Shou i Millosheviqit
Kur kanë mbetur vetëm 16 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve, Millosheviqi vazhdon të trumpetojë me forcë fitoren e tij të padiskutueshme.
Shou i Millosheviqit
Kur kanë mbetur vetëm 16 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve, Millosheviqi vazhdon të trumpetojë me forcë fitoren e tij të padiskutueshme.
Serbia ka hyrë tashmë në një vorbull para-elektorale. Ashtu si në filmin "Stuhija", një tufan i fuqishëm ka përfshirë vendin duke marrë përpara çdo pengesë që gjen rrugës. Sapo ish-presidenti Ivan Stamboliq kishte filluar të shprehte idenë se mund të kandidonte përballë udhëheqësit tonë të shenjtë Sllobodan Millosheviq, stuhia kaloi pranë stolit të një parku ku ishte ulur ai dhe e përfshiu duke e çuar kush e di se ku.
Kur kanë mbetur vetëm pak më tepër se dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, serbët duhet të jenë racionalë dhe të kuptojnë se këto zgjedhje janë një farsë, një flluckë sapuni e zbukuruar e të parapërgatitura për të mashtruar naivët dhe ata që ende besojnë. Ne duhet të pranojmë shkallën e mashtrimit që këto të ashtuquajtura zgjedhje kanë arritur.
Një shëtitje nëpër rrugët e Beogradit duhet të mjaftojë për të qartësuar cilësinë e debatit politik që kanë nxitur këto zgjedhje. Brenda natës posterat elektoralë të opozitës ku shkruhej "Detyra Jonë - Një Serbi më e Mirë" janë transformuar në "Detyra Jonë - Një Serbi më e Keqe". Shkrimet nëpër mure informojnë zgjedhësit se politikani i opozitës Zoran Gjingjiq është një "pederast" dhe kandidati presidencial i opozitës Vojislav Kostunica "një copë m...".
Natyrisht është një fakt tashmë i njohur se e ashtuquajtura opozita serbe është një koleksion "agjentësh, tradhëtarësh, mercenarësh, homoseksualësh, lakejsh të Amerikës, njerëzish të paedukuar të shtresës më të ulët, terroristësh, keqbërësish dhe kollona të pesta." Sido që të jetë televizioni shtetëror nuk gënjen kurrë.
Ne kemi gëzuar një regjim demokratik të mrekullueshëm të Millosheviqit që prej dhjetë vjetësh. Natyrisht që kjo përvojë duhet të jetë e mjaftueshme për të qartësuar për këdo atë që do të ndodhë më 24 shtator. Mendoni pak për tërë ato zgjedhje federale, republikane dhe lokale, masturbimin e përbashkët mbi patriotizmin, kombin, kurajon dhe dinjitetin.
Manipulimi i votave ka ardhur gjithnjë në rritje në çdo zgjedhje që është mbajtur. Gjatë zgjedhjeve presidenciale serbe të vitit 1997, numërimi zyrtar ka rezultuar se një milion shqiptarë kishin votuar për Milan Milutinoviq, që mjaftuan për të mundur rivalin e tij Vojislav Sheshelj. Ju kujtohen kamionët e ngarkuar me kuti votimi të mbushura me vota, gënjeshtra dhe falsifikime, se si rezultatet e manipuluara u legjitimuan, sepse kjo ishte "në interes të kombit".
A ka ndonjë mundësi që zgjedhjet e 24 shtatorit të jenë të lira dhe të ndershme? Që votuesit të hedhin votën e tyre duke qenë të sigurtë se vendosja e një kryqi në katrorin e duhur do të nxjerrë në pension presidentin e tanishëm? A mund t'i besosh komisionit zgjedhor se ai nuk do të lejojë hedhjen e 200,000 votave në favor të Millosheviqit sapo vëzhguesit e opozitës të kenë kthyer shpinën?
Disa njerëz naivë me të vërtetë mendojnë se kjo mund të ndodhë. Në një takim të opozitës mbrëmjen e kaluar në Mokrin, pranë Kikinda, një anëtar i lëvizjes studentore Otpor, një miku im, tha se kishte 50 përqind mundësi që Millosheviqi të largohej vetë! Mua m'u desh të ndërhyja. Tepër i nxehur dhe agresiv i thashë atij të vërtetën lakuriq - Millosheviq nuk ka ndër mend të "japë dorëheqjen". Nuk është një çështje përqindjesh dhe përllogaritjesh matematike për një mundësi prej 5 apo 50 përqind. Thjesht nuk ka as zero përqind mundësi që ai të largohet nga posti. E vetmja mënyrë është që ai të detyrohet ta bëjë këtë gjë.
Një tjetër ekspert naiv në takim deklaroi se 4.2 milion vota kundër Millosheviqit do të mjaftonin për të garantuar fundin e presidentit. Unë ndërhyra përsëri: "Millosheviq as që çan kokën nëse 2 milion, 5 milion, apo edhe 17 milion njerëz votojnë. Ai - dhe mos thoni më vonë se nuk ju kam paralajmëruar - do të shpallë veten fitues që në raundin e parë."
I gjithë makiazhi psikologjik i regjimit të Millosheviqit e përjashton humbjen. E si mund të humbasë një "Hero Kombëtar"? Si mundet që simboli i "Rezistencës Botërore ndaj Rendit të Ri Botëror" të marrë më pak vota se Kostunica? A mendoni me të vërtetë se zonja Millosheviq do të lejojë që burri i saj të dorëzohet, të pranojë humbjen dhe t'i japë dorën fituesit Vojislav Kostunica përpara kamerave të televizionit kombëtar?
Jo, humbja nuk ekziston për ekipin e Millosheviqit. Tallja me opozitën është shndërruar në një sport kombëtar. Gazeta e përditshme pro-regjimit Politika e ka përshkruar shefin e shtabit të shkarkuar të ushtrisë jugosllave gjeneralin Momçillo Perishiq si një fëmijë të vogël që po kryen nevojat nën një pemë, ndërsa ish-kryetarin e bashkisë të Beogradit, Nebojsha Coviq, si një "mi të vogël me oreks të madh".
Figura të tjera të opozitës, Vesna Peshiq, Vuk Obradoviq, Josef Kasa dhe presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, për të mos i përmendur të gjithë, kanë merituar epitete si "kakardhi" dhe "jashtëqitje". Një titull kryesor i një gazete njoftonte njerëzit të "mbyllnin hundët kur të kalonin pranë DOS [Opozita Demokratike Serbe]."
Cili është qëllimi i përmendjes të të gjithë këtyre gjërave? Qëllimi im është të tregoj se tani nuk ka më asnjë limit, mund të bëhet çdo gjë - nga rrëmbimet dhe arrestimet deri tek gënjeshtrat dhe ofendimet e pastra.
Çfarë mund të sjellin këto 16 ditë që na ndajnë nga zgjedhjet? Lajme për rikthimin e njësive të ushtrisë jugosllave në Kosovë, apo të përleshjeve me njësitë e policisë malazeze? Që Millosheviqi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe zgjedhjet janë anulluar? Që presidenti ka nxjerrë "policinë" e tij nëpër rrugë?
Nuk është nevoja të vrasësh mendjen shumë për të kuptuar. Mesazhi i Politikas është tepër i qartë, "mos u merrni me ne, ne jemi të armatosur, ne kemi tanke, forca speciale, të përgatitur për të prerë koka. Mos mendoni se një votë do t'ju shpëtojë."
Shantazhi i drejtpërdrejtë ka filluar të veprojë kudo, në ndërmarrjet shtetërore, në zyrat e qeverisë, polici, ushtri, spitale. Votoni për Millosheviqin që të mbani vendin e punës, votoni për Millosheviqin që të paguheni. Shumë njerëz kanë marrë fletë votimi me një "X" të shënuar pranë emrit të Millosheviqit. Mashtrimi është i qartë. Fusni këtë letër votimi të mbushur në kuti ditën e zgjedhjeve dhe kthejuni letrën e bardhë që do të merrni në qendrën e votimit punëdhënësve tuaj si provë që keni vepruar ashtu si ju është thënë.
Këto zgjedhje nuk do të monitorohen nga asnjë përfaqësues i perëndimit (fundi çfarë dinë ata për demokracinë, asnjë demokraci nuk do të kishte nisur atë fushatë të ulët bombardimesh ndaj fëmijëve të Serbisë). Jo, vëzhguesit e huaj të zgjedhjeve tona do të vijnë nga vendet tona mike, Kina, Rusia dhe natyrisht Iraku.
Asgjë nuk i është lënë rastësisë. Media e kontrolluar nga shteti as që nuk e përmend mundësinë e një raundi të dytë, e përse duhet ta bëjë diçka të tillë kur është e qartë se kjo nuk është përfshirë në skenar. Këto nuk janë zgjedhje. Ky është "Shou i Millosheviqit".
Petar Lukoviq është një gazetar me eksperiencë, artikullshkrues dhe redaktor në Beograd. Godine Raspada, një përmbledhje e shkrimeve të tij për vitin e luftës, është botuar kohët e fundit nga Feral Tribune në Kroaci.