Boshnjakët Indiferentë ndaj Ekstradimit të Millosheviqit
Nga Zlatko Dizdareviq në Sarajevo (BCR Nr.261, 4-Korrik-01)
Boshnjakët Indiferentë ndaj Ekstradimit të Millosheviqit
Nga Zlatko Dizdareviq në Sarajevo (BCR Nr.261, 4-Korrik-01)
Të mbijetuarit nga lufta në Bosnje kanë vetëm një ndjenjë neverie për këtë dhe veprime të tjera të komunitetit ndërkombëtar me të cilat ata janë ballafaquar gjatë viteve të fundit. Ajo që ka ndodhur javën e kaluar ka qenë tepër vonë - dhe është thjesht shembulli më i fundit i cinizmit të Perëndimit ndaj popullit të Bosnjes.
Në momentin kur vendi kishte nevojë të shpëtohej, ai nuk u ndihmua. Por kur të tjerët jashtë Bosnjes kishin nevojë të shpëtoheshin ata u ndihmuan. Kur nevojiteshin avionët për të mbrojtur Sarajevën dhe Srebrenicën, nuk u ofrua asnjë. Por kur pronarët e atyre avionëve kishin nevojë për ato, në mënyrë misterioze ato u dhanë.
Asnjë dënim, sado i ashpër, që të jepet në Hagë nuk do të mund të ndryshojë fatin e viktimave të tij të cilat nuk do të kishin vuajtur fare nëse Millosheviqi do të ishte ndaluar në momentin e duhur - dhe kur ishte e mundur të ndalohej ai.
Bosnja ka qenë një vend me njerëz tolerantë. Disa prej tyre kanë mbetur të tillë. Ata kurrë nuk kanë qenë të prirur për hakmarrje, dhe as për t'u kënaqur nga fatkeqësitë e të tjerëve. Por kur Millosheviqi i shitet gjykatës ndërkombëtare për krime lufte për të paguar për Serbinë 'që po vdes urie', është e vështirë të imagjinosh se ndonjë njeri këtu po ndjehet si triumfues.
Opinioni publik në Bosnje po i përgjigjet kësaj padrejtësie të re me heshtje. Pas njoftimit të parë për ekstradimin e "Sllobo-Slloboda" (kështu e thërrasin atë duke luajtur me emrin e tij që në Serbisht do të thotë "liri") në Hagë, të gjithë janë ndjerë të mashtruar.
E thënë qartë, Bosnja asnjë herë nuk ka kërkuar hakmarrje. Ajo ka kërkuar, shumë më tepër, drejtësi. Banorët e këtij vendi kanë besuar sinqerisht në të gjitha fjalët dhe rezolutat e mëdha të OKB-së për të drejtat e njeriut, të vërtetën, ligjin dhe drejtësinë. Ata janë mashtruar në mënyrë brutale në fillim të dekadës së fundit dhe çmimi i atij mashtrimi ka qenë tepër i madh, pothuajse i pallogaritshëm.
Më pas optimizmi ynë u forcua disi. Ne menduam se e keqja do të njihej dhe do të goditej. Askush nuk ka kërkuar përgjegjësi kolektive. Por njreëzit mendonin se do të kishte një mirëkuptim kolektiv në Serbi për atë që kishte ndodhur.
Një gjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, Millosheviqi është thjesht çmimi që Serbët duhet të paguajnë. Boshnjakët ndjehen përsëri të mashtruar, individualisht, personalisht. Papritmas, Millosheviqi ka marrë fund, ai është bërë i parëndësishëm dhe irrelevant. Por, për Boshnjakët, do të thotë sikur mashtrimi i përhershëm i ka pllakosur përsëri nga Serbia.
Natyrisht, Millosheviqi do të përfundonte në Hagë sepse pa atë çdo gjë do të ishte një farsë. Ka qenë përtej mundësive të pritej që drejtësia ndërkombëtare - cilado qoftë - të mbledhë dhe të gjykojë të gjithë kriminelët e luftës të cilët kanë qenë në Ballkan gjatë dekadës së fundit. Por që Millosheviqi të shpëtonte? Jo, Haga duhet të gjykonte Millosheviqin. Dhe, tani, të gjithë arrijnë në përfundimin se mesazhi i nënkuptuar i gjykatës - se kriminelët e luftës nuk mund të mbeten të padënuar - më në fund është bërë realitet.
Por është gjithashtu e pamundur të pritet që viktimat e tij të ndjehen të kënaqur tani që ideologu i krimeve ndaj tyre po përballet me drejtësinë. Ndoshta qetësia me të cilën njerëzit e thjeshtë në Bosnje po ndjekin fatin e të burgosurit të ri të Hagës është pasoja e ndonjë mungese perfeksioni human. Askush nuk duhet të pyesë Boshnjakët se si ndjehen sot sepse kjo gjë i vë ata në një pozitë të vështirë ku duhet të duken si të mirë dhe njerëz me tolerancë dhe gjithnjë pritet që ata të reagojnë ndaj veprimeve të cilat asnjë herë nuk kanë qenë të ndërshme apo tolerante.
Përndryshe, pyesni ata që e shitën ish drejtuesin e tyre, duke besuar se kjo mund ti shpëtojë ata. Prej tyre kërkohet shumë më tepër.
Zlatko Dizdareviq është një editorialist i njohur i së përjavëshmes Dani të Sarajevos.