Kriza e Re Malazeze

Rrëzimi i nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit e ka hedhur Malin e Zi në një situatë të trazuar politike.

Kriza e Re Malazeze

Rrëzimi i nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit e ka hedhur Malin e Zi në një situatë të trazuar politike.

Tuesday, 6 September, 2005

Posterat e vendosur nga qeveria malazeze, ku u bëhej thirrje zgjedhësve të bojkotonin zgjedhjet e fundit, ende janë të vendosura në vendet e tyre në të gjithë kryeqytetin e republikës së vogël, Podgoricë. Tetëdhjetë përqind e popullsisë iu përgjigj kësaj thirrjeje duke mos votuar.


Podgorica nuk është shumë entuziaste për ndryshimet e fundit në Jugosllavi. "Presidenca e Koshtunicës, duke gjykuar nga disa deklarata të tij, nuk do të ndryshojë asgjë në Mal të Zi - ai është një nacionalist serb," thotë Momo, një student 20 vjeçar, duke pasqyruar kështu edhe ndjenjën kryesore të shumë malazezëve.


Presidenti jugosllav Vojisllav Koshtunica ka premtuar të zgjidhë krizën për statusin e Malit të Zi në kuadrin e federatës, që konsiderohet si një nga detyrat më të vështira me të cilat përballet administrata e tij e re.


Dalja nga skena e Millosheviqit e ka zhytur republikën e vogël në një situatë të trazuar politike dhe nuk ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve të acaruara ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit. Koalicioni qeveritar - ku marrin pjesë Partia Demokratike e Socialistëve, PDS, e Gjukanoviqit, Partia Social Demokrate, PSD, e Zharko Rkçeviq, dhe Partia Popullore, NS, e Dragan Soc, - është në krizë dhe mund të shkatërrohet.


Pas largimit të Millosheviqit NS-ja kërkon që Mali i Zi të bashkohet me federatën jugosllave. Në një konferencë për shtyp më 12 tetor, zëvendëspresidenti i NS-së Predrag Popoviq kritikoi ata politikanë malazezë që e quajtën fitoren e Koshtunicës jolegjitime dhe paralajmëroi se shumë shpejt ata mund të gjendeshin të izoluar nga komuniteti ndërkombëtar.


Disa anëtarë të PDS-së, veçanërisht kryetari i parlamentit malazez Svetozar Maroviq, kanë lënë të kuptohet se ata mbështesin vazhdimin e bashkimit me Serbinë. Maroviq ka vendosur lidhje të forta me Partinë Popullore Socialiste pro Beogradit, SNP - një grup të cilin Koshtunica duhet ta mbajë në anën e tij me qëllim që të sigurojë shumicën e nevojshme në parlamentin federal.


Por problemet me të cilat përballet Koshtunica në krijimin e një qeverie të re federale kanë ndërlikuar bisedimet me Gjukanoviqin. Presidenti jugosllav duhet të pranojë realitetin që forcat besnike ndaj Millosheviqit kontrollojnë ende parlamentin serb dhe disa ministri të rëndësishme.


Sipas kushtetutës, kur një serb është president, një malazez duhet të vendoset në postin e kryeministrit federal. Duke qenë i varur në përkrahjen e deputetëve malazezë të SNP-së për të siguruar një shumicë në parlamentin federal, Koshtunica i ka ofruar postin SNP-së, një lëvizje e cila ka shkaktuar reagimin e qeverisë së Gjukanoviqit duke mos pranuar administratën federale.


Në përpjekje për të bindur Gjukanoviqin, Koshtunica i ka ofruar disa poste ministrore PDS-së, por këto koncesione janë hedhur poshtë në takimet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve.


Drejtori i Qendrës Malazeze për Demokraci, Srxhan Darmanoviq, ka thënë që dhënia e postit të kryeministrit SNP-së do të ishte "injorim i dëshirës së shumicës" së malazezëve.


"Kjo ka hapur një çështje tjetër: Mali i Zi duhet të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë në të ardhmen," ka thënë ai. "Të pranosh se SNP-ja ka të drejtën të përfaqësojë Malin e Zi është një provokim për qytetarët e tij."


Në rradhët e Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, ekzistojnë ndryshime të thella në lidhje me mënyrën e trajtimit të Malit të Zi. Drejtuesi i fushatës elektorale të DOS-it, Zoran Gjingjiq, është shumë më popullor në Podgoricë se Koshtunica për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me politikanët malazezë, përfshirë Gjukanoviq, dhe reputacionin e tij si pragmatist.


Gjingjiq, i cili drejton partinë më të madhe në gjirin e koalicionit DOS, është në favor të vendosjes së një qeverie kalimtare 'ekspertësh', ku të përfshihen edhe përfaqësues nga partitë në pushtet në Malin e Zi. Ai parashikon një bashkim serbo-malazez të bazuar në mbrojtje të përbashkët dhe në interesa të përbashkëta në fushën e politikës së jashtme dhe ekonomike. Gjukanoviq ka thënë se një kompromis i tillë do të ishte i pranueshëm, të paktën deri në organizimin e zgjedhjeve parlamentare në Serbinë fund të vitit.


Ndërkohë Koshtunica konsiderohet si një politikan me aspirata nacionaliste - megjithëse që kur ka marrë në dorë presidencën ai ka thënë se do të mbështesë organizimin e referendumeve në Serbi dhe Mal të Zi për sa i përket së ardhmes së federatës jugosllave.


Gjendja vështirësohet edhe më tepër nga fakti se PDS-ja e Gjukanoviqit ende nuk është shprehur qartë nëse e mbështet pavarësinë e menjëherëshme, ndonjë formë federate, apo nëse planifikon të përdorë manifestin e saj për ribërjen e federatës.


I quajtur "Platforma për Ripërcaktimin e Marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë," dokumenti i është paraqitur qeverisë federale në gusht të vitit 1998. Ai bën thirrje për pavarësi më të madhe dhe zëvendësimin e federatës së tanishme me një konfederatë më të lirshme.


Nëse Gjukanoviq do të vendosë për pavarësinë, PDS-ja mund të gjendet nën presion nga perëndimi. Pas një takimi me Gjukanoviq më 13 tetor, i dërguari special amerikan Xheims O'Brajën tha: "SHBA nuk mbështesin pavarësinë e Malit të Zi". Ai tha se ekzistojnë mundësi të reja për "dialog me forcat demokratike në Beograd", të cilat mund të japin një zgjidhje të kënaqëshme për të dyja republikat.


PDS nga ana e saj nuk është unanime në përkrahjen e pavarësisë. Një hap i tillë mund të largonte një numër të madh votuesish, të cilët kërkojnë futjen në fuqi të manifestit të vitit 1998. Analistët në Podgoricë theksojnë se kompromisi i parashikuar në këtë dokument nuk kënaq më as Partinë Liberale pro pavarësisë, as partnerët e koalicionit të presidentit, PSD-në.


PSD-ja përkrah një aleancë të ardhshme me Serbinë mbështetur në një bashkim të lirë të shteteve sovrane të njohura ndërkombëtarisht me disa interesa të përbashkëta. Zëvendëspresidenti i PSD-së, Ranko Krivokapiq, thotë: "Mali i Zi është i interesuar për bisedime të mëtejshme me Serbinë dhe në këtë kuptim me Koshtunicën." Por ai ka shtuar se Koshtunica nuk "konsiderohet si një përfaqësues legjitim i RFJ-së" në Mal të Zi.


Megjithatë një deklaratë zyrtare e zyrës së Gjukanoviqit më 18 tetor i është referuar Koshtunicës si presidenti i Jugosllavisë.


"Gjërat do të sqarohen pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi," parashikon Miko Zhivkoviq, drejtuesi i Partisë Liberale. Megjithëse partia e tij ka mirëpritur fitoren e Koshtunicës, liberalët dyshojnë se fitorja e tij ka dëmtuar përpjekjet e Malit të Zi për pavarësinë.


"Unë jam i sigurtë se Gjukanoviq do të arrijë një marrëveshje me Koshtunicën dhe Gjingjiqin për sa i përket krijimit të një Jugosllavie të re," ka thënë Zhivkoviq me një ndjenjë dorëzimi.


Një faktor tjetër i cili e ndërlikon më tepër gjendjen është Sanxhaku, një rajon me popullsi kryesisht myslimane në kufi me Bosnje Hercegovinën dhe në territorin e Serbisë e Malit të Zi.


Drejtuesi i Partisë për Veprim Demokratik Sulejman Ugljanin mbështet pavarësinë e Malit të Zi si një parathënie e pavarësisë për Sanxhakun.


Rasim Ljajiq, drejtuesi i Partisë së Bashkimit Demokratik dhe anëtar i koalicionit DOS, thotë se bisedimet për ripërcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi duhet të fillojnë sa më shpejt. Ai përkrah një bashkim më të decentralizuar me autonomi më të madhe rajonale për Malin e Zi, Sanxhakun dhe Vojvodinën.


"Millosheviq ka shkatërruar të gjithë elementët e federatës," ka thënë Ljajiq. "Shteti i ardhshëm do të jetë në gjendje të minimizojë antagonizmin etnik, i cili ka mbizotëruar në vend më parë."


Vetëm dy javë më parë, Koshtunica jetonte në një lagje të zakonshme të Beogradit duke ngarë një makinë të vjetër. Tani është rradha e tij të merret me mozaikun e ngatërruar ballkanik. Koha do ta tregojë nëse ai do të jetë në gjendje të gjejë një zgjidhje për të.


Por vendosmëria e Koshtunicës për të rikthyer Jugosllavinë në familjen europiane të bën të mendosh se ai ka në plan të zgjidhë problemin me mjete demokratike dhe jo me metodat e dorës së fortë të paraardhësit të tij.


Dragana Nikoliq është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists