SERBI: MISTERI I ARRESTIMIT TË BEARA
Beogradi dëshiron që publiku të besojë se një i dyshuar kryesor për ngjarjet në Srebrenicë është dorëzuar – ndërsa bota të besojë që qeveria e ka arrestuar.
SERBI: MISTERI I ARRESTIMIT TË BEARA
Beogradi dëshiron që publiku të besojë se një i dyshuar kryesor për ngjarjet në Srebrenicë është dorëzuar – ndërsa bota të besojë që qeveria e ka arrestuar.
Pavarësisht deklarimeve të Beogradit, paraqitja në gjykatën e Hagës e Ljubisa Beara, një prej pjesëmarrsve kryesorë në genocidin në Srebrenicë, nuk është pasojë e një dorëzimi vullnetar tipik.
I akuzuari për krime lufte është dorëzuar vetëm pas kërcënimeve për një arrestim të shpejtë, pasi gjykata kishte dhënë një informacion të rëndësishëm autoriteteve serbe.
Ish shefi i sigurimit të Ushtrisë së Republika Srpska, VRS, është akuzuar për genocid ndaj muslimanëve të Bosnjes në Srebrenicë, në Bosnjen lindore, në vitin 1995.
Beara është transferuar në Hagë më 9 tetor në shoqërinë e ministrit serb të drejtësisë, Zoran Stojkoviq. Në paraqitjen e tij të parë përpara gjykatës më 12 tetor ai nuk ka pranuar fajësinë por u ka bërë thirrje shokëve të tij të luftës të dorëzohen edhe ata.
“Unë dëshiroj t’u bëj thirrje shokëve të mi të luftës, të cilët janë akuzuar dhe tani ndodhen të fshehur, të dorëzohen me dëshirë sa më shpejt të jetë e mundur, për të ndihmuar në shkarkimin e kësaj peshe ndaj vendit tonë,” ka thënë Beara gjatë seancës.
Ndërsa Beogradi e ka paraqitur paraqitjen e Bearas përpara gjykatës së Hagës si rezultat i dorëzimit të tij vullnetar, kryeprokurorja Carla del Ponte ka insistuar se ai është dërguar në Hagë pasi është arrestuar.
E vërtetë duket se është diçka ndërmjet këtyre dy pozicioneve. Një burim i afërt me qeverinë serbe ka thënë për IPËR se autoritetet e kanë kontaktuar Beara pasi kanë marrë informacione të sakta nga Del Ponte për vendndodhjen e tij.
I njëjti burim ka thënë se Beara ka qenë përballë një zgjedhjeje, ose të dorëzohej me garanci shtetërore dhe mbrojtje për familjen, ose të arrestohej.
Për të treguar se qeveria ishte e vendosur, policia ka rrethuar shtëpinë ku ishte fshehur Beara, ka thënë burimi. I dyshuari nuk ka bërë qëndresë.
Ky informacion është i ngjashëm edhe me shpjegimin e del Ponte më 12 tetor në Luksemburg në një takim të Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë në BE, GAERC.
Atje, del Ponte ka thënë se ajo ka dhënë informacion Beogradit mbi vendndodhjen e Beara gjatë vizitës së saj në fillim të tetorit në Serbi.
Ajo ka thënë se policia serbe ka rrethuar ka rrethuar shtëpinë ku Beara po fshihej dhe i kanë kërkuar atij të dorëzohej. Ajo ka theksuar se ky veprim është një arrestim, sepse policia ka qenë përballë shtëpisë dhe i ka thënë atij se duhet të transferohej në Hagë.
Kjo është një çështje sensitive për qeverinë serbe, sepse kryeministri Vojislav Koshtunica ka krijuar imazhin e tij bazuar në ndjenjat anti Hagës në rradhët e shumicës së popullsisë. Koshtunica, për këtë arësye, duhet të paraqesë rastin e Bera si një dorëzim me dashje.
Qeveria kërkon të ruajë reputacionin e saj si kundërshtare e arrestimit të të dyshuarve për krime lufte. Ajo gjithashtu kërkon të tregojë se mbështet bashkëpunimin me gjykatën vetëm mbi bazën e dorëzimit vullnetar të të dyshuarve.
Një qëndrim i tillë ka për synim të zbusë zemërimin në rradhët e publikut, i cili mbetet ende kundërshtar i vendosur ndaj gjykatës së Hagës, si edhe ti dërgojë një mesazh të dyshuarve të tjerë për krime lufte se është më mirë për ta të dorëzohen vullnetarisht.
Qeveria ka treguar gjithashtu se do të ndihmojë të dyshuarit për krime lufte, për të siguruar lirimin e përkohëshëm përpara gjyqeve.
Duke insistuar se Beara është dorëzuar vullnetarisht, shumë vëzhgues mendojnë se qeveria po përpiqet të mos pranojë përgjegjësi për arrestimet e të dyshuarve, të cilën komuniteti ndërkombëtar vazhdon ta kërkojë.
