ANALIZË: Hakmarrja e Millosheviqit
Sllobodan Millosheviq kërkon te marrë hak ndaj Serbisë për turpërimin që i ka bërë ajo atij dhe familjes së tij.
ANALIZË: Hakmarrja e Millosheviqit
Sllobodan Millosheviq kërkon te marrë hak ndaj Serbisë për turpërimin që i ka bërë ajo atij dhe familjes së tij.
Në fillim të gjyqit ndaj tij, Sllobodan Millosheviq ka deklaruar se misioni i tij është të "shkatërrojë gjykatën" dhe të "tregojë përgjegjësinë" e politikanëve perëndimorë dhe qeverive të këtyre vendeve për shkatërrimin e federatës Jugosllave dhe krimet e kryera ndaj Jugosllavisë së tanishme, dhe vecanërisht Serbisë, gjatë këtij procesi.
Vetëm pas 22 ditësh dhe dëshmive të 20 dëshmitarëve, është ende herët të vlerësohet suksesi i Millosheviqit në misionin e tij. Por nuk është shumë shpejt të vërehet suksesi i tij në një përpjekje tjetër, megjithëse ai nuk e ka shpallur kurrë publikisht këtë synim.
Synimi i tij i fundit është të marrë hak ndaj Serbisë nga qelia e tij në Hagë dhe të përpiqet ta shndërrojë atë në një shtet të ngjashëm me atë që ka qenë gjatë 13 vjetëve të pushtetit të tij. Millosheviq ka vetëm një bashkëpunëtor në këtë mision, gruan e tij Mira Markoviq.
Palët e tjera të cilat e mbrojnë atë në Serbi, si Partia Socialiste e Serbisë dhe Shoqata e Lirisë, dhe ata që punojnë jashtë vendit, si Komiteti Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Sllobodan Millosheviqit, ICDSM, janë thjesht ndihmës të pavullnetshëm në fushatën e Sllobos dhe Mirës.
Cifti ka shumë arësye për misionin e tyre sekret. Lista e tyre fillon me "tradhëtimin" nga elektorati në zgjedhjet presidenciale të Shtatorit 2000; rrëzimin e Millosheviqit nga revolucioni i rrugës më 5 Tetor, 2000; arrestimin dhe burgosjen e tij në Beograd nga Prilli deri në Qershor 2001; dhe transferimin e tij të shpejtë në Hagë më 28 Qershor, 2001.
Më në fund, megjithëse jo pak e rëndësishme është edhe "trajtimi turpërues" i anëtarëve më të ngushtë të familjes së Millosheviqit - gruas së tij Mira, vajzës Marija dhe djalit Marko - për të cilën ai është ankuar edhe në fjalën e hapjes në fillim të gjyqit.
Nga fjala e tij në gjyq, mund të zbulohen tre objektiva kryesore të fushatës hakmarrëse të Millosheviqit. E para është të krijojë konflikte në Serbi dukë përcarë njerëzit në "patriotë" dhe "lakenj të perëndimit".
Ai nuk ka humbur asnjëherë rastin të përshkruajë koalicionin qeveritar në Serbi, i cili e dërgoi atë në Hagë, si një shërbëtore të qeverive perëndimore dhe projekteve të tyre për të "vendosur dominim në Ballkan", gjë të cilën, ai si një patriot e ka kundërshtuar. Millosheviq thotë se ai është rrëzuar nga pushteti nga vetë këto qeveri (dhe jo nga votuesit Serbë".
Suksesi i pjesëshëm i Millosheviqit në arritjen e këtij objektivi të parë është i dukshëm, ndërmjet gjërave të tjera, në marrëdhëniet e tendosura ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë për shkak të afatit Amerikan për vendosjen e "bashkëpunimit të plotë" të Serbisë me gjykatën. SHBA ka vendosur një afat të caktuar për transferimin e personave të akuzuar për krime lufte, dhe ka kushtëzuar ndihmën financiare Amerikane për Serbinë.
Vitin e kaluar, ndihma Amerikane ka qenë e kushtëzuar me arrestimin e Millosheviqit brenda afatit të 31 Marsit. Ky afat është përmbushur dhe ai është ekstraduar në Hagë disa ditë përpara afatit të dytë, duke përmbushur kështu kushtin e Uashingtonit, për pjesëmarrjen e tij në Konferencën e Donatorëve për Jugosllavinë në Bruksel.
Afati më i fundit Amerikan ka skaduar pa pasur asnjë veprim nga Beogradi dhe ndihma financiare Amerikane është bllokuar. Arrestimet e pritëshme dhe ekstradimet nuk kanë ndodhur pikërisht sepse kryeministri Serb Zoran Gjingjiq (në ndryshim nga viti i kaluar, kur ka urdhëruar arrestimin e Millosheviqit dhe transferimin e tij në gjykatë) nuk ka dashur të konsiderohet si i vetmi "tradhëtar" apo "lake i Perëndimit", por ka ngulur këmbë që edhe presidenti "patriot" i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, të marrë pjesën e tij të përgjegjësive.
Gjingjiq duket se ka pasur sukses sepse "patriotët" të cilët rrethojnë Presidentin Koshtunica kanë pranuar tani të miratojnë me urgjencë një ligj i cili rregullon tranferimin e personave të akuzuar për në gjykatë.
Objektivi i dytë i misionit të Millosheviqit është të shkaktojë mosmarrëveshje ndërmjet Serbisë dhe vendeve të saj fqinje, duke bllokuar kështu pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, vecanërisht me Bosnjen dhe Kroacinë. Kosova është një rast i vecantë. Marrëdhëniet e ftohta Shqiptaro - Serbe kanë filluar kohë më parë se krimet e kryera në vitet 1998 dhe 1999 dhe ardhjes në pushtet të Millosheviqit.
Millosheviqi ka arritur me sukses të shkatërojë cdo shpresë për pajtim - nëse ekzistonte ndonjë - duke i paraqitur Shqiptarët si "terroristë", "vrasës patologjik", anëtarë të mafias së drogës, "kontrabandistë" të armëve, drogës dhe cigareve dhe duke përbuzur kulturën, traditat dhe fenë e tyre. Cdo gjë që thotë Millosheviqi në Hagë përbën një konfirmim për Shqiptarët se e ardhmja e tyre nuk është më me Serbinë.
Fitoret modeste të arritura deri më tani në fushën e pajtimit të Serbisë me Kroacinë dhe Bosnjen do të përballen me një sprovë të fuqishme kur të vijë rradha e paraqitjes së provave për krimet e kryera në këto vende. Millosheviq ka lënë tashmë të kuptohet në deklaratën e tij të hapjes së ai do të mbrojë veten e tij kundër akuzave për genocid në Bosnje dhe krimet kundër njerëzimit në Kroaci duke fajësuar për cdo gjë "fondamentalistët Islamik" në Bosnje dhe "Ustashët" (Fashistët e Luftës së Dytë Botërore) në Kroaci - dhe duke thënë se këto lëvizje po përgatisin një "gënocid të ri" ndaj Serbëve.
Një mbrojtje e tillë jo vetëm që do të hapë plagët e vjetra të cilat sapo kanë filluar të shërohen, dhe do të fyejnë rëndë viktimat, por edhe do të rilindin mitin e pafajësisë Serbe dhe viktimizimit të tyre, dukë e vështirësuar edhe më tepër procesin e përballjes me të kaluarën dhe pranimin e përgjegjësive për krimet e kryera në emrin e tyre.
Objektivi i tretë i misionit të Millosheviqit është të nisë konflikte të reja ndërmjet Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar, duke e kthyer atë në gjendjen e izolimit në të cilën ajo ka qenë gjatë pjesës më të madhe të sundimit të tij. Millosheviq ka punuar shumë në këtë drejtim që ditën që doli për herë të parë në gjyq, kur ai e paraqiti veten dhe "popullin e tij" si viktima të një komploti ndërkombëtar të cilin, përvec NATO-s dhe vendeve të saj anëtare, të drejtuara nga SHBA, Gjermania dhe Britania, e kanë mbështetur edhe Kombet e Bashkuara.
Millosheviq ka rregulluar imazhin e tij paranoiak për botën sipas tendencave të tanishme. Pas 11 Shtatorit, ai sulmon jo vetëm globalizimin si "kolonializmin e ri" (i cili komploton kundër Serbisë dhe atij" por edhe ka denigruar "terrorizmin ndërkombëtar" i cili sipas tij bashkon ish presidentin Amerikan, Bill Clinton, Osama bin Laden dhe Al-Qaedan, "fondamentalistët Islamik" në Bosnje, "terroristët Shqiptarë" në Kosovë, dhe spiunët Gjermanë dhe shërbimet e tjera sekrete.
Këto teori komplotiste mund të shkaktojnë të qeshura në median perëndimore dhe në sallën e gjyqit në Hagë (shih komentet e Ashdoën në Të Rejat nga Gjykata Nr. 258), por ato kanë efekt të ndjeshëm ndërmjet disa prej ish votuesve të ish presidentit. Shpesh në Beograd thuhet se Serbët kanë qenë viktimat më të mëdha të Millosheviqit. Kjo nuk është e vërtetë, të paktën akoma jo. Por ai po punon me të gjitha forcat për t'ia arritur këtij qëllimi, i etur për hakmarrje për turpin e shkaktuar ndaj tij dhe familjes së tij nga "ky komb mosmirënjohës" pas Shtatorit të vitit 2000.
Mirko Klarin është redactor i vjetër i IËPR-së në gjykatën e krimeve të luftës dhe kryeredaktor i agjensisë së lajmeve SENSE.