Shtohen Spekulimet për Bombat në Maqedoni

Maqedonasit dyshojnë se qeveria është e interesuar të mbulojë një seri shpërthime bombash të kohëve të fundit.

Shtohen Spekulimet për Bombat në Maqedoni

Maqedonasit dyshojnë se qeveria është e interesuar të mbulojë një seri shpërthime bombash të kohëve të fundit.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Tuesday, 4 April, 2000

Shumë maqedonas janë të bindur se ekstremistët shqiptarë janë përgjegjës për një sërë sulmesh me bomba ndaj stacioneve të policisë, pavarësisht deklaratave të qeverisëse pas këtyre krimeve qëndrojnë agjentë jugosllavë.


Ministrja e brendëshme e Maqedonisë, Dosta Dimovska, ka akuzuar javën e kaluar policinë sekrete të Beogradit se është përgjegjëse për tre sulme me bomba të ndodhura që nga fillimi i muajit janar.


Ajo ka deklaruar se incidentet kanë qenë pjesë e një strategjie të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq për të tërhequr Maqedoninë në konfliktin e Kosovës.


Drejtuesi i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në qeveri, Arbër Xhaferri, ka thënë se ai besonte se Millosheviqi kishte si synim të pengonte operacionet e KFOR-it në Maqedoni, duke mos guxuar të sulmonte KFOR-in në Kosovë.


Deklarata e qeverisë erdhi menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të përforconin forcat e tyre në Maqedoni për shkak të rritjes së shqetësimit për përleshje ndërmjet guerrilasve shqiptarë dhe forcave serbe në jug të Serbisë.


Një zëdhënës i Pentagonit ka thënë se 14 tanke dhe gjashtë topa të tjerë do të dërgohen në zonë me qëllim "dekurajimin e çdo problemi të mundëshëm përgjatë kufinjve të Maqedonisë."


Ndërsa qeveria maqedonase mund të ketë arësye të mira për të qenë e shqetësuar se konflikti në Kosovë mund të shtrihet edhe këtej kufirit, akuzat e saj për implikim të Jugosllavisë në incidentet e ndodhura në stacionet e policisë nuk kanë pasur asnjë provë konkrete.


Në fakt, anëtarë e një komisioni të sigurimit të parlamentit janë ankuar se raporti mbi bombat i dhënë nga zyrtarët e shërbimeve sekrete nuk ka pasur shumë informacion.


Kur presidenti i komisionit, Ljupcko Popovski, është pyetur nëse shërbimet sekrete jugosllave janë aktive në Maqedoni, ai është përgjigjur se shumë agjentë të huaj veprojnë në vend.


Mungesa e provave ka polarizuar opinionin. Disa mendojnë se Beogradi është përfshirë, ndërsa disa të tjerë mendojnë se pas këtyre sulmeve qëndrojnë ekstremistët shqiptarë.


Që prej fillimit të luftës, ka pasur tre sulme terroriste mbi stacionet e policisë: në fshatin Oslomej pranë Kiçevos më 20 Janar, në Kumanovë dhjetë ditë më pas, dhe në Tetovë në fillim të marsit.


Sulmet - për të cilat nuk është bërë asnjë arrestim - kanë ndodhur në zonat e banuara kryesisht nga shqiptarët. Mendohet se synimi i tyre ka qenë të krijohet një klimë frike.


Media e pavarur dhe ajo e opozitës kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve ndaj një seri prej nëntë bombash kundër stacioneve të policisë dhe gjykatave në pjesën e parë të vitit 1998.


Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka marrë përgjegjësinë për tre nga këto sulme, në Gostivar, Prilep dhe Kumanovë. Tetorin e kaluar nëntë shqiptarë të rinj në moshë janë dënuar për sulme të tjera në Kiçevo dhe Tetovë.


Tani shumë njerëz dyshojnë se ekstremistët shqiptarë qëndrojnë pas sulmeve të fundit me bomba - dhe se autoritetet nuk janë të gatëshme të pranojnë këtë fakt nga frika se mos dëmtojnë koalicionin e partive shqiptare dhe Maqedonase.


Disa njerëz mendojnë se qeveria ka baza për të drejtuar gishtin dhe akuzuar Beogradin. Shërbimet sekrete jugosllave mendohet të jenë përfshirë në veprime terroriste ndaj trupave të NATO-s një vit më parë, në fillim të ndërhyrjes së aleancës në Jugosllavi.


Ministri i atëhershëm i brendëshëm, Pavle Trajanov, ka thënë se incidentet ishin vepër e tre grupeve terroriste të përbëra nga qytetarë jugosllavë dhe maqedonas. Ata kanë vepruar, ka deklaruar ai, me urdhër të dy agjentëve të shërbimeve sekrete jugosllave.


Policia ka thënë se maqedonasit ishin ish oficerë të ushtrisë jugosllave që kishin mbetur në republikë pas shpërbërjes së federatës.


Katër të rinj serbë janë dënuar për një nga sulmet, në të cilin ishte vendosur eksploziv nën një kamion në shtabin e NATO-s në Shkup.


Në kulmin e operacioneve të NATO-s ndaj Beogradit, zyrtari i lartë i ministrisë së brendëshme, Ljube Boskovski, ka akuzuar ambasadorin jugosllav në Maqedoni, Zoran Janackoviq, se ka organizuar sulmet terroriste dhe ka organizuar rrjetin e shërbimeve sekrete jugosllave në Maqedoni.


Gazetat në atë kohë kanë theksuar faktin që ambasadori kishte qenë një ish agjent i shërbimeve sekrete dhe një bashkëpunëtor i besuar i Sllobodan Millosheviqit. Janackoviq ka mbetur në postin e tij pavarësisht akuzave.


Zyrtarë të ambasadës jugosllave në Shkup thonë se ata janë mësuar tashmë me akuzat maqedonase për ndërhyrje në punët e brendëshme të republikës. "Vendi ynë fajësohet gjithnjë për ato që ndodhin në Maqedoni," thotë një diplomat i cili preferon të mbetet anonim.


Deri sa politikanët të ofrojnë prova të forta për akuzat e tyre, identiteti i atyre që kanë nxitur sulmet ndaj stacioneve të policisë do të mbetet i dyshimtë. Sa më shumë që të zgjasin spekulimet aq më shumë rrezikohen marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase.


Zheljko Bajiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Macedonia, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists