Rasti i një Kroati Mund të Gjykohet në Kroaci

Gjykata e Hagës dëshiron që Mirko Norac të gjykohet në Kroaci, por ka ende pikpyetje rreth procesit të transferimit të akuzave për në gjykatat lokale.

Rasti i një Kroati Mund të Gjykohet në Kroaci

Gjykata e Hagës dëshiron që Mirko Norac të gjykohet në Kroaci, por ka ende pikpyetje rreth procesit të transferimit të akuzave për në gjykatat lokale.

Wednesday, 9 November, 2005

Gjashtë muaj përpara skadimit të afatit për publikimin e akuzave, prokurori i Hagës këtë javë ka akuzuar gjeneral majorin kroat Mirko Norac për krime të kryera ndaj civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në vjeshtën e vitit 1993.


Ende nuk është lëshuar ndonjë urdhër arresti për Norac, pasi ai po kryen dënimin ne Kroaci për krime të kryera më herët gjatë luftës.


Prokurorja Carla del Ponte ka njoftuar se ajo do të kërkonte që Norac të gjykohet në Kroaci – hera e parë që një rast i tillë është identifikuar nga gjykata e Hagës për t’ju referuar një gjykate kombëtare, në përputhje me strategjinë përmbyllëse të gjykatës. Vëzhguesit thonë se ndërsa i takon gjykatësve të vendosin, sistemi gjyqësor kroat mund të duhet të bëjë ende shumë punë përpara se të mund të marrë përsipër një cështje të tillë.


Norac, 37 vjec, është akuzuar për krime të kryera ndaj civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës gjatë një sulmi për marrjen në kontroll të Xhepit të Medak – një grup fshatrash në formën e një gishti në Kroaci, rreth 150 kilometra në jug të Zagrebit. Pas disa ditë luftimesh, forcat qeveritare kroate kanë marrë nën kontroll zonën në fillim të shtatorit 1993. Në akuzë thuhet se trupat nën urdhërat e Norac kanë kapur dhe vrarë civilë serbë dhe luftëtarë të cilët nuk kishin mundur të largoheshin.


Akuza ndaj Norac nuk jep një numër të saktë të viktimave, por akuza të tjera të ngritura në lidhje me të njëjtat krime japin një shifër prej rreth 100 viktimash. Pjesa tjetër e banorëve të kësaj zone, rreth 400 banorë, është larguar për të mos u kthyer kurrë më.


Prokurorët e gjykatës kanë akuzuar më parë dy oficerë të lartë kroatë për të njëjtën ngjarje – gjeneralët Janko Bobetko dhe Rahim Ademi. Bobetko – në atë kohë shef i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë kroate – ka vdekur ndërkohë. Ademi është në pritje të gjyqit në Kroaci.


Zëdhënësja Florence Hartmann ka thënë për IWPR se akuza ndaj Norac përfundon hetimet e prokurorëve për ngjarjet në Medak.


Ajo ka thënë se prokurorët do të paraqisnin një mocion për të bashkuar akuzat ndaj Norac dhe Ademit në një, dhe do të përpiqen ti referojnë ato gjykatave kroate.


Gjykata është nën presion të madh për të përfunduar punën e saj brenda afateve të përcaktuar në strategjinë përfundimtare të miratuar vitin e kaluar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.


Strategjia parashikon që disa raste jo shumë të rëndësishme do t’u kalohen gjykatave lokale, me kusht që këto të tregojnë aftësi për të përballuar këto gjyqe të komplikuara. Sipas rregullave të gjykatës, propozimi për referimin e një rasti bëhet nga prokurori, por vendimi përfundimtar i takon gjykatësve.


Disa njerëz të brendëshëm të gjykatës thonë se do të jetë e vështirë që të argumentohet që gjeneralët Ademi dhe Norac janë oficerë të “ulët” apo të “mesëm”, por të tjerë thonë se në kohën e kryerjes së krimeve për të cilat akuzohen, ata kanë pasur grada më të ulta se tani. Norac ka qenë kolonel, në krye të Brigadës së nëntë të motorizuar të ushtrisë së Kroacisë, ndërsa Ademi ka qenë komandant i komanduar i rrethit ushtarak në Gospiq, dhe është graduar gjeneral major vetëm pas operacionit në Xhepin e Medak.


Në mënyrë paradoksale, akuza e Norac është bërë pas hyrjes në fuqi të ndryshimit të nenit 28, i cili thotë se edhe akuzat e reja do të duhet të kontrollohen nga zyra e gjykatësve se përmbushin kushtet e duhura për të qenë “të rangut të lartë”. Kjo e bën rastin e Norac një rast të rëndësishëm për të pasur një akuzë nga gjykata e Hagës, por përsëri të nivelit të ulët për t’ju referuar gjykatave lokale.


Zyrtarë të gjykatës nuk kanë pranuar të komentojnë zyrtarisht për këtë kontradiktë.


Problemet nuk përfundojnë me përcaktimin e rasteve të cilat mund të transferohen. Të provohet se sistemi i drejtësisë kroat është i gatshëm të përballojë gjyqe të tilla mund të jetë një sfidë tjetër ndoshta më e vështirë.


Gjykata nuk mund të bazohet në ndonjë kriter të përcaktuar qartë për të vendosur nëse sistemi gjyqësor i një vendi është në gjendje të përballojë gjyqet për krime lufte. Zyrtarë të gjykatës citojnë disa prej kushteve më të rëndësishme si pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe garantimi i një procesi gjyqësor të ndershëm, por shumë cështje të tjera mbeten të papërcaktuara nga shteti në shtet.


Nga intervistat e kryera në Hagë dhe Zagreb, duket se ka tre pengesa kryesore ligjore të cilat duhet të tejkalohen përpara se proceset gjyqësore të mund ti referohen Kroacisë. Këto përfshijnë mungesën e qartësisë në legjislacionin i cili rregullon përgjegjësinë e komandimit, cështjen e gjykimit të cështjeve “në retrospektivë”, si edhe cështjen nëse provat e gjykatës do të mund të jepen në gjykatat kroate.


Përgjegjësia e drejtimit, sic aplikohet në gjykatën e Hagës, nuk ka një ligj të ngjashëm në legjislacionin kroat. Kjo e bën të vështirë gjykimin e Norac apo Ademit për krime të kryera nga ushtarët nën urdhërat e tyre.


Sipas akuzave, trupat nën urdhërat e Norac kanë terrorizuar popullsinë civile në shumicë serbe në Xhepin e Medak, nëpërmjet veprimeve të tilla si djegia e një gruaje të gjallë. Përvec vrasjeve, civilë dhe të burgosur lufte janë rrahur dhe gjymtuar. Trupat kroate gjithashtu “kanë shkatërruar sistematikisht” rreth 300 ndërtesa në këtë zonë.


Akuza ndaj Norac thotë se ai “e ka ditur, ose ka pasur arësye ta dijë,” që trupat e tij janë përfshirë në këto krime: “Mirko Norac nuk ka marrë masat e nevojëshme dhe të arësyeshme për të parandaluar kryerjen e veprimeve të tilla apo për të dënuar fajtorët për ti.


Gjëja më e afërt me përgjegjësinë e drejtimit në ligjin kroat është ai “i mosveprimit për parandalimin e një krimi”, dhe disa vëzhgues në Zagreb mendojnë se – me vullnetin e duhur politik – ligji mund të interpretohet për të lejuar edhe konceptin e përgjegjësisë së komandimit.


Një tjetër problem është se pjesa më e madhe e legjislacionit kroat e cila rregullon cështjen e krimeve të luftës është miratuar pas përfundimit të saj, dhe nuk ka fuqi paravepruese. Ekziston gjithashtu cështja nëse provat e mbledhura nga gjykata e Hagës mund të pranohen në mënyrë procedurale në një gjykatë kroate.


Disa njerëz të brendëshëm të gjykatës thonë se zgjidhja e problemeve ligjore të cilat kanë të bëjnë me këto cështje është esenciale për lejimin e transferimit të këtyre rasteve.


Një tjetër pengesë është edhe njëanëshmëria etnike. Një raport i kohëve të fundit për gjyqet ndaj krimeve të luftës në Kroaci, i përgatitur nga Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, ka thënë se proceset gjyqësore të ndjekura prej saj kanë qenë shumë të njëanëshme, dhe kjo bën që në rast se të gjitha kushtet janë të njëjta, një kroat etnik mund të marrë një dënim më të ulët.


Por deshira politike për të përmbushur kërkesat ndërkombëtare mund të jetë më e fortë tani që Kroacia ka marrë dritën e gjelbërt për të nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një prej kushteve të paraqitura nga Komisioni Evropian është përmirësimi i bashkëpunimit me gjykatën e Hagës. Një deklarim i pak kohëve më parë nga komisioni thuhet se “gjyqet në vend ndaj të dyshuarve për krime lufte janë gjithashtu të mirëpritura” – për sa kohë që ato sigurojnë paanësinë në bazë etnike.


Norac po vuan një dënim në Kroaci pasi është shpallur fajtor për akuzat e rrëmbimit dhe vrasjes së civilëve serbë në Gospiq në tetor 1991.


Gjyqi është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, dhe janë zhvilluar protesta masive në mbështetje të një njeriu i cili për vite me rradhë është përshëndetur si një hero kombëtar. Një dëshmitar i cili ka dhënë prova vecanërisht të rëndësishme është vrarë.


Por shumë zyrtarë të gjykatës e konsiderojnë këtë gjyq “përgjithësisht një sukses” – po të kihen parasysh rrethanat. Norac është dënuar tetorin e kaluar me 12 vjet burgim.


Ndërkohë, ai ka apeluar vendimin e gjykatës. Gjykata e Lartë e Kroacisë ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar për këtë rast.


Ana Uzelac është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.


Croatia
Frontline Updates
Support local journalists