BULLGARI: ZEMËRIM PËR GJYQET NDAJ GAZETARËVE
Akuzat e ngritura ndaj një gazetari rumun dhe BBC për përdorimin e kamerave të fshehta kanë shkaktuar një debat të ashpër mbi kufizimet e lirisë së shtypit.
BULLGARI: ZEMËRIM PËR GJYQET NDAJ GAZETARËVE
Akuzat e ngritura ndaj një gazetari rumun dhe BBC për përdorimin e kamerave të fshehta kanë shkaktuar një debat të ashpër mbi kufizimet e lirisë së shtypit.
Akuzat e ngritura ndaj gazetarëve të huaj të cilët kanë përdorur kamera të fshehta kanë shkaktuar një valë protestash në median bullgare, duke shkaktuar thirrje për ndryshimin e një ligji i cili sipas tyre pengon gazetarinë hetuese.
Gazetarët të cilët kërkojnë dhënien fund të ndjekjeve penale ndaj gazetarëve të cilët përdorin kamera dhe regjistrues të fshehtë, po ndjekin me vëmendje rezultatin e dy gjyqeve të para të cilat priten më 3 dhjetor.
Rasti i parë është ai i George Buhnici, një gazetar rumun i stacionit televiziv privat, Pro TV, i cili është ndaluar javën e kaluar në kufirin Bullgari-Rumani dhe është akuzuar për përdorimin e një kamere të fshehur në syzet e tij.
Pasi është ndaluar për 70 orë ai është liruar por i është thënë të mos largohet nga Bullgaria përpara përfundimit të gjyqit.
Prokuroria e ka akuzuar Buhnici se ka shkelur Nenin 339 (a) të kodit penal, i cili ndalon "prodhimin, përdorimin shitjen apo mbajtjen e një pajisjeje teknike, me synim mbledhjen e informacioneve". Kodi penal parashikon një dënim me deri tre vjet burgim.
Gazetari ka thënë për IWPR se qëllimi i tij i vetëm ka qenë të filmonte trafikun illegal të cigareve në një dyqan të shitjes pa taksë në anën rumune të kufirit. Ai ka thënë se ka kaluar në territorin e Bullgarisë sepse ajo ka qenë mënyra e vetme për të shkuar deri tek dyqani, i cili ndodhet brenda zonës kufitare. Ai ka thënë se nuk po filmonte me kamera në momentin e ndalimit.
Avokatja e Buhnici, Milena Dyakova, ka thënë se ajo shpreson për një zgjidhje jashtë gjykatës, megjithëse siç duket deri tani, gjyqi do të zhvillohet më 3 dhjetor.
Ndalimi i gazetarit rumun ka koinciduar me një tjetër rast të ngjashëm, ku është përfshirë BBC.
Ky rast ka të bëjë me një ekip të BBC i cili ka xhiruar një dokumentar televiziv ku thuhej se përfaqësuesi i Bullgarisë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Ivan Slavkov, ishte i korruptuar.
Ekipi i BBC, i paraqitur si tregtarë britanik të cilët i kanë ofruar Slavkov shpërblim në para në shkëmbim të votave pro kandidaturës së Londrës për organizimin e lojraveolimpike, ka paraqitur Slavkov i cili ka treguar shumë interes për ofertën. Slavkov ka thënë për programin Panorama se ai "ishte i hapur për bisedime" për votën e tij.
Si rezultat i dokumentarit, Slavkov i është hequr anëtarësia në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe nuk është lejuar të marrë pjesë në Lojrat Olimpike të Athinës. Zyra e prokurorisë së përgjithëshme të Bullgarisë ka akuzuar gazetarët e BBC se kanë shkelur nenin 339 (a). Ata janë akuzuar për futjen në kurth dhe për nxitjen e mitmarrjes.
Gazetari kryesor i përfshirë në filmimin e "Blerja e Lojrave", Justin Roëlat, nuk gjendet më në Bullgari, por media lokale ka njoftuar se përfaqësues të BBC në Bullgari, përfshirë stafin e zyrës, ndihmësit dhe nënshtetas të tjerë bullgarë të përfshirë në realizimin e filmit, do të duhet të paraqiten në gjykatë.
Akuzat kanë shkaktuar një debat të gjerë në Bullgari dhe kanë shkaktuar kritika të ashpra nga organizatat e mediave ndaj asaj që ata e shikojnë si ngushtim të aktivitetit të ligjshëm të shtypit.
Ata thonë se ligji i tanishëm është i papërshtatshëm për një demokraci moderne, duke theksuar se ligji në formën e tanishme, përcakton se edhe pasja e një kamere të fshehur apo e një regjistruesi përbën krim.
Buhnici ka thënë se zhurma në media e ka ndihmuar këtë rast. "Falë kolegëve të mi bullgarë, të cilët kanë qëndruar të bashkuar, unë jam liruar pas 70 orësh dhe jo dy muajsh," ka thënë ai.
Por pavarësisht nga presioni i publikut prokurorët nuk kanë rrëzuar akuzat, pavarësisht një apeli nga Koalicioni Bullgar i Mediave, një prej organizatave më të mëdha të gazetarëve profesionistë në vend.
Por komuniteti i gazetarëve është i përçarë edhe për sa i përket ndryshimeve të ligjit. Shumë gazetarë mendojnë se përdorimi i një kamere të fshtehtë duhet të shihet si një mjet i ligjshëm i grumbullimit të informacionit në interes të publikut. Por ata kanë mendim të ndryshëm për sa i përket shfuqizimit apo ndryshimit të ligjit të tanishëm.
Kiril Vulchev, një gazetar i Radio Darik, një stacion radio kombëtare, nuk e mbështet heqjen e nenit të diskutueshëm nga ligji, por kërkon "modernizimin" e tij.
Duke kujtuar se neni 339 (a) është miratuar në vitin 1997 kryesisht për të parandaluar shkeljet e kryera nga shërbimet sekrete, ai mendon se është e rëndësishme që ligji duhet të mbetet në fuqi, por të ndryshohet për të mundësuar gazetarët të kryejnë aktivitetin e tyre.
Këto thirrje janë mbështetur nga Bashkimi i Forcave Demokratike i opozitës dhe nga Nbovoto Vreme, një grup intelektualësh të rinj të formuar në gjirin e koalicionit qeveritar.
Borislav Tsekov i Novoto Vreme ka thënë se ai dëshiron që të ndryshohet ajo pjesë e kodit penal duke u bërë nxitës i debatit publik për parimet më të gjëra të ligjit bullgar.
"Unë mendoj se parimet e interesit publik duhet të përfshihen në ligjin e Bullgarisë, në mënyrë që ata të cilët japin informacione të klasifikuara për interesin publik të mos akuzohen," ka thënë ai për IWPR.
Komiteti i Helsinkit për Bullgarinë për të Drejtat e Njeriut mbështet gjithashtu ndryshimet e ligjit, duke thënë se kodi ekzistues nuk përputhet me konventën evropiane për të drejtat e njeriut.
Juliana Metodieva e komitetit ka thënë për IWPR se organizata e saj do të kërkojë ndryshimet, megjithëse ajo nuk ishte optimiste se politikanët do të përgjigjen. Metodieva ka thënë se gazetarët kanë frikë se të dyja rastet mund të paralajmërojnë një përpjekje të re për të kufizuar median.
Petko Georgiev, nga ProMedia, programi i mediave i mbështetur nga qeveria amerikane për Evropën juglindore, ka thënë për IWPR se gjykata duhet të "interpretojë qartësisht nëse është dëmtuar ndonjë interes publik dhe të japë një vendim".
Kjo, ka shtuar ai, në të njëjtën kohë duhet të "lërë gazetarët të kenë besim se kur ata veprojnë në favor të interesit publik dhe janë në gjendje ta provojnë atë, ata nuk do të mund të akuzohen në lidhje me metodat që përdorin".
Georgiev ka kundërshtuar propozimet për të future një nen të veçantë në kodin penal për gazetarët, duke thënë se ai do të tërhiqte menjëherë vëmendjen e njerëzve të tjerë të cilët do të përdornin këtë nen për qëllime të cilat nuk kanë lidhje me interesin publik.
Të dyja rastet kanë mundësi të dëmtojnë imazhin e Bullgarisë si një shtet modern, perëndimor në një moment tepër të rëndësishëm për vendin; Bullgaria prêt të anëtarësoshet në Bashkimin Evropian në vitin 2007.
Këto raste kanë tërhequr tanimë kritika nga organizatat dhe ekspertë ndërkombëtar të mediave.
Shoqata Gazetarët Pa Kufi me qendër në Paris, i ka shkruajtur një letër kryeprokurorit, Nikola Filchev, ku theksoshet besimi i tyre se gazetari rumun është "viktimë e një ligji absurd dhe të vjetëruar".
Organizata ndërkombëtare e mediave ka dënuar përdorimin e mundëshëm të "një ndëshkimi tepër të rëndë për përdorimin e një kamere të fshehtë, e cila është një praktikë e përdorur nga gazetarët hetues".
Shoqata Botërore e Gazetave dhe Forumi Botëror i Botimeve, një organizatë ndërkombëtare e redaktorëve, i kanë shkruajtur kryeministrit të Bullgarisë, Simeon Saxcoburgotski, duke shprehur shqetesimin se arrestimi i Buhnicit ka për qëllim të kërcënojë gazetarët "të cilët hetojnë tema të padëshirueshme".
Christophoros Christophorou, një ekspert i mediave në Këshillin e Evropës, autor i dy raporteve mbi harmonizimin e ligjeve bullgare të mediave dhe komunikimit me standarded evropiane, thotë se ligji i diskutueshëm shkel nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për lirinë e shprehjes. "Mesa di unë në asnjë vend tjetër evropian nuk ekziston një ligj i tillë," ka thënë ai për IWPR.
Ndërkohë, media bullgare këtë javë ka pranuar të zbatojë një sërë masash të etikës profesionale, një hap i cili shihet si historik në zhvillimin e demokracisë në vend.
Kodi i sjelljes është nënshkruar nga përfaqësues të të gjithë botuesve të Bullgarisë dhe gazetarëve pas vite mosmarrëveshjesh për këtë temë.
Por ky rezultat i rëndësishëm në historinë e mediave bullgare është errësuar në një farë mënyre nga dy rastet e sipërpërmendura. Dhe në sytë e shumë njerëzve, ato provojnë se në këtë vend nevojitet ende marrja e hapave të rëndësishëm në lidhje me lirinë e mediave.
Albena Shkodrova është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR në Sofje.