Oriq Përshkruhet si “Hero” dhe “Kriminel”
Avokatët mbrojtës të ish komandantit të Srebrenicës kanë përdorur fillimin e mbrojtjes së tyre për të kundërshtuar akuzat për vrasje dhe plaçkitje.
Oriq Përshkruhet si “Hero” dhe “Kriminel”
Avokatët mbrojtës të ish komandantit të Srebrenicës kanë përdorur fillimin e mbrojtjes së tyre për të kundërshtuar akuzat për vrasje dhe plaçkitje.
Duke dëgjuar deklarimet e hapjesë këtë javë në gjyqin ndaj Naser Oriq, anëtarët e trupit gjykues në Hagë mund të kenë menduar për një moment se në fakt dy persona të ndryshëm ishin në bankën e të akuzuarit – Oriq i akuzuar për krime lufte dhe Oriq shpëtimtari i Srebrenicës.
Ish komandanti 37 vjeçar i forcave të armatosura në enklavën muslimane akuzet për plaçkitje, tortura dhe vrasjen e serbëve vendas në vitin e parë të luftës në Bosnje. Akuzat kanë të bëjnë me ngjarjet e ndodhura përpara se Srebrenica të shpallej një zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara, dhe vite përpara se ajo të sulmohej nga trupat serbe, të cilat kanë ekzekutuar rreth 7,000 burra pas rënies së qytetit.
“Këtu kemi të bëjmë me një komandant të ri i cili është shndërruar në një luftëtar,” ka thënë prokurori Jan Vuben, në fjalën e tij të hapjes, duke shtuar se i pandehuri ka qenë “i dehur nga pushteti” që ka pasur në komunitetin e tij.
Në pranverën e vitit 1992, forcat serbe të Bosnjes kanë spastruar fshatrat muslimane në rrethinat e Srebrenicës si pjesë e një operacioni të madh për të vendosur nën kontroll Bosnjen lindore. Shumica e popullsisë së këtyre fshatrave janë drejtuar drejt qytetit, ku ushqimet dhe mjekimet filluan të mungonin. Në atë kohë, Oriq ka krijuar njësinë e tij të armatosur, duke arritur të zmbraps sulmet serbe ndaj qytetit dhe morri në dorë mbrojtjen e tij.
Prokurorët thonë se Oriq ka përgatitur një plan ushtarak për të dëbuar të gjithë ushtarët dhe civilët serb nga zona e Srebrenicës, duke i sulmuar, plaçkitur dhje djegur fshatrat e tyre.
Shumë njoftime nga kjo periudhë konfirmojnë se njerëzit nën urdhërat e Oriq kanë sulmuar rregullisht fshatrat përreth në një përpjekje për të mbajtur larg forcat serbe. Këto sulme shpesh janë shndërruar në operacione plaçkitjeje, në të cilat banorët e Srebrenicës janë përpjekur të siguronin rezerva ushqimore. Shumë nga krimet për të cilat akuzohet Oriq kanë ndodhur gjatë këtyre sulmeve, gjatë të cilave shumë fshatra përreth janë djegur dhe shkatërruar.
Prokurorët gjithashtu kanë premtuar të tregojnë prova të cilat konfirmojnë se burra serbë të marrë të burgosur në këto sulme janë torturuar dhe vrarë më pas nga ushtarët e Oriq në burgun e Srebrenicës.
Prokurorët më 6 tetor janë përpjekur të tregojnë se këto veprime nuk janë kryer për nevoja ushtarake. Përkundrazi prokurorët kanë thënë se ato kanë qenë një strategji e ndjekur prej tij. “Shkelja e ligjeve të konfliktit të armatosur i ka dhënë Oriq një avantazh ushtarak,” ka thënë prokurori.
Në fjalën e hapjes së avokatëve mbrojtës Oriq është paraqitur krejt ndryshe – një oficer i dëshpëruar por trim, i cili ka mbrojtur muslimanët e Srebrenicës të cilët ishin të uritur dhe të frikësuar, dhe të mbledhur në “një kamp përqëndrimi të hapur” siç ishte shndërruar qyteti i tyre në verën e vitit 1992.
Synimi kryesor i fjalës hapëse të mbrojtjes duket se ka qenë paraqitja e atmosferës gjatë së cilës janë kryer krimet për të cilat akuzohet Oriq.
“Srebrenica në këtë moment ka qenë një tmerr i vërtetë. Njerëzit vuanin nga katër të këqiat e apokalipsit – sëmundje, uri, rrethimi dhe genocid,” ka thënë avokati britanik i Oriq, John Jones.
Përmendja e genocidit është bërë me qëllim për ti kujtuar gjykatës masakrën e vitit 1995 ndaj burrave të enklavës, duke shpresuar se gjykatësit do të kenë parasysh këto ngjarje gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje.
Ai gjithashtu i ka kujtuar gjykatës edhe arësyet e ekzistencës së enkalvës së Srebrenicës.
“Qyteti është shndërruar në një enklavë për arësyen e thjeshtë se serbët, nga prilli i vitit 1992 e në vazhdim, kanë spastruar të gjithë muslimanët nga zonat përreth,” ka thënë Jones. “Kjo është diçka e provuar tanimë”.
Prokurorët thonë se Oriq në një moment ka përdorur të njëjtat mënyra si kundërshtarët e tij. “Shumë njerëz kanë humbur jetën, familje janë shkatërruar, spastrimi etnik nuk ka kursyer asnjë grup,” thotë Vuben për periudhën në të cilën janë kryer krimet.
Por avokati i Oriq ka kritikuar ashpër atë që e ka quajtur si përpjekje të prokurorisë për të përhapur në mënyrë të barabartëfajin. Jones ka thënë se klienti i tij po përdoret për të arritur “barazinë morale” ndërmjet krimeve krejtësisht të ndryshme të kryera nga serbët dhe muslimanët në zonë.
“Qëllimi i këtij gjyqi nuk është të rilindë dhe të justifikojë dogmën e vdekur të paqeruajtjes sipas së cilës ‘të gjitha palët janë njësoj fajtore’,” ka paralajmëruar Jones.
Dita e parë e gjyqit nuk është kufizuar vetëm me fjalë dramatike. Por të dyja palët kanë paraqitur fotografi dhe filmime video në një përpjekje për ta kthyer trupin gjykues në vitin 1992 dhe 1993, periudha e mbuluar nga akuza.
Prokuroria ka paraqitur një numër të vogël fotografish në të cilat paraqiteshin të burgosur të cilët janë rrahur dhe abuzuar nga vartësit e Oriq, si edhe një fotografi të Oriq me një uniformë kamuflazhi, me automatik dhe dy gjerdanë me fishek të kryqëzuar para gjoksit.
Mbrojtja nga ana tjetër ka zgjedhur të përdorë 20 minuta nga koha e caktuar për të prej një orë e gjysëm për të shfaqur një filmim të bërë në Srebrenicë gjatë periudhës së ngjarjeve për të cilat akuzohet i pandehuri.
Në këto filmime shfaqeshin edhe fëmijë të plagosur nga predhat serbë dhe rreshta të gjata refugjatësh muslimanë të Bosnjes.
Oriq – i veshur me një kostum të hekurosur mirë dhe me kravatë me flokët e zinj të kthyer prapa – ka qëndruar i heshtur, duke mos ushtruar të drejtën e tij për t’ju drejtuar trupit gjykues në seancën e parë të procesit gjyqësor.
Lauren Etter është një bashkëpunëtoreçstazhiere me IWPR në Hagë.