Koment: Kërcënimet i Mbyllin Gojën Medias në Prishtinë

Kërcënimet politike dhe mafioze po i detyrojnë gazetarët në Kosovë të ushtrojnë vetë-censurë

Koment: Kërcënimet i Mbyllin Gojën Medias në Prishtinë

Kërcënimet politike dhe mafioze po i detyrojnë gazetarët në Kosovë të ushtrojnë vetë-censurë

Tuesday, 6 February, 2001

Në vjeshtën e vitit 1999, të gjithë në Prishtinë flisnin për shpërthimin e kriminalitetit dhe korrupsionit në Kosovë.


Ka pasur tregime të shumta për dhunën politike dhe mafioze, por historitë e pengmarrjeve, kërcënimeve dhe vrasjeve asnjë herë nuk janë botuar nëpër gazeta apo transmetuar në median elektronike.


Unë kam pyetur disa gazetarë vendas për arësyet e kësaj gjendjeje. Kjo gjë i nxiti ata të japin edhe më shumë hollësi dhe të dhëna për krimie dhe korrupsion, si edhe emrat dhe biografitë e gangsterëve kryesorë.


Unë i pyeta se përse nuk i shkruajnë këto nëpër gazeta kur kanë kaq shumë informacion. Gjithnjë mora të njëjtën përgjigje.


Ata shihnin të shqetësuar përreth, duke pirë makiatot e tyre, dhe më thanë se ata dhe redaktorët e tyre nuk do të botonin kurrë këto gjëra sepse ishin me tepër "rrezik".


Pas 45 vjet komunizëm dhe dhjetë vjet të sundimit represiv të Beogradit, gazetarët Kosovarë kanë rifilluar punë në Qershor të vitit 1999 me shpresën se ata do të ishin në gjendje të ushtronin profesionin e tyre për herë të parë lirshëm.


Për fat të keq, shumë shpejt u bë e qartë se pjesa më e madhe e shoqërisë në Kosovë, veçanërisht biznesi, grupet politike dhe kriminale, nuk kanë interes për krijimin e një shtypi të lirë. Ata e konsiderojnë njoftimin e realitetit të Kosovës së pas-luftës si një kërcënim të mundëshëm për fitimet dhe pushtetin e tyre. Ata kanë filluar të përdorin kërcënime të hapura dhe të fshehta për t'i mbyllur gojën shtypit.


Si rezultat, media, në një masë të madhe, ka filluar të ushtrojë një auto-censurë gjatë këtyre 18 muajve, ndërsa gazetarët dhe redaktorët injorojnë disa nga çështjet dhe problemet më akute me të cilat përballet Kosova.


Gjatë fushatës elektorale, një redaktor më ka informuar se gazetari i tij në Podujevë kishte pasur disa dhjetra dëshmitarë të cilët kishin parë përkrahës të Partisë për Prosperitet Demokratik të Hashim Thaqit, PDK, të cilët shkonin derë më derë natën, duke paralajmëruar qytetarët të mos votonin për rivalin e tij Ibrahim Rugova dhe për Partinë e tij Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK. Gazeta nuk e botoi asnjë herë këtë lajm, dhe për pasojë nuk u morr vesh dhe as u diskutua nëse kjo gjë ishte e vërtetë.


Kjo qetësi e vetë imponuar ka dëmtuar besueshmërinë e mediave si një burim i besueshëm informacioni. Shumë qytetarë kanë informacione të mjaftueshme për krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe janë të habitur dhe të zemëruar që media nuk i përmend fare.


Shumë botues dhe redaktorë e pranojnë privatisht se ata kanë frikë të botojnë këto histori dhe se në një farë mënyre ata janë ndjerë më të lirë për të njoftuar për probleme të ndryshme gjatë regjimit Serb sesa tani.


"Gjatë regjimit Serb e dije se çfarë të priste nëse shkruaje diçka që nuk u pëlqente atyre," thotë një gazetar, i cili kërkoi të mos identifikohej. "Ata mund të vinin e të rrihnin, të shkatërronin zyrën, apo të të burgosnin, por ajo ishte një pjesë e punës, dhe ia vlente të rrezikoje.


"Ajo ka qenë pjesë e luftës për t'i dhënë fund represionit. Tani, me këta gangsterë, nuk i dihet se çfarë të bëjnë. Ata ndoshta as nuk lodhen të të paralajmërojnë, por të fusin direkt një plumb kokës."


Nga Maj në Nëntor 2000 programi i OSBE-së për mbrojtjen e gazetarëve ka regjistruar 32 raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve në Kosovë. Këtu përfshihen kërcënime personale dhe anonime, sulme, një bombë, një zhdukje, një vrasje e syshuar, dhe një vrasje e konfirmuar.


Kjo shifër mund të mos duket shumë e lartë, por duke qenë se në Kosovë punojnë rreth 450 gazetarë dhe shumica e sulmeve nuk njoftohen, atëherë shifra është vërtetë shqetësuese. Në krahasim me Bosnje-Herzegovinën, me dyfishin e popullsisë dhe më tepër se dy fishin e gazetarëve, programi i OSBE-së për mbrojtjen e gazetarëve ka regjistruar 65 raste në gjashtë muajt e parë të punës.


Gazetarët në Kosovë janë kërcënuar për njoftimin e aktiviteteve ilegale të biznesit, për korrupsionin, dhe shpesh edhe thjesht për një shkrim për aktivitetet e LDK-së.


Në një miting elektoral të PDK-së, një aktivist ka kërcënuar një gazetare, duke insistuar që ajo të njoftonte një numër dy herë më të madh të pjesëmarrësve.


Vjeshtën e kaluar, Baton Haxhiu, redaktori i Koha Ditore, ka filluar të përdorë një roje trupi të armatosur, pas vrasjes së shefit të departamentit të planifikimit urban të Prishtinës, Rexhep Luci - mesa duket për shkak të përpjekjeve të tij për të ndaluar ndërtimet e paligjëshme.


Një nga më të kërcënuarit ka qenë gazeta pro LDK-së Bota Sot. Verën e kaluar, një bombë është hedhur në shtëpinë e njërit prej gazetarëve të saj, Rexhep Kastrati.


Në një rast tjetër, në mes të një konference për shtyp pas zgjedhjeve, ndërsa Thaqi pranoi humbjen ndaj LDK-së, rojet e tij të trupit dëbuan nga salla një gazetar të Bota Sot, duke e qëlluar atë.


Bota Sot është e vetmja gazetë e cila njofton vazhdimisht për sulmet ndaj gazetarëve të saj.


Mediat në Kosovë janë shumë të heshtura krahasuar me gazetarinë në pjesën tjetër të ish Jugosllvisë. Në Serbi, Bosnje, Kroaci, dhe Maqedoni, gazetat dhe revistat njoftojnë për skandale të reja ku përfshihen politikanë, biznesmenë, dhe kriminelë.


Në Kosovë, media nuk ka dëshirën as të hetojë për vrasjen e gazetarëve.


Pas vrasjes Shtatorin e kaluar të Shefki Popovas, një korrespondent i vjetër i Rilindjes në rajonin e Vuçiternës, redaktorët e të gjitha mediave më të mëdha Shqiptare protestuan duke ndërprerë botimin e gazetave.


Kjo ndërprerje e punës së tyre u pasua me ankesa për pasigurinë dhe dështimin e UNMIK-ut për të vendosur rendin dhe ligjin, por ka pasur një heshtje varri si për çështjen e vrasjes ashtu edhe për kërcënimin ndaj gazetarëve dhe redaktorëve.


Në atë kohë gazetarët kanë pranuar se meqënëse të gjithë dyshonin se pas vrasjes qëndronte PDK-ja, ata kishin frikë të hetonin.


Për shkak të auto censurës, media në Kosovë mjaftohet vetëm me botimin e njoftimeve për shtyp të UNMIK-ut dhe të historive të huaja mbi krimin, dhunën dhe korrupsionin.


"Nëse ne nuk mund të shkruajmë rreth këtyre gjërave, është më e sigurtë të botojmë njoftimet e organizatave dhe mediave të huaja," thotë një gazetar i ri. "Ne zakonisht kemi më tepër informacione sesa ata mbi këto tema, por të paktën nuk shkruajmë emrin tonë në fund të artikujve."


Ndërsa ata pranojnë se janë të trembur nga kërcënimet, gazetarët Shqiptarë thonë se Kombet e Bashkuara nuk kanë bërë asgjë për të luftuar klimën e përgjithëshme të pasigurisë që sundon në provincë.


"Kur vriten heronj të luftës në mes të rrugës, dhe policia nuk kap fajtorët, çfarë do të bëjnë ata për mua?" thotë një gazetar.


Ata kanë një të drejtë. Policia dhe ushtarakët nuk mund të bëjnë shumë më tepër sesa të ofrojnë një survejim më të mirë për gazetarët e kërcënuar. Përgjigja e UNMIK-ut ndaj vrasjes së Shefki Popovas nuk ka rkijuar shumë besim tek gazetarët Kosovarë. Dy muaj pas vrasjes së tij, OSBE-ja ka bërë më shumë sesa UNMIK-u për hetimin e vrasjes. Por edhe gazetarët nuk është se e ndihmojnë veten. As edhe një gazetar Shqiptar i vetëm deri më sot nuk ka paraqitur një ankesë zyrtare ndaj një Shqiptari tjetër për kërcënim. Ata mendojnë kështu: "Nëse bëj një ankesë, ata vetëm do të zemërohen më shumë dhe pastaj do të më vihen nga pas. Nëse më vrasin, ata e dinë se policia nuk ka për ti kapur ndonjëherë."


Pas dhjetë vjetë rezistencë dhe luftë ndaj dhunës Serbe, shumë gazetarë Shqiptarë duken të pamundur për të përballuar realitetin e ri të Kosovës.


Por ka pasur edhe disa përjashtime të rëndësishme, duke shtuar kështu shpresat se gazetarët Kosovarënë të ardhmen do të jenë të përgatitur të shkruajnë të vërtetat për lexuesit e tyre.


Vjeshtën e kaluar, Koha Ditore ka botuar një hetim të shkëlqyeshëm për një mosmarrëveshje ndërmjet ish komandantit të UCK-së Ramush Haradinaj dhe një familjeje të përkrahësve të LDK-së pranë Pejës.


Në këtë histori, familja kishte thënë se Haradinaj dhe njerëzit e tij kishin rrëmbyer, torturuar, dhe vrarë anëtarë të forcës guerrilase pro-LDK-së, FARK, në përfundim të luftës.


Askush nga Koha nuk është kërcënuar, dhe gazeta ka premtuar edhe shkrime të tjera, megjithëse deri më tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim tjetër. Një gazetar i cili ka shkruajtur një shkrim të ngjashëm nga rajoni i Drenicës ka thënë se shkrimi është pezulluar në periudhën e zgjedhjeve për të mos "krijuar ndonjë zemërim".


"Pjesa më e madhe nga ne janë ende tepër të frikësuar për të shkruajtur të vërtetën për ato që po ndodhin këtu," ka thënë një gazetar i ri. "Por herët a vonë ne do të fillojmë, dhe disa prej nesh do të kenë nevojë për mbrojtje, dhe ndihmë nga OSBE dhe UNMIK. Do të duhet kohë, por çfarë kuptimi ka të jesh gazetar dhe të mos shkruash të vërtetën?"


Kolin Solouei është një gazetar i vendosur në Ballkan. Ai ka krijuar Programin e Mbrojtjes së Gazetarëve të OSBE-së në Kosovë vitin e kaluar dhe më parë ka punuar në Projektin e IWPR-së në Bosnje.


Frontline Updates
Support local journalists