PROSTITUCIONI LULËZON NË KOSOVË

OKB-ja po përpiqet të shkatërrojë biznesin fitimprurës të prostitucionit në Kosovë

PROSTITUCIONI LULËZON NË KOSOVË

OKB-ja po përpiqet të shkatërrojë biznesin fitimprurës të prostitucionit në Kosovë

Popujt e tyre respektiv mund të mos kenë arritur ende paqen, por marrëdhëniet ndërmjet kriminelëve Serbë dhe Shqiptarë po lulëzojnë - veçanërisht në biznesin e prostitucionit.


Gjatë vitit të fundit, grupet kriminale kanë trafikuar disa qindra vajza në Kosovë për të punuar në bordellet e ngritura për të huajt e shumtë në kuadër të trupave paqeruajtëse të vendosura në provincë.


Zyrtarët perëndimorë janë aq të alarmuar saqë kanë urdhëruar policinë e UNMIK-ut dhe trupat e KFOR-it të luftojnë këtë aktivitet i cili u sjell organizatorëve të ardhura prej rreth 1.5 milion dollarë Amerikan në javë.


Problemi i ka rrënjët pas konfliktit të vitit 1999. Kriminelët u treguan të shpejtë për të shfrytëzuar shërbimet e dobta policore dhe gjyqësore dhe mbërritjen e rreth 60,000 paqeruajtësve dhe stafit civil të huaj.


Vajza, kryesisht nga Ukraina, Hungaria dhe Rumania janë futur nëpërmjet Beogradit dhe janë punësuar në mbi 100 "klube" në Kosovë - bare dhe klube nate që në fakt shërbejnë si bordelle. Vajzat zakonisht mashtrohen me premtime për një vend pune si kameriere apo kërcimtare.


"Trafikantët u marrin vajzave pasaportat për të mos i lejuar të largohen," thotë Robin Lerner i Departamentit të të Drejtave të njeriut të OSBE-së në Prishtinë.


Prostitutat shpesh mbyllen në dhoma të qelbura dhe detyrohen të shërbejnë mbi 10 klientë në një natë. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë në rritje sepse vajzat shpesh detyrohen të kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura.


Gordon Mun, njeriu i vendosur në krye të fushatës kundër trafikantëve, mendon se Serbët dhe Shqiptarët bashkëpunojnë ngushtë në ktë tregti fitimprurëse.


"Ekziston një urrejtje e madhe ndërmjet Serbëve dhe Shqiptarëve," thotë Mun, shefi i Njësisë për Hetimin e Prostitucionit dhe Trafikut në forcën policore ndërkombëtare të OKB-së CIVPOL. "Por në krimin e organizuar ata bashkëpunojnë pa asnjë problem. Është një biznes i madh, dhe nuk ka të bëjë fare me gjendjen politike".


Gangsterët Serbë blenë vajza nga vendet e Europës Lindore për një çmim prej rreth 2,200 dollarë Amerikan dhe ua shesin ato Shqiptarëve. Më shumë se gjysma e tyre dërgohen në Kosovë.


Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin, IOM, 64 përqind e vajzave janë Moldave, 15 përqind Rumune, 10 përqind Bullgare, 9 përqind Ukrainase dhe 1 përqind Shqiptare dhe Ruse. "Ato janë të gjitha të reja në moshë dhe të brishta, dhe shumica e tyre nuk kanë qenë më parë prostituta," thotë Mun.


Bernard Kushner, administratori i parë i OKB-së në Kosovë, ka miratuar një ligj i cili ndalon trafikun e grave vitin e kaluar. Ai gjithashtu ka futur dënime të reja dhe më të ashpra për personat e përfshirë në këtë trafik.


Sipas ligjit të OKB-së të gjithë personat e përfshirë në këtë biznes mund të dënohen me 2 deri 12 vjet burgim, ndërsa klientët e prostitutave përballen me një dënim deri pesë vjet burg. Që prej miratimit të këtij ligji, rreth 40 persona janë arrestuar për trafik dhe një klub nate në Pejë në Kosovën perëndimore është mbyllur.


Në një ndër operacionet më të mëdha ndaj trafikantëve, disa qindra ushtarë të NATO-s dhe të policisë së OKB-së ka ushtruar kontroll në disa bordelle, të kontrolluara nga Serbët dhe Shqiptarët, në qytetin e Fushë Kosovës, pranë Prishtinës. Gjatë këtij sulmi u arrestuan pesë njerëz.


Mun e pranon se ekipi i tij prej njëzet hetuesish përballet me një detyrë tepër të vështirë. "në të gjithë Kosovën ekzistojnë mbi 100 bordelle dhe numri i tyre është në rritje," thotë ai.


Kur shkatërrohen rrjetet e prostitucionit, vajzat kanë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre. IOM kontakton me organizata të tjera në vendet e tyre të origjinës për t'u gjetur atyre punë apo të paktën ndonjë ndihmë fillestare financiare.


Deri më tani, sipas IOM-së rreth 135 vajza të trafikuara janë rikthyer në vendet e tyre. Por sipas Robin Lerner të OSBE-së, jo të gjitha prej tyre dëshirojnë të kthehen. "Disa herë situata është e komplikuar," thotë ai, "Kur dikush nga familja i ka trafikuar, ato nuk dëshirojnë të kthehen. Në disa raste ato paralajmërohen se do të vriten nëse kthehen pas. Ky është një problem i madh".


Ai përmend rastin e Dritës, një vajzë 12 vjeçare nga Shqipëria. Ajo është zbuluar në një klub nate në Prizren. Mesa duket prindërit e saj e kishin shitur tek një trafikant.


Duke parë përmasat e këtij problemi, Mun është realist rreth rezultatit të fushatës kundër prostitucionit. "Është profesioni më i vjetër në botë - kështu që pavarësisht se sa e luftojmë ne, nuk do të mundemi ta ndërpresim krejtësisht".


Adriatik Kelmendi është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Albania, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists