SOLANA KRITIKON DREJTUESIT KOSOVARË NË LIDHJE ME GJENDJEN E PAKICËS SERBE

Vdekja e një tjetër serbi ka shtuar presionet ndaj drejtuesve kosovarë për të bërë më tepër për të mbrojtur dhe ndihmuar pakicën e vogël serbe.

SOLANA KRITIKON DREJTUESIT KOSOVARË NË LIDHJE ME GJENDJEN E PAKICËS SERBE

Vdekja e një tjetër serbi ka shtuar presionet ndaj drejtuesve kosovarë për të bërë më tepër për të mbrojtur dhe ndihmuar pakicën e vogël serbe.

Monday, 21 February, 2005

Një ndalesë e shkurtër në Kosovë nga shefi i cështjeve të politikës së jashtëme të BE-së, Havier Solana, këtë javë nuk ka arritur të pakësojë frikën se tensionet etnike po rriten në rajon, pas vrasjes së 16 vjecarit Dimitrije Popoviq të djelën e kaluar.

Djaloshi serb është qëlluar për vdekje në fshatin Gracanicë, një enklavë serbe pranë kryeqytetit Prishtinë, duke pritur një hamburger përpara një dyqani pasditen e 6 qershorit. Vrasësit e tij mendohet të jenë dy të rinj shqiptarë të Kosovës.

Në përpjekje për të ulur zemërimin e serbëve për këtë vrasje, pas më pak se dy muajsh nga trazirat e shkaktuara nga nacionalistët shqiptarë të cilat detyruan largimin e disa mijëra serbëve nga shtëpitë e tyre, Solana ka dënuar këtë vrasje si një “krim të tmerrshëm” dhe ka kritikuar drejtuesit lokalë se nuk kanë rindërtuar të gjitha shtëpitë e dëmtuara gjatë dhunës në muajin mars.

“Një shoqëri në të cilën të rinjtë përdorin armët nuk është e shëndetëshme,” ka thënë ai. “Një shoqëri e tillë nuk ka vend në evropë”.

Drejtuesit shqiptarë të Kosovës, të cilët në muajin mars janë kritikuar ashpër pasi kanë reaguar shumë ngadalë ndaj sulmeve anti serbe, këtë herë kanë nxituar të dënojnë incidentin më të fundit.

“Përgjegjësit për këtë krim do të kapen dhe dënohen,” ka thënë kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Por ndërsa policia e UNMIK ka thënë se dy shqiptarë janë ndaluar në lidhje me krimin, nuk është e sigurtë se këto arrestime do të hedhin shumë dritë mbi faktin nëse pas dhunës së këtij viti qëndron ndonjë forcë e organizuar.

Publikisht, Kenneth Stica, oficeri i policisë së UNMIK për shtypin, ka thënë se është shumë herët të spekulohet ndërsa hetimi po vazhdon me intensitet.

Pas një periudhe qetësie relative që prej marsit, kjo vrasje ka shkaktuar përsëri pasiguri në rradhët e serbëve të Kosovës, shumë prej të cilëve janë të shqetësuar nga zërat për përgatitjen e një vale të re sulmesh ndaj tyre.

Srdjan Popoviq, vëllai i viktimës, ka thënë për IWPR se vrasja ka rënduar edhe më tepër marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet pakicës së vogël serbe dhe shqiptarëve.

“Kjo nuk është e para dhe as do të jetë hera e fundit që vriten të rinj serbë,” ka thënë ai. “Dhe mua nuk më bëhet vonë nëse fajtorët do të dënohen nga gjykata – sepse kjo nuk do të më kthejë vëllain tim”.

Rada Trajkoviq, një politikane e njohur serbe në Kosovë, ka thënë për IWPR se kjo ngjarje konfirmon edhe një herë besimin e saj se synimi i OKB-së për ndërtimin e një shoqërie shumë etnike në Kosovë ka dështuar.

“Ka shumë tension në Gracanicë,” ka thënë Trajkoviq. “Dhe kjo vrasje mund të ketë qenë një përgatitje për dicka edhe më serioze”.

Por nëse sulmi ka qenë një përgatitje për “dicka më serioze” – sic thotë Trajkoviq – apo vetëm një veprim i rastësishëm dhunë, është e paqartë.

Pavarësisht spekulimeve të mediave në lidhje me përfshirjen e grupeve ekstremiste shqiptare në dhunën gjatë muajit mars, asnjë nuk ka thënë me siguri nëse veprimet e dhunëshme kanë qenë të organizuara, apo një reagim spontan ndaj njoftimeve nxitëse në media.

Vazhdimi i klimës së tensionit dhe pasigurisë ka karakterizuar edhe ditët e fundit të shefit të UNMIK në postin e tij, Harri Holkeri, i cili është kthyer në Prishtinë më 6 qershor – ditën e vrasjes – për atë që mendohej të ishte një vizitë lamtumire, pasi ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij më 25 maj.

“Unë kam shpresuar se të gjithë kishin nxjerrë mësime nga ngjarjet e 17 dhe 18 marsit, se dhuna vetëm e con prapa Kosovën,” ka thënë Holkeri gjatë një konference për shtyp më 7 qershor, duke shtuar se “cdo provokim me synim nxitjen e tensioneve të reja do të kundërshtohet me forcë”.

Shpesh i kritikuar se nuk ka bërë sa duhet, dorëheqja e Holkerit, vjen në një moment të papërshtashëm, duke e lënë praktikisht pa drejtues administratën e OKB-së në momentin më të vështirë të saj në këtë territory.

Nëse dikush kishte shpresuar që shefi i politikës së jashtëme të BE të jepte ndonjë shenjë për pasuesin e Holkerit, ka mbetur i zhgënjyer. Ndërsa duket se OKB nuk ka përcaktuar ende ndonjë kandidaturë të përshtatëshme për këtë post i cili duket se bëhet gjithnjë e më i vështirë, Solana ka përsëritur se emërimi i zëvendësuesit të Holkerit është në dorën e sekretarit të përgjithëshëm të OKB-së.

Blerim Shala, redaktor i gazetës së përditëshme Zëri, ka thënë në një koment se vonesa në emërimin e një shefi të ri të UNMIK po ngadalëson edhe progresin në përgjithësi në Kosovë, sepse institucionet lokale varen shumë në partneritetin me zyrtarët ndërkombëtarë.

Vizitat e shpeshta të Solanës në rajon që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e kanë përcaktuar atë si një prej pak politikanëve të rëndësishëm ndërkombëtarë të cilët janë ende të interesuar në mënyrë aktive për progresin në Kosovë.

Megjithatë, ai nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij me ritmin e ngadaltë të rindërtimit të shtëpive të serbëve gjatë një vizite në Fushë Kosovë, një rrethinë e përzier në perëndim të Prishtinës, ku dy shtëpi dhe një qendër shëndetësore janë shkatërruar në muajin mars.

Solana në një paralajmërim të ashpër për të vepruar, ka thënë se autoritetet lokale duhet të përmbushin afatin e vendosur për në shtator për rindërtimin e shtëpive, ose institucionet e Kosovës do të përballen me një dënim – i cili mendohet se mund të jetë ndërprerja e ndihmës së huaj.

Zana Limani, Arben Salihu dhe Muhamet Hajrullahu janë gazetarë të trajnuar nga IWPR në Kosovë.

Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists