Millosheviq Përdor Armën Psiqike

Spiritualistët e njohur në Serbi janë bërë një pjesë e rëndësishme e makinës së propagandës së Beogradit.

Millosheviq Përdor Armën Psiqike

Spiritualistët e njohur në Serbi janë bërë një pjesë e rëndësishme e makinës së propagandës së Beogradit.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Tuesday, 6 June, 2000

Gjatë dy javëve të fundit një nga gazetat zyrtare të Beogradit "Vecernje Novosti" ka botuar një buletin të përditshëm mjekësor për gjendjen e ish-aktores dhe Mis Jugosllavisë Milja Vujanoviq, pasi ajo është qëlluar dhe plagosur nga ish-burri i saj. Aftësia e zonjushës Vujanoviq për të tërhequr këtë vëmendje të veçantë të mediave, dikur të rezervuar vetëm për ish-presidentin jugosllav Tito, është një tregues i gjendjes së profesionit të saj të tanishëm - ajo është një fallxhore.


Të ndihmuar nga programet e rëndësishme televizive, spiritualistët kanë patur sukses të madh që prej fillimit të konfliktit në ish-Jugosllavi. Më saktë, ata janë bërë pjesë e makinës propagandistike. Gjatë vitit 1991 kur Ushtria Jugosllave bombardonte Vukovarin, Milja Vujanoviq përdorte programin e saj televiziv shumë popullor për të përshkruar serbët si "njerëz hyjnorë të përzgjedhur" dhe për të zbuluar "prova" rreth natyrës satanike të fuqive botërore. Vetëm gjatë tre vjetëve të fundit numri i fallxhorëve që kanë mundësi të përdorin median në Serbi është rritur në rreth 150. Numri i përgjithshëm i spiritualistëve mendohet të jetë të paktën katër herë më i madh. Aktorë, shkrimtarë dhe piktorë janë përfshirë në profeci si një mënyrë për të rritur popullaritetin e tyre.


Pagesa për një konsultim për "thënie fati" është rreth 500 marka gjermane - pesë herë më shumë se sa paga mesatare mujore, por "mbretëresha e spiritualistëve" e vetëshpallur, tranvestitia Kleo Patra kërkon dyfishin e kësaj shume. Talenti i saj ka bërë që ajo të blejë një vilë në Dedinje, lagja ekskluzive e Beogradit ku jeton edhe Sllobodan Millosheviq. "Unë kam kontakte të përditshme me qarqet më të larta të pushtetit. Ata rrallë herë bëjnë ndonjë hap pa u konsultuar më parë me mua," thotë ajo. "Ata më thërrasin dhe unë i drejtoj. Kështu qëndrojnë në pushtet." Deri tani askush nuk i ka hedhur poshtë këto deklarime të saj.


Natyrisht regjimi serb nuk është i pari që po shfrytëzon vlerat e paranormales - në maj 1942 Jozef Gebels ka shënuar në ditarin e tij: "Nevoja për të përfshirë okultin në propagandën tonë ... ne duhet t'i bëjmë presion të gjithë okultistëve që të vihen në shërbimin tonë". Deklarimet e medias së pavarur se regjimi përdor spiritualistët për qëllime të tij konfirmohen edhe nga pronari i një agjencie të njohur astrologjike në Beograd, i cili ka thënë për revistën e Beogradit "Vreme": "Shumica e spiritualistëve që njoh unë janë paralajmëruar nga njerëz me pushtet të mos flasin keq për qeverinë e tanishme dhe të përqëndrohen në shpërndarjen e energjive pozitive."


"Syri i Tretë", revista më e vjetër nga katër revistat e specializuara në magji, është krijuar nga vetë qeveria jugosllave. Tituj si "Ushtria amerikane pranon përdorimin e magjisë së zezë" zënë faqet e para dhe në numrin më të fundit revista ka botuar hartat astrologjike të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq dhe partnerit të tij në koalicion, ekstremistit Vojisllav Sheshelj.


Nuk është për t'u habitur që hartat tregojnë se Millosheviqi është i destinuar të sundojë Jugosllavinë. "Yjet i qeshin Sllobodan Millosheviqit. Ai ka shumë armiq, por kjo është diçka e pritshme. Ai është njeriu më i mirë, kështu që është normale që shumë të tjerë përpiqen ta largojnë atë nga pushteti. Shenja e tij e lindjes është Luani e shenja e Jugosllavisë është Demi dhe kjo tregon se ata janë të pandashëm nga njëri tjetri. Vitet e ardhshme do të jenë të vështira," shton revista.


Shtëpia botuese shtetërore "Politika" ka në pronësi edhe tre revista të tjera magjike. E njohur për nxitjen e urrejtjes përpara luftës, që prej vitit 1994 Politika ka publikuar mbi 80 spiritualistë dhe fallxhorë të cilët bashkohen në lavdërimin e cilësive superiore të Sllobodan Millosheviqit dhe në parashikimin se ai do të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2010. "Unë nuk dua që njerëzit të më keqkuptojnë, por nga të gjithë ata në pushtet dhe që luftojnë për pushtet, i vetmi njeri që ia vlen është Millosheviq. Vetëm ai mund të fitojë ndaj djallit. Ai nuk duhet të bjerë. Nëse ai humbet pushtetin Serbia do të jetë e mbaruar," parashikon një nga fallxhorët më të njohur, Gjyshi Miloje.


Spiritualistët natyrisht që kanë një popullaritet të madh në Serbi. Sociologët që kanë kryer një studim në Beograd pas bombardimit të Jugosllavisë në qershor 1999 kanë zbuluar se shumica e beogradasve janë supersticiozë. Kur u pyetën në se "besoni tek spiritualistët dhe parashikimet e tyre se të gjithë vendet anëtare të NATO-s do të ndëshkohen së shpejti nga katastrofa natyrale dhe epidemi?", mbi 50 përqind e të pyeturve janë përgjigjur "Po" dhe vetëm 11 përqind e kanë përshkruar pyetjen si "budallallëk".


"Mungesa e sigurisë, shqetësimi, ndjenja e frikës, pazotësia dhe dobësia personale i inkurajojnë njerëzit të braktisin rrugën e kontrollit racional", shpjegon profesori i psikologjisë Dragan Popadiq duke komentuar rezultatet e studimit. "Klima autoritare që mbizotëron këtu natyrisht që inkurajon përhapjen e supersticionit."


Mungesa e kujtesës ndihmon popullsinë të ruajë besimin tek parashikimet. Vetëm një vit më parë spiritualistja e njohur "Zorka" ka parashikuar se partia e presidentit Sllobodan Millosheviq do të triumfojë në zgjedhjet e këtij viti, se presidenti amerikan Bill Klinton do të bëjë vetëvrasje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan do të varë veten dhe se Rusia e SHBA do të përfshihen në një konflikt lokal i cili do të bënte që Serbia të rifitonte disa nga territoret e humbura. Ajo ka parashikuar gjithashtu një bombardim të dytë të Jugosllavisë, në të cilin serbët do të triumfojnë duke i lënë sulmuesit e tyre të "ndëshkohen nga djalli i madh".


Në fakt këto paralajmërime për një bombardim të dytë janë shfaqur në debatin publik këtë vit, por sapo ushtria jugosllave bëri një deklaratë me anë të së cilës deklaroi se "armiqtë e shtetit po përhapi një atmosferë frike për një sulm të ri," parashikimet u zhdukën si me magji.


Ndërsa vendi është i ngërthyer në një krizë ekonomike dhe politike, optimizmi është gjithnjë e më i rëndësishëm për regjimin. Atëherë nuk është aspak për t'u habitur që javën e kaluar profeti doktor Vuk botoi një ese për të ardhmen e Jugosllavisë duke parashikuar se Xhorxh Bush i Riu do të fitojë presidencën në SHBA dhe se Serbia do të lulëzojë pas kësaj.


"Sanksionet do të hiqen pa kushte," vazhdon ai. "Serbët do të bëhen përsëri njerëz të mirë dhe fqinjët tanë do të shihen ashtu siç janë në të vërtetë - njerëz të këqinj dhe lojtarë të parëndësishëm. Kosova do t'i kthehet Serbisë me kusht që amerikanët të mbajnë bazën e tyre në Ferizaj. Ata do të kërkojnë lejen tonë për të përdorur Danubin përsëri dhe do të paguajnë shumë për këto privilegje ...". Kjo është më tepër një përmbledhje e ëndërrave të çmendura të regjimit se sa një parashikim.


Jelena Grujiq është bashkëpunëtore e IWPR-së nga Beogradi.


Balkans, Serbia, Russia
Frontline Updates
Support local journalists