amerikan, i afërt me nënsekretarin amerikan për çështjet politike, Marc Grossman, ka thënë për IWPR se në një takim ndërmjet Grossman dhe Koshtunicës në Beograd më 17 korrik, Koshtunica është informuar se Mlladiq mbetet një prioritet kryesor; ky zyrtar ka shtuar se nuk ka pasur mosmarrëveshje për këtë çështje.


“Ne kemi parë tanimë shtimin e përpjekjeve nga autoritetet e Beogradit për të kapur Mlladiq dhe bashkëpunuar me Hagën,” ka thënë ai. “Ekziston mendimi se diçka do të bëhet shumë shpejt”.


Nuk ka shenja që komuniteti ndërkombëtar po përdor kërcënimin e sanksioneve ekonomike në rast se Serbia nuk përmbush detyrimet. Mendohet se bllokimi i bisedimeve me NATO dhe BE janë të mjaftueshme.


Christina Gallach, zëdhënëse e Javier Solana, përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e përbashkët të jashtëme dhe të sigurisë, ka thënë për IWPR se “Politika e BE nuk është të bllokojë Serbinë. As nuk bëhet fjalë për sanksione. Ne kemi një mirëkuptim tani dhe presim të ecim përpara”.


Joachim Bleicker, i ngarkuari me punë i ambasadës gjermane në Beograd ka thënë për IWPR se “Ka një bashkëpunim të mirë – ne presim që të akuzuarit të dorëzohen shumë shpejt”.


Një tjetër diplomat i lartë perëndimor në Bruksel e mbështet këtë linjë duke thënë se “Tani presim bashkëpunim të plotë – nuk mund të ketë më shfajësime”.


Disa mendojnë se optimizmi i komunitetit ndërkombëtar është naiv, po të kemi parasysh të kaluarën e Beogradit dhe qëndrimin e mëparshëm negativ ndaj Hagës. Megjithatë, të tjerë, thonë se raporte të mirëinformuara për shtimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve sekrete serbe dhe atyre të huaja tregojnë për një ndryshim të vërtetë të qëndrimit.


Këto shpresa janë shtuar nga fitorja muajin e kaluar e kandidatit pro perëndimor Boris Tadiq në zgjedhjet presidenciale.


Një diplomat perëndimor i vendosur në Beograd thotë se “Pas këtyre zgjedhjeve, autoritetet e Beogradit nuk kanë më dyshime mbi detyrimet e tyre ndaj Hagës dhe ne kemi besim se ata do ti përmbushin ato”.


Dushan Pavloviq, një analist i pavarur në Beograd, thotë se bashkëpunimi është forcuar nga presidenti i ri: “Për mendimin tim bashkëpunimi po shtohet. Dhe merita për këtë nuk i takon aq shumë qeverisë se sa Tadiq”.


Tadiq njihet se mbështet transferimin e Mlladiq në Hagë. Gjatë një vizite të kohëve të fundit në SHBA ai ka njoftuar se Serbia “është e gatëshme të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare” duke pranuar se Mlladiq ishte “pengesa më e madhe”.


Pas kthimit të tij, ai e ka përsëritur këtë qëndrim, duke thënë se Serbia “do të punojë së bashku me SHBA për të dalë nga pozicioni në të cilin gjendemi tani”.


Edhe Koshtunica është gjendur nën presion nga partnerët e tij në koalicion për të ndryshuar qëndrimin e tij ndaj Hagës. Zëvendës kryeministri Miroljub Labus, i partisë reformatore G17, dhe ministri i jashtëm Vuk Drashkoviq, kryetar i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO, mbështesin fuqimisht arrestimin e të akuzuarve nga Haga.


Të dyja partitë kanë frikë se Serbia do të lihet jashtë procesit të integrimit perëndimor në rast se nuk arreston dhe transferon Mlladiq, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda për vendin, të cilat më pas do të rrezikojnë edhe qeverinë e brishtë të tanishme.


Më 9 korrik, Labus ka njoftuar se së shpejti do të ketë “prova të forta” të bashkëpunimit të Serbisë me gjykatën.


“Ne do të duhet të arrijmë një progres të madh në bashkëpunimin me Hagën së shpejti,” ka thënë ai për agjensinë austriake të lajmeve, APA, duke shtuar se “brenda një apo dy muajsh” mund të kemi prova të qarta të bashkëpunimit të plotë të Serbisë me gjykatën ndërkombëtare.


Sonja Biserko, e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka thënë për IWPR se ajo mendon se qeveria do të bashkëpunojë, megjithëse kundër dëshirës së saj. “Kjo qeveri nuk dëshiron të bashkëpunojë me Hagën por do të detyrohet për shkak të presioneve politike dhe ekonomike,” ka thënë ajo.


Koshtunica ka sinjalizuar tanimë një ndryshim të pozicionit të tij. Më 18 korrik, kryeministri ka thënë përpara bordit të Partisë së tij Demokratike të Serbisë, DSS, se Haga ishte bërë “çështja më e rëndësishme”.


“Ka disa mënyra për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës … ne po përpiqemi të gjejmë ato të cilat janë më të favorëshme për ne,” ka thënë ai, duke shtuar se zgjidhja më e mirë do të ishte nëse “ndonjë individ do të pranonte të dorëzohej”.


Nebojsha Bakarec, një zyrtar i DSS, ka thënë se partia ende shpresonte për dorëzimin vullnetar. “Në rradhë të parë ne duhet të kemi besim të koshienca e tyre dhe dëshira për tu dorëzuar vullnetarisht,” ka thënë ai.


Një zyrtar i qeverisë serbe ka shtuar se qëndrimi përfundimtar i Koshtunicës për rastin e Mlladiq do të tregohej nëse dhe kur të informohet për vendndodhjen e Mlladiq.


“Vetëm atëherë do të shohim nëse Koshtunica ka kërkuar me këmbëngulje Mlladiq me qëllim për ta arrestuar atë, apo vetëm për të provuar se ai nuk fshihet në Serbi,” ka thënë ai, duke shtuar se fati i Mlladiq qëndron në duart e Koshtunicës, pavarësisht se kryeministri nuk ka dëshirë të marrë përsipër këtë përgjegjësi.


I njëjti burim ka shtuar se Koshtunica mund edhe të japë dorëheqjen për çështjen e Mlladiq popullariteti i partisë së Koshtunicës po bie dhe sa më shpejt të thirren zgjedhjet e reja, aq më tepër shanse ka partia e tij për tu rizgjedhur.


Dorëheqja e tij mund të ndodhë përpara dorëzimit të Mlladiq, në mënyrë që të ruajë imazhin e tij patriotic të cilin e ka ushqyer prej kohësh, i cili pëlqehet shumë nga lobi i madh anti Hagë në Serbi.


Duke dhënë dorëheqjen pas dorëzimit të Mlladiq, nga ana tjetër, ai mund të thotë se ka vendosur të ardhmen e Serbisë përpara ndjenjave të tij anti Hagës.


Një dorëheqje për çështjen e Mlladiq mund të pëlqehet nga shumë votues. Rreth 65 përqind e qytetarëve të Serbisë, sipas një anketimi të Marten Board International, e shohin gjykatën si të njëanëshme dhe thonë se Serbia nuk duhet të bashkëpunojë me të. Sidoqoftë i takon Koshtunicës të vendosë për këtë dilemë.


Zeljko Cvijanoviq është redaktor i së përjavëshmes Evropa në Beograd. John Simpson është një bashkëpunëtor i IWPR në Londër. Tanja Matiq është një gazetare investigative e IWPR në Beograd. Hugh Griffiths është koordinator i artikujve investigative në IWPR. Ana Uzelac është drejtuese e programit të IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists