Një Detektiv Ofron Shpresë për të Burgosurit e Luftës së Kosovës
Një detektiv Serb premton të kalojë pengesat në shkëmbimin e të burgosurve Kosovarë.
Një Detektiv Ofron Shpresë për të Burgosurit e Luftës së Kosovës
Një detektiv Serb premton të kalojë pengesat në shkëmbimin e të burgosurve Kosovarë.
Një vit pas ndërhyrjes së NATO-s në krizën e Kosovës, ka akoma mijëra njerëz të cilët mbahen të burgosur në Serbi, Kosovë dhe vende të tjera. Vetëm pak prej tyre kanë shpresë për tu liruara së shpejti.
Sipas kushteve të Konventës së Gjenevës, të gjithë të burgosurit e luftës duhet të lirohen menjëherë pas përfundimit të luftimeve. Megjithatë, procedurat burokratike dhe faktorë të tjerë kanë bërë që problemi i tyre në Kosovë të mbetet në vend.
Komplikimi kryesor është fakti nëse konflikti ishte i një natyre ndërkombëtare, apo një çështje e brendëshme e Jugosllavisë. Autoritetet Jugosllave thonë se kjo ka qenë një çështje e brendëshme e Jugosllavisë dhe jo një konflikt ndërkombëtar. Pra, argumentojnë ata, konventa e Gjenevës nuk mund të veprojë në këtë rast. Komuniteti ndërkombëtar nuk është dakort dhe thotë që konventa duhet të veprojë.
Megjithatë, kur NATO nënshkroi marrëveshjen e Kumanovës me ushtarakët Jugosllavë përpara tërheqjes së tyre nga Kosova, ata nuk e kanë përfshirë lirimin e të burgosurve në këtë dokument.
Si rezultat, agjensitë ndërkombëtare të cilat normalisht veprojnë në këto raste janë gjendur në një pozicion të vështirë.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, për shembull, argumenton se megjithëse ai viziton këta njerëz ai nuk mund të kërkojë lirimin e të burgosurve sepse Kosova është akoma pjesë e Jugosllavisë dhe jo një shtet i pavarur.
Në të njëjtën kohë, Beogradi po anashkalon problemin duke akuzuar shumë prej tyre me akuza civile, dhe kryesisht me akuza për "terrorizëm". Në bazë të Konventës së Gjenevës çdo person i akuzuar me një akuzë civile mund të mbahet akoma në burg.
Megjithatë, pavarësisht këtij bllokimi, disa po lirohen. Lirimi më i fundit është ai i gjashtë personave. Tre Serbë, dhe tre Shqiptarë të Kosovës.
Shkëmbimi i tyre është bërë në fshehtësi. Serbët, nga Rahoveci, janë liruar në Orazje të Malit të Zi. Shqiptarët, të grumbulluar gjatë sulmeve ajrore të NATO-s, janë dorëzuar në një kamp të NATO-s - Merdari - më 29 Janar.
Njeriu që ka arritur këtë marrëveshje, Zhivorad Jovanoviq, i cili ka një agjensi detektivësh të quajtur OZNA, thotë se lirime të tjera po përgatiten.
I njohur gjithashtu edhe me emrin Zika Beli, Jovanoviq ka qenë më parë inspektor policie. Nje njeri me sa duket me reputacion të mirë në Kragujevac, ku OZNA ka qendrën e saj. Jovanoviq thotë se ai bashkëpunon me Qendrën për Paqe në Ballkan, e cila shpërndan informacione për aktivitetin e tij Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, KFOR-it, dhe qeverisë Shqiptare.
Në faqen e internetit të OZNA-s (www.ozna.co.yu) thuhet, "zbulon gjithshka" dhe është e specializuar në gjetjen e njerëzve të humbur. Aty jepen gjithashtu edhe detaje të disa sukseseve të saj.
Jovanoviq merr përsipër edhe detyra të tjera si sigurim të përgjithëshëm, survejim, dhe hetime private. Shërbimet shtesë përfshijnë transportimin e sasive të mëdha parash, si ajo e transferaur nga Kosova prej 3 milionë dollarësh si pjesë e një marrëveshjeje për shitjen e një prone atje.
Pjesa dërrmuese e të burgosurve janë burra Shqiptarë të Kosovës, të arrestuar në prag të konfliktit apo gjatë bombardimeve të NATO-s. Por edhe grupe Serbësh mendohet të mbahen të burgosur në kosovë apo edhe në Shqipërinë fqinje.
Shifrat shkojnë nga 2,000 deri në 70,000, megjithëse shumë aktivistë të të drejtave të njeriut mendojnë se numri i tyre është rreth 3,000. Disa nga të burgosurit Shqiptarë kanë qenë në Serbi, por një pjesë tjetër janë transferuar me nxitim nga burgjet e Kosovës gjatë tërheqjes së trupave Jugosllave nga provinca.
Ata janë luftëtarë nga të dyja palët në konflikt por edhe shumë civilë, përfshirë këtu edhe disa që thuhet të jenë rrëmbyer nga forcat Serbe ndërsa ata largoheshin nga provinca një vit më parë.
Shumë prej tyre nuk kanë të qartë as edhe akuzat për të cilat mbahen të burgosur. Megjithatë, nën presionin ndërkombëtar gjykatat Serbe po shqyrtojnë me shpejtësi dhjetra raste - një proces ligjor i cili sipas vëzhguesve të huaj është në kundërshtim me shumë procedura të të drejtave të njeriut.
Kur është nënshkruar marrëveshja e Kumanovës, një vit më parë- e cila siguroi tërheqjen e forcave Jugosllave nga Kosova dhe mbërritjen e trupave të NATO-s, çështja e lirimit të të burgosurve është anashkaluar për shkak të presionit të madh për të arritur nënshkrimin e marrëveshjes me çdo kusht.
Burime të NATO-s janë cituar të kenë thënë se lirimi i të burgosurve ka qenë i përfshirë në draftin origjinal të dokumentit të Kumanovës por është hequr kur oficerët e ushtrisë Jugosllave thanë se kjo çështje nuk u përkiste atyre për ta diskutuar.
Ishte më e rëndësishme tu jepej Serbëve një dokument që ata mund ta nënshkruanin se sa të diskutohej rreth çështjes së të burgosurve, ka thënë një zyrtar Amerikan.
Megjithatë, kjo çështje akoma nuk është konsideruar me vëmendjen e duhur, megjithëse prek shumë familje dhe njerëz.
Më të prekurit janë vetë të burgosurit. Pjesa më e madhe e tyre dergjen në burgjet Serbe ku ekzistojnë prova të mjaftueshme se keqtrajtohen. Shumë prej tyre u ndalohet e drejta për të pasur avokat. Një grup i mbajtur në Nish, nuk është lejuar të marrë avokat sepse nuk kanë dokumenta identifikimi.
Avokati Shqiptar i vendosur në Beograd, Hysni Bytyqi, thotë se ai nuk lejohet të takojë klientët e tij Shqiptarë në burgun e Sremska Mitrovica. Në një rast ai nuk është lejuar pesë herë rradhazi për të takuar 12 klientë të tij.
"Roja nuk më lejoi të futesha pa më dhën mundësinë të flisja as edhe me ndonjë nga autoritetet," thotë Bytyqi.
Akoma edhe më shqetësuese, ka raste kur avokatët Serbë u bëjnë presion klientëve që familjet e tyre në Kosovë të paguajnë shuma të mëdha. Në Podujevë, pranë kufirit të provincës me Serbinë vepron një "treg të burgosurish" jo zyrtar.
OZNA thotë se një Shqiptar, Driza Meriti ka shkuar dhe u ka ofruar 20,000 marka Gjermane për ta ndihmuar të gjejë dhe ta lirojnë djalin e tij i cili mbahej i burgosur diku në Serbi.
Meriti ka deklaruar se ai mund të ndihmonte në gjetjen e disa Serbëve të humbur që në muajin Tetor. Sipas drejtuesit të OZNA-s, ai ka ofruar dhjetë Serbë në këmbim të djalit të tij.
Jovanoviq thotë se agjensia nuk pranon shkëmbimin e njerëzve të rrëmbyer pas datës 1 Shtator 1999. Kjo për të parandaluar rrëmbimet e mëtejshme.
Është e qartë se lirimet e arritura nga OZNA nuk do të ishin bërë pa dijeninë e qeverisë Serbe dhe gjykatave ushtarake të Ushtrisë Jugosllave.
Ka mundësi që regjimi nuk dëshiron që publiku të dijë se ai po bashkëpunon me Shqiptarët e Kosovës. Për këtë arësye, ka vendosur të fshihet pas një agjensie private detektivësh.
Reagimet ndaj këtyre ngjarjeve janë të ndryshme.
Disa avokatë në Beograd thonë se është e qartë se lirimet janë arritur "jashtë kuadrit ligjor".
Një nga partitë opozitare Serbe, Alternativa Demokratike (DA), thotë se nuk është e qartë nëse Shqiptarët e liruar kanë qenë "fajtorë" për ndonjë krim, nëse ka qenë kështu, kush i ka liruar.
Tre Shqiptarët janë mbajtur të burgosur gjatë konfliktit në Kosovë dhe janë dënuar me 12 deri 14 muaj burgim. Dy prej tyre kanë kryer dënimin në burgun e Pozharevacit dhe tjetri në Sremska Mitrovica.
Serbët e liruar ishin rrëmbyer nga anëtarë të UCK-së, pasi NATO-ja kishte ndaluar sulmet e saj ajrore dhe kishte filluar tërheqja e ushtrisë dhe policisë Serbe nga Kosova.
Mendohet se ata janë mbajtur në një burg privat në afërsi të Kamenicës.
Këto burgje drejtohen akoma nga UCK-ja, pavarësisht nga prezenca e trupave të KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut - pasuesit zyrtar të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.
Natyrisht, kjo nuk është hera e parë që Jugosllavët dhe Shqiptarët kanë shkëmbyer të burgosur. Disa marrëveshje të ngjashme janë arritur edhe gjatë muajve përpara shpërthimit të konfliktit dhe ndërhyrjes së NATO-s.
Në fillim të vitit 1999, pala Jugosllave i ka kërkuar fshehurazi OSBE-së të ndërmjetësojë për lirimin e tetë ushtarëve të rrëmbyer nga UCK-ja.
Megjithëse Beogradi insiston se ky ishte një lirim pa kushte, nëntë anëtarë të UCK-së janë shkëmbyer me këta tetë ushtarë Jugosllavë.
Numri i saktë i Serbëve që mbahen të burgosur nga Shqiptarët nuk dihet. Në Musutiste, pranë Suharekës, 160 Serbë janë burgosur, megjithëse mendohet se ata janë dërguar diku tjetër përpara mbërritjes së trupave të KFOR-it.
Sipas OZNA-s, në Shqipëri ndodhen tre burgje ku mbahen Serbë. Ato gjenden në Kukës, Tropojë dhe Has.
Të gjithë të burgosurit mund të ngushëllohen me faktin që këto shkëmbime do të vazhdojnë, megjithëse ajo janë jashtë kuadrit ligjor.
Milenko Vasoviq është një gazetar i së përditëshmes Blic në Beograd.