Millosheviç i Trembet Drejtësisë
Ish presidenti Sllobodan Millosheviç është shndërruar praktikisht në një të burgosur në shtëpinë e tij
Millosheviç i Trembet Drejtësisë
Ish presidenti Sllobodan Millosheviç është shndërruar praktikisht në një të burgosur në shtëpinë e tij
Disa ditë pas rënies së Sllobodan Millosheviçit, një grup prej disa qindra studentësh, kryesisht anëtarë të lëvizjes Otpor, i bënë atij një vizitë.
Disa altoparlantë të mëdhenj të vendosur mbi kamionë shpërndanin tinguj të muzikës tekno, ndërsa studentët kërcënin përgjatë rrugës Uzicka, në Dedinje - lagja e quajtur si 'qyteti i ndaluar' nga opozita - pranë shtëpisë së Millosheviçit. Ata u ndaluan disa qindra metra larg shtëpisë së ish presidentit nga një kordon i forcave speciale të policisë.
Studentët nuk e dinin në atë kohë, por afrimi i tyre shkaktoi panik tek Millosheviçi. Ai ishte shqetësuar aq shumë saqë ka telefonuar shefit të shtabit të ushtrisë për të marrë vesh nëse ai kishte ende të drejtë për mbrojtje nga shteti.
Vila e Millosheviçit, një nga rezidencat e Titos, është e mbrojtur nga shumëpolicë dhe njerëz të shërbimeve sekrete shtetërore. Njësi të tjera speciale janë vendosur aty pranë, të gatëshme për të evakuar atë në rastin më të parë të rrezikut.
Millosheviç është shumë i shqetësuar për sigurinë e tij dhe sipas burimeve nga DOS, gjatë një takimi me Koshtunicën për të diskutuar rreth së ardhmes së Kosovës dhe çështjeve të tjera, ish presidenti Jugosllav ka kërkuar garanci për sigurinë nga pasardhësi i tij.
Millosheviçi jeton si një i burgosur. Ai mban kontakte me një numër të vogël njerëzish më të afërt të tij. Vizitorë të shpeshtë të tij janë ish zëvendës presidenti i qeverisë federale, Nikola Sainoviç, i cili është akuzuar si edhe vetë Millosheviçi nga Gjykata e Hagës, si dhe Zoran Anxhelkoviç, zëvendës presidenti i SPS-së.
Por këto vizita janë të rralla sepse pjesa më e madhe e zyrtarëve të lartë të SPS-së tanimë janë fshehur. Dy nga njerëzit më të afërt të tij, Gorica Gajeviç dhe Dragan Tomiç nuk janë parë prej javësh në publik.
Ish dora e fortë e Ballkanit dhe bashkëpuëntorët e tij kanë arësye të kenë frikë.
Politikat e ish presidentit gjatë dekadës së fundit kanë çuar në një gjendje të mjeruar ekonomike dhe kanë shtuar vuajtjet e njerëzve, duke bërë që shumë prej tyre të ushqejnë urrejtje. Shumica e Serbëve dëshirojnë që ai të dënohet për vuajtjet që u ka shkaktuar atyre, por ka pa dyshim edhe prej atyre që do të donin ta bënin vetë drejtësinë.
Ata që kanë vuajtur nga forcat e Millosheviçit gjatë luftërave të Jugosllavisë me siguri qëkërkojnë hakmarrje. "Cdo Boshnjak që e vret atë do të bëhej një hero kombëtar," ka thënë një zyrtar i lartë i Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, për IWPR-në. Vrasës të tjerë të mundëshëm mund të jenë ish bashkëpunëtorët e tij të cilët kanë frikë se ai mund të dëshmojë kundër tyre nëse esktradohet në gjykatën ndërkombëtare.
Frika e Millosheviçit është shtuar ndoshta pas kërkesave të përsëritura të DOS-it për largimin e forcave të sigurimit nga shtëpia e ish presidentit dhe sinjalet jo të qarta të qeverisë së re për ekstradimin e mundëshëm të tij në Hagë.
Opinioni publik Serb po arrin në mendimin se Millosheviç duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftërave. Megjtihatë, dukest se autoritetet ende nuk kane vendosur.
Koshtunica ka shprehur dëshirën e tij për të bashkëpunuar me Hagën "deri në atë shkallë që lejojnë ligjet tona dhe në një mënyrë që të mos fyejmë dinjitetin tonë kombëtar". Në një koment të botuar të Shtunën e kaluar në të përditëshmen e Beogradit Glas Javnosti, presidenti Jugosllav ka theksuar pengesat kushtetuese të cilat nuk lejojnë ekstradimin e të akuzuarve për krime lufte në Hagë.
Megjtihatë, ministri federal i drejtësisë Momçillo Grubac e ka kundërshtuar atë më vonë duke thënë se pengesat kushtetuese nuk kanë veprim sepse gjykata ndërkombëtare është një organizëm i Kombeve të Bashkuara. Vetë Koshtunica ka lënë të kuptohet se ndoshta mund të ndryshojë mendim pasi ka ranuar të takohet me Kryeprokuroren e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte.
Por ndërsa autoritetet janë të pavendosura për fatin e Millosheviçit, ato duket se po përpiqen ta bëjnë pozicionin e tij sa më të vështirë.
Millosheviç kohët e fundit ka kryer një rikonstruksion të madh në shtëpinë e tij në Dedinje. Ai e ka blerë atë për një çmim qesharak gjatë periudhës së inflacionit në vitin 1993, në kohën që ka qenë në kulmin e pushtetit të tij.
Kur inspektorët bashkiak panë se ai nuk kishte marrë leje për punimet që po kryheshin, ata shkuan për ta takuar të ndjekur nga një grup i madh gazetarësh. Incidenti ka qenë një sensacion për median.
Për opinionin ndërkombëtar, kjo mund të jetë dukur si një përpjkje patetike për të ndjekur penalisht Millsoheviçin, por vetë fakti që ai po vendosej përpara përgjegjësisë për një diçka kaq banale sa shkelja e rregullave të ndërtimit është një diçka e madhe në Serbi.
Millosheviç është përballur edhe me probleme të tjera. Autoritetet Kineze kanë refuzuar t'i japin vizë hyrje djalit të tij, vëllai ka humbur punën si ambasador i Jugosllavisë në Moskë dhe Gjyakta e Hagës ka nisur një hetim mbi çështjet e tij financiare.
Të gjitha këto janë padyshim tepër fyese për një njeri i cili deri pak kohë më parë e konsideronte veten si të pathyeshëm.
Dragana Nikoliç është një bashkëpuëntore e rregullt e IWPR-së.