Skandali i Kontrabandës Rumune Shkakton Krizë Politike
Në Rumani ka shpërthyer një debat politik rreth të dhënave se politikanë të lartë rumunë kanë ndihmuar në organizimin e kontrabandës së naftës në Jugosllavi rreth dhjetë vjetë më parë.
Skandali i Kontrabandës Rumune Shkakton Krizë Politike
Në Rumani ka shpërthyer një debat politik rreth të dhënave se politikanë të lartë rumunë kanë ndihmuar në organizimin e kontrabandës së naftës në Jugosllavi rreth dhjetë vjetë më parë.
Skandali mbi dërgesat e paligjshme të naftës rumune në Jugosllavi gjatë luftës në Bosnje ka marrë një kthesë të re politike pasi presidenti Emil Konstantinesku ka akuzuar dy politikanë të lartë për përfshirje në këtë rast.
Konstantinesku thotë se parardhësi i tij Ion Iliesku dhe ish-ministri i jashtëm Teodor Meleskanu janë të përfshirë në transportimin e karburantit në kundërshtim me embargon e vendosur nga OKB-ja ndaj Jugosllavisë.
"Sasi të mëdha karburantesh janë eksportuar në mënyrë të fshehtë," ka thënë Konstantinesku duke deklaruar se shërbimi sekret rumun ka luajtur një rol të madh në këtë kontrabandë duke vepruar "me urdhër nga lart" - një referencë e qartë për udhëheqjen politike të asaj kohe në vend.
Presidenti ka thënë se Iliesku dhe Meleskanu do të quhen përgjegjës, "pavarësisht nëse e kanë ditur apo jo".
Meleskanu është përgjigjur menjëherë duke akuzuar Konstantineskun se po përpiqet të diskreditojë rivalët e tij në prag të zgjedhjeve presidenciale në nëntor. "Konstantinesku po e shndërron karriken e tij presidenciale në një podium nga ku mund të lëshojë akuza dhe të keqtrajtojë kundërshtarët e tij politikë," ka thënë ish-ministri.
Pa i hedhur poshtë zyrtarisht akuzat, Iliesku ka thënë se fjalët e presidentit kishin një "dozë të fortë fushate elektorale." Është e "papranueshme dhe e rrezikshme" që presidenti të "marrë përsipër rolin e pushtetit gjyqësor," ka thënë Iliesku.
Operacioni i kontrabandës ka pasuar vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 1992 për të vendosur një embargo për karburantet ndaj Jugosllavisë për të bërë presion ndaj Beogradit që të ndalonte furnizimet me karburant për serbët e Bosnjes.
Policia rumune ka nisur një hetim ndaj shkeljeve të embargos nga ana e Rumanisë tre vjetë më parë. Njoftimet e shtypit vendas kanë thënë më parë këtë vit se hetuesit rumunë kishin zbuluar se rreth 1,000 vagonë treni të ngarkuar me shumë tonë karburant janë dërguar ilegalisht në kufirin rumuno-serb në Xhimbolia.
Sipas këtyre njoftimeve, agjentë të shërbimeve sekrete shoqëronin trenat, të cilët kalonin pikën kufitare në Xhimbolia gjatë natës dhe me drita të fikura.
"Operacioni Xhimbolia ka shkaktuar një deficit prej 100 milion dollarësh në buxhetin publik," ka njoftuar gazeta e përditshme Evenimentul Zilei. "Operacioni është financuar nga shteti nëpërmjet shpërndarjes së kredive njerëzve të afërt me ish-qeveritarët nën kordinimin e shërbimit sekret rumun."
Zyrtarët e drejtësisë nuk kanë pranuar të komentojnë rreth këtyre njoftimeve të medias, por thonë se hetimet po vazhdojnë.
Megjithatë më 5 korrik ish-shefi i shërbimit sekret Virgil Magureanu ka thënë në një intervistë për gazetën më kyesore Adevarul se "shkelja e embargos nga ana e Rumanisë ka qenë në fakt një vendim politik i marrë në nivelet më të larta."
Magureanu ka thënë se qeveritë perëndimore kishin aprovuar gjithashtu dërgesa të tilla me qëllime humanitare. "Vende të tjera si Bullgaria, Hungaria dhe Ukraina kanë kryer gjithashtu operacione të tilla speciale," ka thënë ai.
Megjithëse vëzhguesit ndërkombëtar kanë thënë se nuk janë shkelur rregullat e OKB-së, Rumania njihet si vend që nuk i ka zbatuar sanksionet e vendosura nga OKB-ja. Embargoja u dha mundësinë shumë njerëzve të dërgonin karburant me fuçi me anë të varkave nëpërmjet Danubit. Gjatë kësaj kohe janë ndërtuar disa qindra vila luksoze në zonat kufitare.
Por pjesa më e madhe e rumunëve e konsiderojnë sulmin e Konstantineskut ndaj Ilieskut si një bllof politik. Iliesku është larguar nga pushteti nga reformisti Konstantinesku në zgjedhjet e vitit 1996, por duket se ka mundësi të fitojë përsëri postin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Konstantinesku mund të jetë duke dërguar një sinjal për komunitetin ndërkombëtar përpara zgjedhjeve të nëntorit. Disa kritikë e kanë akuzuar Ilieskun se ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq. "Akuzat ndaj Ilieskut natyrisht nuk do të rrisin kërkesën e Rumanisë për t'u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Europian," thotë Eliade Balan i gazetës së përditshme Romania Libera, "por ato duhet të shërbejnë si një paralajmërim se fitorja e tij elektorale mund të komplikojë situatën në Ballkan."
Marian Kiriak është redaktor i lajmeve në Agjencinë Media Fax në Bukuresht dhe redaktor i Politika e Jashtme, një revistë tremujore e botuar nga Shoqata e Akademikëve Rumunë.