KOMENT: SHTYPI I PAVARUR NË SHQIPËRI NËN PRESION

Qeveria pothuajse në mënyrë të vazhdueshme ngre padi ligjore ndaj botuesve, gazetarëve dhe grupimeve civile.

KOMENT: SHTYPI I PAVARUR NË SHQIPËRI NËN PRESION

Qeveria pothuajse në mënyrë të vazhdueshme ngre padi ligjore ndaj botuesve, gazetarëve dhe grupimeve civile.

Monday, 21 February, 2005

Katërmbëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit, media e pavarur në Shqipëri gjendet ende në vështirësi në një ambjent ekonomik kaotik dhe përballet me presione në rritje nga qeveria socialiste e drejtuar nga Fatos Nano.

Pasi kriza e vitit 1997 e shkaktuar nga shkatërrimi i të ashtuquajturave skema piramidale bankare solli rrëzimin e qeverisë së djathtë në Shqipëri, shumë kanë shpresuar se qeveria e re socialiste nuk do të ushtronte presion mbi shtypin dhe shoqërinë civile.

Në fakt, vetëm në tre vjetët e fundit gjatë shtatë vjetëve të qeverisjes së majtë, është shtuar presioni mbi mediat.

Tani qeveria e koalicionit e drejtuar nga Nano po ngre vazhdimisht padi gjyqësore ndaj botuesve, gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Shumica e këtyre padive gjyqësore ka pasuar martesën e Nanos dy vjet më parë me një vajzë të re shqiptare e cila është kthyer nga emigracioni në Greqi, dhe është shndërruar në një nga gratë më të fuqishme të biznesit në Shqipëri, duke kontrolluar pjesë të rëndësishme në industritë e turizmit, atë ushqimore dhe në mediat e vendit.

Gazetat të cilat shkruajnë për bizneset e Xhoana Nanos shpesh përballen me gjykatësit.

Javën e kaluar, rreth 200 gazetarë, përfshirë drejtues të njohur të emisioneve televizive, gazetarë të mediave të shkruara dhe folës të emisioneve televizive, kanë protestuar përpara ndërtesës së zyrës së kryeministrit, duke kërkuar ndryshimin e qëndrimit të qeverisë ndaj medias.

Protestuesit kanë ndërtuar një piramidë simbolike me ekrane televizioni, aparate radioje dhe gazeta, të cilat janë vendosur mbi njëra tjetrën dhe shtrënguar me zinxhirë. Kjo sipas tyre simbolizon përpjekjen e qeverisë për të ngushtuar lirinë e shtypit.

Protesta ka pasuar një sërë cështjesh gjyqësore të nisura ndaj gazetarëve, më e fundit ajo e ngritur në mes të muajit maj ndaj Nikollë Lesit, botues i gazetës së pavarur Koha Jonë.

Më parë këtë vit, kjo gazetë e ka vendosur në një pozicion të sikletshëm qeverinë duke botuar në faqen e saj të parë një kopje të vendimit të qeverisë me anë të të cilit shpërbleheshin me nga pesë rroga mujore kryeministri dhe stafi i tij i ngushtë. Ky shpërblim ka pasuarshitjen e suksesëshme të një banke një investitori të huaj.

Meqënëse ligji lejon shpërblimin prej vetëm tre rroga mujore në vit, ky lajm ka zemëruar autoritetet.

Por presioni i drejtpërdrejtë nga gjykatat është vetëm një prej formave të presionit me të cilat përballet media shqiptare. Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike, mbijetesa e 20 gazetave ditore, të cilat të gjitha së bashku shesin vetëm 60,000 kopje, në një popullsi prej 3 milion banorë, është një sfidë e përherëshme.

Shumë prej këtyre gazetave mbijetojnë vetëm në saj të reklamave që përfitojnë nga kompanitë shtetërore, si Albtelecom dhe Korporata Energjitike Shqiptare. Meqënëse këto kompani kanë monopol në tregun e tyre, gjë e cila nuk kërkon ndonjë reklamë, në realitet ofrimi i reklamave është një karrotë – apo një shkop – të cilin qeveria e përdor në marrëdhëniet e saj me median për të siguruar një mbulim pozitiv të ngjarjeve nga ana e tyre.

Kritikat nga jashtë për këtë presion të fshehtë të qeverisë mbi mediat kanë qenë krejtësisht minimale. Mbështetja e fuqishme e Shqipërisë për “luftën ndaj terrorizmit” të drejtuar nga SHBA i ka siguruar qeverisë heshtjen e Uashingtonit për këtë cështje, ndërsa përfaqësuesit e BE-së në vend kanë qenë pothuajse njësoj të heshtur, ndoshta duke mos parë ndonjë përmirësim pas kritikave të mëparëshme ndaj politikës së qeverisë ndaj shtypit.

Në një zhvillim më pozitiv, një koalicion ndërmjet mediave të pavarura dhe aktivistëve të shoqërisë civile për ti rezistuar presioneve të këtij lloji po forcohet dita ditës. Protestat të cilat kanë qenë rezultat i një bashkëpunimi të tillë të ngushtë kanë siguruar dorëheqjen e një ministri të brendëshëm pasi kishte qëlluar me grusht një gazetar tetorin e kaluar.

Për këtë arësye, qeveria do të duhet të ketë kujdes. Nëse ajo nuk heq dorë nga qëndrimet e saj ndaj mediave, ajo mund të përballet me më tepër probleme gjatë verës.

Erion Veliaj është një anëtar i MJAFT!, një lëvizje civile e cila synon të sensibilizojë popullsinë për problemet sociale.

Albania
Frontline Updates
Support local journalists