SERBIA VEPRON PËR ARRESTIMIN E MLLADIQ
Gjykata e Hagës ka paraqitur akuza ndaj katër personave të tjerë në përpjekje për të shtuar presionin për arrestimin e të dyshuarit numër një për krime lufte.
SERBIA VEPRON PËR ARRESTIMIN E MLLADIQ
Gjykata e Hagës ka paraqitur akuza ndaj katër personave të tjerë në përpjekje për të shtuar presionin për arrestimin e të dyshuarit numër një për krime lufte.
Autoritetet serbe kanë ndërmarrë një operacion të ri kërkimi për të dyshuarin për krime lufte Ratko Mlladiq - dy ditë pasi gjykata e Hagës ka paraqitur akuzat ndaj katër figurave të rëndësishme.
Presioni ndërkombëtar në rritje për të bashkëpunuar me gjykatën e krimeve të luftës dhe arrestuar Mlladiq - ish shefin e ushtrisë së serbëve të Bosnjes i akuzuar për genocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës - ka detyruar qeverinë të ndërmarrë disa veprime.
Më 22 tetor, policia ka shkuar në rrugën Blagoja Parovica në lagjen Golf të Beogradit, ku Mlladiq ka jetuar dikur, si edhe në qytetin aty pranë të Mostanicës, ku jeton motra e tij. Policia ka kryer kontrolle edhe përgjatë lumit Drina, i cili ndan Serbinë nga Bosnja. Por kërkimet nuk kanë zbuluar vendndodhjen e Mlladiq.
Këto operacione policore janë kryer pasi gjykata dhe komuniteti ndërkombëtar i kanë dhënë një mesazh të fuqishëm dhe të qartë qeverisë serbe, se ajo duhet të veprojë pa humbur më tepër kohë për arrestimin e Mlladiq.
Më 20 tetor, gjykata e Hagës ka njoftuar për katër akuza të reja ndaj disa gjeneralëve serbë - dy prej tyre janë ende oficerë në shërbim aktiv - për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Këta janë shefi i tanishëm i departamentit të sigurisë publike në ministrinë e brendëshme, Sreten Lukiq; parardhësi i tij Vlastimir Gjorgjeviq; ish shefi i shtabit të ushtrisë Nebojsha Pavkoviq dhe Vladimir Lazareviq, ish komandant i korpusit të ushtrisë në Prishtinë.
Kryeministri serb Zoran Zivkoviq ka përjashtuar cdo mundësi për arrestimin apo ekstradimin e shpejtë të katër oficerëve të lartë, duke thënë se një gjë e tillë nuk përbën prioritet për qeverinë.
Pas shpalljes së akuzave, ambasadori shëtitës i SHBA për cështjet e krimeve të luftës, Pierre Richard Prosper, ka lënë të kuptohet se ekstradimi i menjëherëshëm i Mlladiq mund të bëjë që katër të akuzuarit më të fundit të lejohen të gjykohen nga një gjykatë serbe - pikërisht atë që kërkon edhe Beogradi.
Megjithatë, Haga e ka kundërshtuar menjëherë mundësinë e një lëshimi të tillë.
Kjo kontradiktë ndërmjet Hagës dhe SHBA ka bërë që mediat serbe të fillojnë të spekulojnë, dhe shumë komentatorë thonë se oferta e Prosper mund të jetë më e rëndësishme politikisht se sa qëndrimi i gjykatës - dhe mund të bindë qeverinë të bëjë dicka në lidhje me arrestimin e Mlladiq me qëllim që të mbajë Lukiq në Beograd.
"Tani ne jemi përballë një situate absurde. Nëse Lukiq dëshiron të gjykohet në Serbi, ai duhet të arrestojë menjëherë Mlladiq," ka thënë një komentator i cili nuk ka dashur të përmendet me emër.
Akuzat kanë ardhur në një moment tepër kritik për koalicionin e Opozitës Demokratike të Serbisë , DOS, i cili është tronditur nga një sërë krizash gjatë muajve të fundit dhe momentalisht po përballet me një votë mos besimi në parlament.
Analisti politik Bratislav Grubaciq ka thënë për IWPR se akuzat janë në dëm të qeverisë. "Momenti i këtyre akuzave është shumë i keq për qeverinë, e cila ndoshta nuk do të mbijetojë edhe për shumë kohë," ka thënë ai.
"Mlladiq është në qendër të të gjitha problemeve të Serbisë. Nëse qeveria do të kishte pasur kurajon të ekstradonte atë, atëherë do të mund të ishte gjetur një farë marrëveshjeje në lidhje me akuzat e reja. Në këtë situatë, unë mendoj se nëse qeveria nuk e arreston atë së shpejti, do të shohim akuza të reja nga gjykata e Hagës ndaj personave të tjerë".
Grubaciq mendon se edhe nëse qeveria e tanishme nuk ekstradon gjeneralin, ajo e ardhëshmja do të jetë e detyruar ta bëjë një gjë të tillë, duke shtuar se "Komuniteti ndërkombëtar pranon se [ish presidenti i serbëve të Bosnjes] Radovan Karaxhiq dhe Mlladiq janë prioritet kryesor për Serbinë ashtu si [gjenerali i akuzuar] Ante Gotovina për Kroacinë. Nuk ka rrugëdalje tjetër, përvec dorëzimit të tyre".
Një nga katër akuzat është vecanërisht e sikletëshme për autoritetet. Lukiq nuk është vetëm drejtuesi i departamentit të sigurisë publike në ministrinë e brendëshme por edhe zëvendës ministër - dhe ka qenë detyra e tij të arrestojë dhe ekstradojë Mlladiq në Hagë.
Ministri i brendëshëm Dushan Mihajloviq e ka përshkruar Lukiq si "krahu i djathtë" i tij në zbatimin e reformave në polici, dhe si "hero" të operacionit policor kundër krimit të organizuar pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq.
Opozita dhe ministria e brendëshme kanë përkrahur fuqimisht Lukiq. Dragan Markoviq i Partisë për Bashkimin Serb ka kërkuar nga ministria e brendëshme të "organizojë një grusht shteti dhe të shpëtojë Serbinë".
Policia ka njoftuar se planifikon të organizojë një protestë të Premten, 24 Tetor në mbështetje të Lukiq, duke thënë se "të akuzosh njerëz të cilët kanë kryer detyrën e tyre gjatë luftës sipas ligjit dhe rregullave të shërbimit është e papranueshme".
Por analistët pranojnë se komuniteti ndërkombëtar tanimë është ngopur me lojën që ka luajtur qeveria rreth vendndodhjes së Mlladiq gjatë tre vjetëve të kaluara.
Kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte është përpjekur prej vitesh me autoritetet serbe të sigurojë arrestimin e të dyshuarve për krime lufte. Ajo ka mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Europian dhe SHBA, por insistimi i saj se qeveria është në dijeni të vendndodhjes së të dyshuarve është kundërshtuar vazhdimisht me forcë nga Beogradi.
Kryeministri Zivkoviq dhe disa anëtarë të kabinetit të tij i kanë kërkuar Del Pontes ti japë qeverisë serbe "informacione mbi vendndodhjen e Gjeneralit Mlladiq, nëse ajo është kaq e sigurtë që ai është në Serbi".
Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Hagës janë keqësuar edhe më tepër këtë muaj gjatë vizitës më të fundit të Del Ponte, kur Zivkoviq nuk ka pranuar të marrë në dorëzim akuzat e mbyllura në zarfa ndaj katër oficerëve të lartë.
Ky refuzim duket se e ka bindur Del Ponte të mendojë se nevojitej presion më i madh, dhe më 10 Tetor, ajo ka dhënë një vlerësim negativ para këshillit të sigurimit të OKB-së për bashkëpunimin e Serbisë dhe Malit të Zi me gjykatën.
Në të njëjtën kohë, presioni është shtuar edhe nga drejtime të tjera. Senati amerikan po planifikon një ndryshim në ligj i cili do të vendoste si kusht për vazhdimin e ndihmës financiare për vendin - arrestimin dhe ekstradimin e Ratko Mlladiq. Dhe afati përfundimtar ndoshta do të jetë 31 Mars.
Arrestimi i Mlladiq është gjithashtu një parakusht për integrimin e Serbisë dhe Malit të Zi në programin Partneritet për Paqe të NATO-s. Sekretari i përgjithëshëm i NATO-s, George Robertson ka thënë se ai do të nxisë personalisht pranimin e vendit në këtë program deri në fund të vitit - nëse Mlladiq dërgohet në gjykatë.
Analistë ushtarak dhe burime të IWPR në ushtri dhe polici pranojnë se pas presioneve ndërkombëtare, autoritetet kanë përgatitur terrenin për arrestimin e Mlladiq. Sipas një burimi të IWPR të afërt me ushtrinë, pozicioni i Mlladiq ka ndryshuar së tepërmi gjatë gjashtë muajve të fundit.
Reformat në ushtri kanë larguar nga rradhët e saj oficerë të afërt me Mlladiq, dhe kanë ndërprerë lidhjet e tij me shërbimin e fshehtë të ushtrisë, KOS, tek i cili ai është mbështetur vazhdimisht në të kaluarën. Mendohet se ai tani ruhet vetëm nga një grusht njerëzish, dhe se fondet për financimin e mënyrës së tij të jetesës në fshehtësi po pakësohen.
Një ngjarje e rëndësishme ka ndodhur në prill të vitit 2003, kur ministri i mbrojtjes, Boris Tadiq ka shkrirë komisionin e ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi për bashkëpunim me gjykatën e Hagës, i cili mendohet se ka informuar Mlladiq për zhvillimet më të fundit.
Analisti ushtarak Aleksandar Radiq ka thënë për IWPR se "Reformat kanë krijuar kushtet për ekstradimin e Mlladiq, sepse ai nuk ka më mundësi të marrë informacione të rëndësishme mbi atë që ndodh në krye të shtetit".
Por, përvec këtyre përgatitjeve teknike, 16 partitë pjesëmarrëse në Opozitën Demokratike të Serbisë, DOS, nuk kanë qenë të afta të marrin vendimin politik për ekstradimin e tij.
Shumë vëzhgues politik duket se ende janë të pasigurtë nëse një qeveri e re do të mund të kishte sukses aty ku DOS ka dështuar.
Por Ljubisa Sekuliq, një anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, mendon se asnjë qeveri nuk do të jetë në gjendje të përballojë një ultimatum nga SHBA: "Mlladiq duhet të ekstradohet - ose nga kjo qeveri, ose nga një tjetër, e cila do të përballet me një presion edhe më të madh për të dhënë prova që ajo është e vendosur për reforma".
Gordana Igriq është drejtuese e projektit të Ballkanit, Milanka Saponja Hadziq është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR.