Protestat Kërcënojnë Turizmin në Kroaci

Turizmi, pika më e fortë e ekonomisë së Kroacisë, mund të goditet rëndë nëse vazhdojnë protestat e nacionalistëve

Protestat Kërcënojnë Turizmin në Kroaci

Turizmi, pika më e fortë e ekonomisë së Kroacisë, mund të goditet rëndë nëse vazhdojnë protestat e nacionalistëve

Friday, 23 February, 2001

Kur numri i pushuesve që vizitonin bregdetin e famshëm Kroat të Dalmacisë arriti një rekord prej dhjetë milion turistë në vit në 1989, shumë njerëz menduan se industria e turizmit do të luante një rol të madh në financimin e tranzicionit të republikës drejt pavarësisë dhe demokracisë.


Por më pas erdhi lufta. Në vend të pushuesve, hotelet e reja që ishin ndërtuar gjatë dekadës së fundit u mbushën me refugjatë. Kjo gjë dëmtoi rëndë pronarët e hoteleve dhe fshatrave turistike. Por me ardhjen e paqes u rikthyen edhe turistët dhe industria filloi të marrë veten.


Megjithatë, vazhdimi i protestave nacionaliste të zhvilluara në Split dhe Zagreb më herët këtë muaj mund ta ndërpresë këtë rimëkëmbje. Zyrtarët janë tepër të shqetësuar se aktivistët e krahut të djathtë dhe veteranët e luftës kërcënojnë të dëmtojnë përsëri industrinë e turizmit.


Qeveria Kroate, e cila ka shpenzuar tashmë rreth 11 milion dollarë për të promovuar sezonin e ri turistik, është e shqetësuar se ata që kanë menduar të kalojnë pushimet në bregun Dalmat do të tremben nga demonstratat dhe bllokimet e rrugëve, të cilat janë organizuar në shenjë proteste ndaj akuzimit të ish gjeneralit Kroat Mirko Norac, i cili është dorëzuar këtë javë.


Kroacia llogarit se ajo duhet të rrisë me 20 deri 30 përqind të ardhurat prej tre miliard e gjysëm dollarë që ajo ka marrë vitin e kaluar nga industria e turizmit. Ekonomia e vendit është në gjendje të shkatërruar. Ajo ka një borxh prej dhjetë miliard dollarë dhe momentalisht papunësia llogaritet në 24 përqind.


Përpara protestave, specialistët shpresonin se industria e turizmit kishte nisur rrugën e rimëkëmbjes. Ata kanë llogaritur se vendi mund të arrinte shifrat e vitit 1989 nga të ardhurat nga turizmi brenda tre deri pesë vjetësh.


Por si rezultat i demonstratave, të cilat filluan më 11 Shkurt në Split, rezervimet e sezonit turistik kanë rënë me 70 përqind, sipas Damir Klajn, përfaqësuesi i ministrisë së turizmit në Istria.


Pra, duket se turizmi në Kroaci është bërë përsëri peng i konflikteve në Ballkan. Megjithatë, këtë rradhë, nuk mund të fajësohen fqinjët për rënien e biznesit.


Shumë banorë të Dalmacisë, jetesa e të cilëve varet nga turizmi, janë zemëruar shumë nga goditja më e fundit e industrisë së tyre. Nuk është për t'u çuditur që pjesa më e madhe e atyre që kanë marrë pjesë në demonstratën e Splitit janë sjellë nga pjesë të tjera të vendit.


Reagimi lokal nuk ka qenë i papritur. Turizmi kishte qenë mjeti kryesor i progresit ekonomik në shtetin e pavarur Kroat, por është shkatërruar gjatë luftës dhe nga pasiguria politike gjatë periudhës së drejtimit të Tugjmanit. Dhe tani, që po duken shenjat e para të rimëkëmbjes, ai ka rënë viktimë e trazirave të reja politike.


Megjithatë, vështirë që gjërat të shkojnë më keq se gjatë konfliktit në Ballkan kur pjesa më e madhe e plazheve të Dalmacisë kanë qenë të shkreta. Ata që vërtetë dëshironin të kalonin një periudhë në vetmi mund të shkonin në bregdetin Kroat, i cili atëherë ndodhej shumë pranë zonës së pushtuar nga Serbët në Krajina, mini-shtetit të vetë shpallur nga Boshnjakët në Herzeg-Bosnje dhe Republikës Srpska dhe Malit të Zi.


Plazhet në bregdetin Dalmat kanë qenë në mëshirën e ushtarëve Serbë. Bozhidar Vuçureviq, një ish shofer kamioni dhe kryetar i bashkisë së Trebinjes - një zonë e kontrolluar nga Serbët e Bosnjes - me shaka e quante veten zëvendës ministër të turizmit në Kroaci, duke u mburrur se ai e kishte në dorë nëse do të shkonin turistë në Dubrovnik apo jo.


Gjatë viteve të luftës, hotelet në Dalmaci ose ishin të boshatisura, duke krijuar borxhe, ose kanë shërbyer si strehime të përkohëshme për refugjatë - gjë e cila i ka shkatërruar shumë - ndërsa një numër i madh punonjësish të tytre u larguan për të punuar jashtë vendit.


Edhe fundi i luftës shkaktoi problemet e veta. Të gjitha mundësitë e rimëkëmbjes financiare nëpërmjet shitjes, kanë qenë të vështira për shkak të ndërprerjes së procesit të privatizimit. Shumë shpesh, hotelet, ashtu si edhe shumë prona të tjera shtetërore, kanë përfunduar në duart e miqve të ngushtë të Presidentit Tugjman.


Megjigjatë, industria ka pasur përmirësime. Viti ikaluar ka qenë sezoni më i mirë gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Megjithatë, një e treta e hoteleve në Kroaci e kanë mbyllur vitin me humbje si rezultat i borxheve të krijuara gjatë vitit të kaluar.


Kriza financiare në sektorin e hotelerisë po shndërrohet me shpejtësi në një çështje politike. Të mbytur me borxhe, shumë pronarë hotelesh po mendojnë të shesin bizneset e tyre firmave dhe bankave të huaja. Ekonomistët po paralajmërojnë se nëse ndodh një gjë e tillë, fitimet nga industria e turizmit mund të përfundojnë jashtë vendit.


Megjithatë, për momentin, protestat e nacionalistëve janë shqetësimi më i madh. Pas ndryshimit të qeverisë vitin e kaluar, Kroacia papritmas është shndërruar në një vend më tërheqës duke shmangur kështu ksenofobinë e periudhës së Tugjmanit. Por ky reputacion mund të humasë shumë shpejtë nëse vazhdojnë pamjet e barrikadave në rrugët e Dalmacisë.


Goran Veziq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists