Rrezikohet Tranzicioni Serb
Një vendim i DOS-it për të përfshirë besnikët e Millosheviqit në qeverinë kalimtare serbe mund të penngojë punën e administratës së re.
Rrezikohet Tranzicioni Serb
Një vendim i DOS-it për të përfshirë besnikët e Millosheviqit në qeverinë kalimtare serbe mund të penngojë punën e administratës së re.
Pavarësisht nga humbja e tyre e thellë në zgjedhjet federative dhe ato lokale, Partia Socialiste e Serbisë, SPS, dhe Millosheviqi vazhdojnë të kenë një influencë të madhe politike.
SPS-ja është lejuar të ndajë pushtetin me Opozitën Demokratike, DOS, fituese në Serbi, në qeverinë e re republikane kalimtare. Lëvizja për Ripërtëritje Serbe e Vuk Drashkoviqit, SPO, e cila edhe ajo pati rezultate të dobta në zgjedhjet e shtatorit, u përfshi gjithashtu në administratën e re.
Zgjedhjet serbe të planifikuara për t'u mbajtur më 23 dhjetor priten të vulosin përfundimisht fitoren e DOS-it, por aleanca ka ndjerë se ka qenë e nevojshme një marrëveshje për ndarjen e pushtetit për të mbyllur kështu vakumin politik të lënë pas largimit të Millosheviqit.
Megjithatë në prag të zgjedhjeve të dhjetorit, SPS-ja dhe SPO-ja mund të duan të fitojnë pak terren duke penguar punën e administratës së re.
Të gjitha ministritë e qeverisë republikane, e cila u krijua javën e kaluar, tani kanë tre ministra, një nga DOS-i, një nga SPS-ja e tjetri nga SPO-ja dhe vendimet duhet të merren me konsensus.
"Qeveria quhet kalimtare, sepse të gjithë do të përpiqen të kalojnë njëri tjetrin," thotë ciniku Milan Milutinoviq, presidenti serb dhe zëvendëskryetar i SPS-së. Kryeministri kalimtar, Milomir Miniq, është edhe ai një zyrtar i lartë i SPS-së.
SPS-ja dhe Drashkoviqi kanë nevojë për kohë. Të dy do të përdorin periudhën tetëjavore që mbetet deri në zgjedhje për të konsoliduar partitë e tyre të shkatërruara, për të ndryshuar njerëzit në drejtimin e partsë dhe për të përgatitur fushatën. Të gjithë do të kërkojnë të gjejnë pikat e dobta të DOS-it, veçanërisht premtimet e papërmbushura.
Lufta më e ashpër do të jetë ajo që do të zhvillohet në katër ministritë kryesore - financë, energji, polici dhe informacion.
Qeveria do të duhet të punojë shumë dhe shpejt me qëllim që të zgjidhë problemet kronike të Serbisë. Çmimet janë rritur shumë jashtë çdo kontrolli, media është në gjendje kaosi, njerëzit nuk kanë gaz, energji elektrike, karburant për ngrohje, ilaçe dhe industria vuan nga mungesa e investimeve e lëndëve të para.
Për të blerë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike banka qendrore duhet të aprovojë sasinë e nevojshme të monedhës së fortë për importimin e saj, por ajo është një institucion federal dhe qeveria jugosllave ende nuk është krijuar.
Sapo të aprovohet sasia e monedhës së fortë, Kompania Elektrike e Serbisë, EPS, një kompani shtetërore, bordi i drejtorëve i së cilës dominohet nga të emëruarit e SPS-së, duhet të përzgjedhë importuesin. Ky vendim duhet të miratohet nga ministria e energjisë serbe, nga tre ministrat rivalë.
EPS-ja ende nuk ka përzgjedhur furnizuesin. Gjatë periudhës së Millosheviqit drejtorët e EPS-së kanë lidhur disa marrëveshje, të cilat nuk janë të nevojshme për nevojat e vendit, por që u kanë lejuar atyre përfitime personale. Këta njerëz ende janë në postet e tyre dhe deri tani nuk kanë treguar asnjë shenjë se janë të gatshëm të ndryshojnë sipas klimës së re politike.
Megjithëse nuk mund të thuhet me siguri, SPS-ja po pengon me dashje marrjen e vendimeve, disa besnikë të SPS-së po flasin vetë për zgjatjen e problemeve. Një drejtor i SPS-së i shkarkuar në Nish thotë: "Ka ende shumë zyrtarë të SPS-së dhe kjo është arsyeja që punët nuk shkojnë mirë". Ai i cilësoi ata si "luanë të plagosur" dhe paralajmëroi se çdo vonesë në marrjen e vendimeve "shkon në favor të tyre".
Por SPS-ja po ndjek një rrugë të rrezikshme. Nëse elektorati i kupton këto taktika bllokuese, ata mund të shkatërrohen krejtësisht politikisht në dhjetor.
SPO-ja ka interesat e saj dhe përfiton nga çdo problem i DOS-it. Për të mbijetuar dhe për të siguruar edhe disa vjetë në jetën politike për Drashkoviqin, SPO-ja mund të vendosë të mbështesë SPS-në në planet e saj bllokuese.
Socialistët kanë nisur tashmë një proces të riorganizimit të brendshëm. Millosheviq nuk është më në krye të kësaj përpjekjeje dhe zyrtarët e lartë kanë njoftuar se shumë drejtues të lartë të partisë do të shkarkohen përpara kongresit të SPS-së.
Ndërkohë DOS-i përbëhet prej 18 partish - një mundësi më tepër për grindje politike për shpërndarjen e posteve të ministrave dhe posteve të tjera qeveritare në administratën dhe parlamentin e ardhshëm. SPS-ja do të ndjekë me kujdes çdo shenjë të ndonjë përçarjeje të mundëshme në rradhët e DOS-it. Në fund të fundit, partia ende gëzon përkrahjen e një të tretës së elektoratit.
Ajo që duhet të bëjnë SPS-ja dhe SPO-ja përpara zgjedhjeve të dhjetorit është të fshijnë të gjitha provat e korrupsionit dhe veprimeve të gabuara. Qeveria kalimtare, me pamundësinë e saj për të marrë vendime, përbën një mekanizëm ideal për këtë qëllim.
Sistemi i drejtësisë në Serbi mbetet i pareformuar dhe i paaftë për të kryer hetimet e nevojshme ndaj abuzimeve të kryera nga qeveria e mëparshme. Ndërkohë drejtuesit e bankave dhe të industrisë mund të fshehin të gjitha materialet kompromentuese përpara se regjimi i SPS-së të shkulet më në fund nga rrënjët.
Megjithëse tani nuk ka një kontroll të plotë, SPS-ja ka fituar kohë për të forcuar pozicionin e saj duke mos lejuar DOS-in të marrë ndonjë vendim të rëndësishëm.
Në dhjetor disa njerëz do të votojnë përsëri për SPS-në, ndërsa të tjerë do të arrijnë në përfundimin se DOS-i është i paaftë të marrë në dorë qeverisjen e vendit dhe se ka nevojë të ndajë pushtetin me dikë tjetër. Çmimi për bashkëpunimin e DOS-it me Millosheviqin dhe Drashkoviqin në periudhën kalimtare është shumë i lartë, sepse ata rrezikojnë të humbasin energjinë jetike të ditëve të tetorit përpara zgjedhjeve të rëndësishme republikane.
Ka shumë pak mundësi që DOS-i të humbasë në zgjedhjet e dhjetorit - një anketim i opinionit publik kohët e fundit në të përditshmen e Beogradit, Blic, tregonte se DOS-i fiton rreth 61 përqind të votave - por SPS-ja është lejuar të rimarrë veten dhe mbetet pjesë e lojës, pikërisht ashtu si shpresonin shumë njerëz.
Srxhan Staletoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.