Sllovenia Bën Hapa Përpara
Ljubljana ka bërë hapa të mëdhenj ekonomik dhe politikë pa bujë.
Sllovenia Bën Hapa Përpara
Ljubljana ka bërë hapa të mëdhenj ekonomik dhe politikë pa bujë.
Gjatë dhjetë vjetëve qysh kur Sllovenia u shkëput nga ish- Jugosllavia vendi ka qenë në rendin e ditës në dy momente: gjatë dy javëve të para të pavarësisë dhe në dy javët e fundit. Dallimi midis të dyjave nuk mund të ishte më i madh dhe tregon se sa përpara ka ecur Sllovenia.
Në qershor 1991 komuniteti ndërkombëtar vendosi të mos e njohë deklaratën për pavarësi të Sllovenisë. Për pasojë republika e vogël alpine u detyrua ta mbronte me forcat e saj integritetin territorial. Në qershor 2001 ajo shërbeu si vend takimi i Presidentit Amerikan Xhorxh Bush dhe atij Rus Vladimir Putin.
Zgjedhja nuk ishte e rastësishme. Politikisht neutrale, Sllovenia ka marrëdhënie të shkëlqyera politike, ekonomike dhe kulturore me të dy vendet dhe asnjë problem të mbetur pezull nga e kaluara.
Sllovenisë, e cila ka një popullsi rreth dy milion banorësh, i është dashur të sforcohet së tepërmi që nga momenti i shkëputjes nga ish-Jugosllavia. Para dhjetë vitesh në kronikat e lajmeve vendi paraqitej si një fushë beteje. Dy ditë pas deklarimit të pavarësisë në 25 Qershor 1991 Ushtria Popullore Jugosllave u dërgua për të shtypur trupat Sllovene dhe për të shmangur shkëputjen.
Për dhjetë ditë ndërsa ushtarët Sllovenë luftonin kundër ish-bashkëatdhetarëve të tyre dhe komuniteti evropian përpiqej intensivisht të ndërmjetësonte ndaljen e konfliktit e ardhmja e Sllovenisë ishte e paqartë. Ndoshta në mënyrë të paevitueshme imazhet që media përcillte i pasqyronin Sllovenët si një komb të guximshëm dhe të vendosur të rezistonin deri në fund.
Vendimi për shkëputje nuk ishte i lehtë për tu marrë. Për më tepër, ajo nuk shtyhej nga urrejtja për vendin të cilit i takoi për mëse 70 vjet por nga një dëshirë për tu integruar në proceset Evropiane të kohës.
Ky qëllim nuk mund të arrihej në kuadrin e Jugosllavisë. Ardhja e Sllobodan Milosheviqit në pushtet dhe synimet e tij për një Serbi të madhe si dhe paevitueshmëria e futjes së vendit në konflikt për shkak të republikave të ndryshme etnike e shpejtoi shkëputjen e Sllovenisë. Ljubljana arriti të distancohej nga shkatërrimi që do të vinte më pas dhe në të njëjtën kohë u rreshtua politikisht dhe ekonomikisht në anë të Evropës perëndimore.
Në ditët marramendëse që pasuan rënien e murit të Berlinit shumë Sllovenë shpresuan se vendi i tyre do të pritej krahëhapur nga Perëndimi dhe madje do të ftohej në institutet kryesore Euroatlantike. Por nuk ndodhi kështu. Pavarësisht nga kjo procesi i gjatë i asociimit për anëtarësi në Bashkimin Europian dhe NATO e detyruan Slloveninë të ecte vetë përpara dhe e ndihmoi për të krijuar identitetin e vet kombëtar dhe modern.
Njohja zyrtare ndërkombëtare erdhi në 15 Janar 1992 gati 7 muaj pas deklarimit të pavarësisë. Ndërkaq, Sllovenia nxorri monedhën e saj, tolarin, vlera e së cilit ka qenë e lartë në tregjet valutore për gjatë dekadës së kaluar. Me përfshirjen e Kroacisë në luftë dhe më vonë të Bosnjë Hercegovinës nuk ekzistonte më treg mallrash për biznesmënët Sllovenë të cilët filluan të shkojnë diku tjetër për të shitur mallrat e tyre.
Në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste që deklaruan pavarësinë e tyre në 1991 Sllovenia ishte e përgatitur për ta zhvilluar vetë atë.
Ekonomia e saj kishte qenë motori i ish-Jugosllavisë me të ardhura dy herë më të larta se Kroacia fqinje. Në fakt pavarësisht nga rënia e GDP në fillim të viteve 1990 ekonomia kishte patur ngritje që nga 1992 dhe Sllovenia sot ka të ardhura për frymë mbi 10.000 dollarë. Ekonomikisht ajo është në të njëjtin nivel me vendet më pak të zhvilluara të BE.
Ndonëse Sllovenia u inkuadrua në programin e NATO-s Partneritet për Paqe menjëherë sapo ai filloi të zbatohej në Mars 1994 vendi nuk arriti të blinte armatime moderne pasi si pjesë e ish- Jugosllavisë ajo mbeti nën embargon e armëve deri në nënshkrimin e marrëveshjes për paqe në Deiton në dhjetor 1995.
Sot Sllovenia është investitori kryesor në Bosnje dhe që nga rënia e Milosheviqit ka forcuar lidhjet me Serbinë. Ajo kontribuon me trupa në ooperacionet e NATO-s në Bosnje dhe Kosovë, koordinon fushatën ndaj minave në rajon dhe merr rolin e monitoruesit të zbatimit të të drejtave të minoriteteve.
Përgjatë dekadës së fundit vendi ka mbetur politikisht i stabilizuar. Milan Kucan, Presidenti i vendit është i vetmi nga tetë udhëheqësit e ish-Jugosllavisë ende në post.
Një nga artikujt e fundit të The Economist jepte një vëzhgim mbi përparimet demokratike në vendet ish-komuniste ndër të cilat Sllovenia renditej e para në fushën e zbatimit të reformave, stabiliteti dhe qeverisjes së pakorruptuar. Falë këtyre arritjeve Sllovenët shpresojnë në një anëtarësim të shpejtë në NATO dhe BE dhe që vendi i tyre të jetë në titujt e mediave për arsye të tilla.
Chris Bennett, me origjinë Sllovene kontribuon rregullisht për IWPR. Ai ka pasqyruar deklaratën e pavarësisë së Sllovenisë si dhe luftën 10 ditore në mediat Perëndimore.