Priten Akuza për Krime Lufte në Kroaci
Ka shenja që tregojnë se kriminelë kroatë të dyshuar për krime lufte mund të dalin së shpejti përpara drejtësisë.
Priten Akuza për Krime Lufte në Kroaci
Ka shenja që tregojnë se kriminelë kroatë të dyshuar për krime lufte mund të dalin së shpejti përpara drejtësisë.
Ka shumë zëra se Gjykata e Hagës do të akuzojë tre gjeneralë të ushtrisë kroate për krime lufte të kryera gjatë fushatës ushtarake "Oluja" të vitit 1995. Këto zëra po ushqehen edhe nga udhëheqja e vendit.
Njoftime të botuara në shtypin kroat parashikojnë se tre gjeneralë - Ivan Cermak, Anto Gotovina dhe Mirko Noviq - do të akuzohen në gusht, në përvjetorin e pestë të rimarrjes së territoreve të pushtuara kroate nga ushtria, gjatë së cilës 200,000 serbë u detyruan të largohen me forcë.
Presidenti Stipe Mesiq dhe kryeministri Ivica Raçan do të kthehen nga një vizitë në Uashington të ftuar nga presidenti amerikan Bill Klinton në fund të javës së parë të muajit gusht. Shpresohet se kjo shprehje e rëndësishme e miratimit dhe e përkrahjes së Shtëpisë së Bardhë do të forcojë pozitat e autoriteteve të reja kroate ndaj protestave që pritet të zhvillohen nga ekstremistë kroatë të cilët kundërshtojnë ekstradimin e mundëshëm të tre gjeneralëve.
Ish-presidenti Franjo Tugjman ka ngulur këmbë se ushtarët kroatë nuk janë në gjendje të kryejnë krime lufte dhe kjo është arsyeja që deri më tani askush nuk është gjykuar - edhe ata kroatë të cilët gjykohen tani në Hagë janë akuzuar të gjithë për krime të kryera në Bosnje. Kryetari i Gjykatës së Lartë Milan Vukoviq ka argumentuar në periudhën e operacionit "Oluja" se kroatët ishin përfshirë në një luftë mbrojtëse dhe nuk kishin mundësi të kryenin krime.
Megjithatë peisazhi politik në Kroaci tanimë ka ndryshuar dhe spekulimet sipas të cilave Gjykata e Hagës ka përfunduar akuzat dhe po pret për momentin e duhur për të shpallur ato, janë shtuar kur Mesiq dhe ministri i drejtësisë Stjepan Ivanisheviq u pyetën për të komentuar ndaj këtyre zërave.
"Nëse Zyra e Prokurorit dhe ICTY ka paraqitur akuza ndaj këtyre tre gjeneralëve, atëherë unë jam i sigurtë se kryeprokurorja Karla Del Ponte do të na kishte informuar," ka thënë Ivanisheviq. "Unë nuk jam informuar akoma dhe mendoj se kjo tregon se akoma nuk është ngritur asnjë akuzë."
Besimi i Ivanisheviqit se akuzat nuk janë ngritur "ende" është pasuar nga thëniet e Mesiqit se "vetëm pasi disa individë të kenë dalë në gjyq dhe të kenë marrë dënimin nga drejtësia ndërkombëtare e nga koshienca e tyre, atëherë do të ndalojnë akuzat dhe faji kolektiv."
Komentet e Mesiqit rreth nevojës për dënimin e disa individëve për të hequr fajin nga shpatullat e popullsisë kroate në përgjithësi përfaqësojnë edhe pikpamjet e Zarko Puhovskit, anëtar i bordit ekzekutiv të Komitetit Kroat të Helsinkit, CHC, i cili ka kryer hetime mbi krimet e luftës të njoftuara në Kroaci. "Natyrisht që ka pasur krime lufte, si gjatë operacionit Oluja edhe më pas," ka thënë ai. "Derisa të përcaktohet krimi individualisht për secilin nga personat fajtorë, këto krime do të vazhdojnë të konsiderohen si "krime kroate".
Raporti më i fundit i CHC-së rreshton 267 njerëz si të vrarë apo të zhdukur në Lika gjatë operacionit "Oluja" duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve të vrarë dhe të zhdukur në rajon në 677. Në ndryshim nga koha e qeverisjes së HDZ-së, kur raportet për krime të mundshme lufte sulmoheshin si të trillime dhe goditeshin, CHC ka pasur një mbulim të madh nëpër media dhe spekulimet mbi akuzimin e disa personave është një lajm shumë i rrahur nëpër mediat kroate.
Autoritetet e reja ka mundësi të bashkëpunojnë për ndonjë kërkesë ekstradimi nga ICTY, por ato duhet të jenë tepër të kujdesshme. Kur kroati i Bosnjes Tihomir Blashkiq u gjet fajtor për krime lufte nga gjykata dhe u dënua me 40 vjetë burgim marsin e kaluar, e djathta kroate organizoi demonstrata të mëdha përpara ambasadës së SHBA-së, të cilat tronditën mjaft koalicionin e ri qeveritar të sapokrijuar.
Me një ekonomi në gjendje të vështirë dhe papunësinë mbi 20 përqind - pasojë e dhjetë vjetë sundimi të HDZ-së - kërcënimi i lëvizjeve sociale është gjithnjë i pranishëm. Në një atmosferë të tillë ekziston shqetësimi se e djathta ekstreme - e cila përfshin një numër të madh anëtarësh të pakënaqur të HDZ-së - mund të përdorë akuzën ndaj tre gjeneralëve për të përhapur një valë të re protestash masive dhe ndoshta edhe të përpiqet të rrëzojë qeverinë.
Drago Hedl është korrespondent i rregullt i IWPR-së.