Srdjan Djuriq, shef i zyrës së medias së qeverisë, duke komentuar mbi deklarimet e del Ponte, ka thënë se Beara ishte dorëzuar vullnetarisht pasi ka folur me ministrin e drejtësisë Stojkoviq.
“Pavarësisht disa thënieve se Beara nuk është dorëzuar vullnetarisht por arrestuar nga policia, unë do të doja të përsërisja se Beara as nuk është ndaluar dhe as arrestuar,” ka thënë Djuriq.
“Ministria e brendëshme, MUP, nuk është përfshirë në asnjë nga fazat operative të dorëzimit vullnetar të Bearas,” ka shtuar ai.
Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, rasti i Bearas ka qenë një mundësi e fundit për Beogradin për të përmirësuar marrëdhëniet e keqësuara pas mosarrestimit të Goran Haxhiq. Haxhiq arriti ti shpëtojë policisë dhe të fshihet në një vend të panjohur menjëherë pasi Beogradi kishte marrë akuzën nga Haga.
Aleksandar Radiq, një komentator politik dhe ushtarak, ka thënë për IWPR se ekziston një ndryshim i madh ndërmjet një dorëzimi vullnetar dhe një arrestimi të zakonshëm, duke shtuar se nëse ky do të ishte vërtet arrestim, do të tregonte se qeveria e ndjen detyrimin për të zbatuar detyrimet ndërkombëtare.
“Për fat të keq, kemi dy versione të ndryshme të cilat po i paraqiten publikut,” ka thënë Radiq. “Versioni i parë është për përdorim të brendëshëm ndërsa ai i dyti për komunitetin ndërkombëtar”.
Organizatat e të drejtave të njeriut në Serbi mendojnë se përpjekjet që po bën qeveria e Koshtunicës për të përmirësuar imazhin në sytë e komunitetit ndërkombëtar nuk do të thonë se administrata e tij ka ndryshuar qëndrim për çështjen e gjykatës.
Jelena Stevanceviq dhe Jovan Niciq, nga Qendra Humanitare Ligjore, në Beograd, theksojnë se ka kaluar më tepër se një vit nga publikimi i akuzave ndaj katër gjeneralëve të ushtrisë dhe policisë për krime në Kosovë – dhe asgjë nuk ka ndodhur.
Bratislav Grubaciq, një komentator i njohur politik, ka thënë për IWPR se edhe ai nuk priste arrestime të tjera të të dyshuarve të gjykatës, duke shtuar se qeveria prêt që ata të dorëzohen vullnetarisht.
Beara mendohet se ka qenë një pjesëmarrës i rëndësishëm në ekzekutimet në masë të rreth 7,000 muslimanëve në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Komuniteti ndërkombëtar mendon se eprori i tij, gjenerali Ratko Mlladiq, gjithashtu i akuzuar për genocid dhe krime lufte, fshihet në territorin e Serbisë.
Beogradi e mohon këtë, megjithëse zyrtarë shtetërore deri pak ditë më parë kanë mohuar edhe se Beara fshihej në Serbi.
Mesazhi i dorëzimit të Bearas, i drejtuar ish shokëve të tij të luftës, mendohet se i është drejtuar Mlladiq. Nëse është kështu, kjo do të ishte në përputhje me shpresën e shprehur nga Beogradi që të akuzuarit të dorëzohen vullnetarisht.
Megjithatë, shumë analistë nuk mendojnë se Mlladiq do të pranojë këshillën e ish shefit të tij të sigurimit.
Aleksandra Milenov, nga zyra e gjykatës së Hagës në Beograd, ka theksuar në një deklaratë për IWPR se disa të akuzuar të tjerë janë ende të lirë. Disa prej tyre, si gjeneralët Sreten Lukiq, Nebojsha Pavkoviq dhe Vladimir Lzareviq, jetojnë haptazi në Beograd, pa u përpjekur të fshihen.
“Përgjegjësitë e qeverisë janë të qarta. Ajo duhet të arrestojë dhe të dorëzojë të gjithë të akuzuarit për krime lufte. Gjykata shpreson se kjo gjendje do të ndryshojë shumë,” ka thënë Milenov.
Arrestimi apo dorëzimi vullnetar i Bearas mund të ketë një ndikim mbi vendimin e trupit gjykues për ta liruar atë nga burgu në Scheveningen deri sa të nisë procesi gjyqësor ndaj tij. Në marrjen e këtyre vendimeve një rol të rëndësishëm luan fakti nëse i pandehuri ka mundësi të kthehet për të marrë pjesë në gjyqin ndaj tij apo jo, dhe nëse i pandehuri përbën një rrezik për dëshmitarët e akuzës.
Daniel Sunter është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR.