Vështirësohet Pozita e Gjukanoviqit
Vendosmëria e Gjukanoviqit për të vazhduar në rrugën e tij për pavarësinë e Malit të Zi shton tensionet në Jugosllavi.
Vështirësohet Pozita e Gjukanoviqit
Vendosmëria e Gjukanoviqit për të vazhduar në rrugën e tij për pavarësinë e Malit të Zi shton tensionet në Jugosllavi.
Këmbëngulja e Presidentit Malazez Millo Gjukanoviq për pavarësi po rrezikon të krijojë një problem tjetër politik në Jugosllavi.
Ai tashmë ka kundërshtuar qeverinë e re të Beogradit dhe ka shkaktuar mungesë stabiliteti në Malin e Zi.
Koalicioni qeveritar i Malit të Zi është përçarë për shkak të këmbënguljes së Gjukanoviqit për pavarësi.
Gjatë javëve të fundit të vitit të kaluar, Partia Popullore, NS, është tërhequr nga koalicioni 'Për një Jetë më të mirë' i cili ka qenë në pushtet që prej zgjedhjeve parlamentare të pranverës së vitit 1998, duke e lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit, DPS, dhe Partinë Social Demokrate, SDP, të Zharko Rakçeviq pa një shumicë parlamentare.
Që prej zgjedhjes në muajin shtator të Presidentit Federal Jugosllav Vojisllav Koshtunica, i cili është një përkrahës i idesë së ruajtjes së federatës, NS ka vepruar më tepër si një parti e opozitës, duke bërë fushatë kundër politikës redaksionale të televizionit shtetëror të Malit të Zi - i cili është edhe baza kryesore e pushtetit të Gjukanoviqit - dhe duke bojkotuar punën për aprovimin e legjislacionit për referendumin e pavarësisë.
Autoritetet e Podgoricës nuk kanë pranuar të marrin pjesë në zgjedhjet Jugosllave pasi Sllobodan Millosheviqi ndryshoi kushtetutën e vendit duke pakësuar statusin federal të Malit të Zi dhe duke i lejuar vetes edhe një mandat të dytë në postin e presidentit. NS, e cila kishte filluar të largohej nga ideja e saj tradicionale për federatën Jugosllave gjatë viteve të fundit të sundimit të Millosheviqit, i është kthyer pozicionit të saj të vjetër kur Koshtunica morri postin e presidentit në Beograd, duke u larguar nga partnerët e saj të koalicionit dhe duke e pranuar atë si president legjitim të Jugosllavisë dhe duke vendosur marrëdhënie të mira me qeverinë e tij. Pika kulminante ka qenë kur NS nuk pranoi të ratifikonte "Platformën për Marrëdhënet e Reja me Serbinë", dokument ky i përgatitur nga kabineti i kryeministrit Malazez Filip Vujanoviq, i cili hap rrugën për pavarësi.
"Platforma nuk është legjitime sepse nuk ka mbështetjen e shumicës së popullsisë së Malit të Zi," ka thënë drejtuesi i NS-së, Dragan Soc.
Por anketimet më të fundit të opinionit publik flasin ndryshe. Mbi 50 përqind e personave të pyetur mbështesin pavarësinë, një shifër kjo më e lartë se në anketimin e mëparëshëm, dhe vetëm 30 përqind mbështesin vazhdimin e bashkimit me Serbinë. Tani pyetja kryesore që shtrohet në Podgoricë është nëse Gjukanoviq dhe koalicioni i tij i dobësuar do të arrijnë të qëndrojnë në pushtet pas largimit të NS-së. Qeveria e Podgoricës do të dëshironte të shmangte zgjedhejt e parakohëshme, të cilat mund të pakësonin energjitë e votuesve dhe të shkaktonin një pjesëmarrje të ulët të tyre në referendumin për pavarësi.
Në mënyrë që DPS dhe SDP të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet, ato kanë nevojë për mbështetjen parlamentare të pesë deputetëve të Partisë Liberale të opozitës. Për fat të tyre, megjithëse partia ka kritikuar ashpër qeverinë për vonesat në zbatimin e reformave ekonomike, platforma e saj kryesore është ajo e pavarësisë së Malit të Zi dhe zëdhënësja e partisë Vesna Peroviq ka njoftuar se partia do të mbështesë qeverinë e pakicës.
Gjukanoviqi ka në krah të tij edhe mbështetjen popullore. Anketimet tregojnë se ai është politikani më i besuar në rradhët e Malazezëve.
Por drejtuesit e opozitës, ish aleatët e Millosehviqit, të partisë Popullore Socialiste, SNP, kanë kërcënuar se do të fillojnë protestat në rrugë dhe do të bojkotojnë referendumin i cIli pritet të zhvillohet në pjesën e parë të vitit.
NS ka paralajmëruar gjithashtu se nuk do të njohë rezultatet e referendumit "nëse nuk arrihet konsensusi për sa i përket bazës ligjore dhe kushteve në të cilat do të organizohet ai".
Gjukanoviq dëshiron një njohje ndërkombëtare të veçantë për Malin e Zi dhe Serbinë. Ai mendon se dy republikat duhet të formojnë një bashkim të lirë me një ushtri të përbashkët nën komanda të veçanta, një politikë të jashtëme të përbashkët, një treg të përbashkët dhe monedhë të konvertueshme.
Koshtunica pranon se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, të cilat kanë mbijetuar nga një bashkim federal i krijuar nga Josip Broz Tito pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duhet të ristrukturohen, por thotë se ky bashkim duhet të vazhdojë. "Federata e tanishme Jugosllave ka një problem në ndërtimin e saj," ka thënë ai në një intervistë për të përditëshmen e Beogradit Blic. Por ai është kundër ndarjes së federatës në dy shtete të veçanta të njohura ndërkombëtarisht.
Ai ka kërkuar ngadalësimin e hapave të Malit të Zi drejt pavarësisë, dhe ka thënë se për vitin 2001 do të ketë prioritet ruajtja e paprekur e federatës. "Unë jam president I një shteti federal të cilin dikush po përpiqet ta shkatërrojë me çdo kusht," ka thënë ai kohët e fundit.
Bisedimet për marrëdhëniet ardhëshme ndërmjet dy republikave duhet të "përfshijnë të gjitha interesat e elektoratit," thotë Koshtunica, i cili po përpiqet të sigurojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha forcave politike në të dyja republikat. "Kjo është e vetmja mënyrë demokratike. Të gjitha mënyrat e tjera do të përbënin një fyerje për demokracinë dhe politikën racionale."
Gjukanoviq ka vizituar për herë të parë Beogradin pas dy vjetësh në ditën e Krishtlindjeve, kur morri pjesë në një mbledhje të Këshillit Suprem të Mbrojtjes dhe ka patur bisedime edhe me Koshtunicën.
Por në një intervistë me gazetën e përditëshme pro-qeveritare Pobjeda, Gjukanoviq ka akuzuar drejtuesin e ri të Jugosllavisëse ende mendon të dominojë republikën e tij të vogël dhe se nuk është i përgatitur për bisedime mbi të ardhmen e federatës Jugosllave.
"Ne kishim shpresuar të gjenim një zgjidhje dhe synim të përbashkët me autoritetet e reja Serbe. Do të tregohem i hapur dhe cinik: duke gjykuar nga deklarimet e Koshtunicës duket se një synim i përbashkët për të do të thotë dëshira për të qeverisur Malin e Zi," ka thënë ai. "Ne dëshirojmë të qeverisim shtetin tonë, por Koshtunica ka dëshirë të qeverisë në shtetin tonë. Unë shtroj pyetjen, kush është i interesuar këtu për pushtet."
Beogradi "ka një ndjenjë të një të drejte atërore për të diktuar Malit të Zi se çfarë është më mirë për të," ka shtuar Gjukanoviqi.
Koshtunica ka mbështetjen e pjesës më të madhe të drejtuesve të Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, e cila tani kontrollon si parlamentin Jugosllav ashtu edhe atë Serb. Koshtunica mbështetet edhe nga miku i dikurshëm i Gjukanoviqit, Zoran Gjingjiq, drejtuesi i Partisë Demokratike i cili shumë shpejt do të bëjë betimin si Kryeministër i Serbisë.
Gjingjiq u afrua me Gjukanoviqin në vitin 1999 kur ai kaloi disa muaj në Mal të Zi gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj Beogradit.
Gjingjiq ka thënë për revistën Gjermane Spiegel se ai është kundër një referendumi për pavarësinë e Malit të Zi dhe e ka quajtur Platformën Malazeze si "një propozim të papranueshëm" - duke tradhëtuar kështu ish mikun e tij.
Milka Tadiq është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.