A Po Përgatitet Trajkoviq për Zgjedhje?

Komuniteti ndërkombëtar po i vendos shpresat e tij tek udhëheqësi i moderuar i serbëve të Kosovës Momçillo Trajkoviq.

A Po Përgatitet Trajkoviq për Zgjedhje?

Komuniteti ndërkombëtar po i vendos shpresat e tij tek udhëheqësi i moderuar i serbëve të Kosovës Momçillo Trajkoviq.

Po shtohen zërat se drejtuesi i serbëve të Kosovës, Momçillo Trajkoviq, do të marë pjesë në zgjedhjet lokale në provincë të planifikuara për më vonë këtë vit, një lëvizje e cila me siguri do të zemërojë shefat e tij të dikurshëm në Beograd.


Udhëheqja e Beogradit u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë të bojkotojnë zgjedhjet e planifikuara për në tetor, ndërsa refugjatët serbë në Serbi nuk janë lejuar të regjistrohen si votues. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale konsiderohet si tepër e rëndësishme, sepse pa pjesëmarrjen e tyre votimet nuk do të kenë legjitimitet.


Trajkoviq, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, së fundi ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli Kombëtar Serb (KKS) - një organizëm civil i mbështetur tek kisha, i cili zhvillon fushatë në emër të serbëve të Kosovës, por nuk ka mandatin për t'i përfaqësuar ata në zgjedhje.


Pas dorëheqjes së tij, Trajkoviq ka lënë të kuptohet se ai do të marrë pjesë në zgjedhje si drejtuesi i Lëvizjes së Qëndresës Serbe, një parti e serbëve të Kosovës e themeluar disa vjetë më pare, e cila ka mbajtur një pozicion të moderuar gjatë kohëve të fundit. Ai ka thënë se serbët e provincës kishin nevojë për një zë të tyrin.


UNMIK natyrisht do të përfitonte nga kandidimi i Trajkoviqit, sepse ai mbështet synimin e tyre për ri-integrimin e serbëve në provincë. Disa njerëz thonë se ai mund të jetë aq i dobishëm për komunitetin ndërkombëtar sa edhe kryeministri i moderuar i Republika Srpska, Milorad Dodik.


Nevoja për një udhëheqës të fortë të moderuar serb në provincë është bërë një çështje shumë e rëndësishme. Beogradi ushtron një influencë të madhe në enklavat serbe në Kosovë. Partia Socialiste Serbe në pushtet, SPS, kontrollon median dhe institucionet e tjera civile e politike në këto zona.


Trajkoviq i vetëm do ta ketë të vështirë të pakësojë kontrollin e Millosheviqit mbi serbët e provincës, por ai mund të përfaqësojë të paktën ata që e ndjejnë se mund të fitojnë më shumë nëse luftojnë për të drejtat e tyre në Kosovë se sa të mbështeten tek Beogradi i cili do të mendojë për mirëqënien e tyre.


Për ironi të fatit, ngritja politike e Trajkoviqit është e lidhur me SPS dhe udhëheqësin e saj, Sllobodan Millosheviqin. Ai ka qenë krahu i djathtë i Millosheviqit në Kosovë në vitet tetëdhjetë dhe fillimin e viteve nëntëdhjetë. Megjithëse ai ka përkrahur heqjen e statusit të autonomisë, ai më vonë u pozicionua kundër politikës së regjimit në provincë.


Ai krijoi Lëvizjen e Qëndresës si një mjet alterantiv politik për serbët e moderuar dhe ka udhëtuar shpesh jashtë vendit për të promovuar idetë e tij. Pas fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Kosova, Trajkoviq qendroi në provincë dhe tetorin e kaluar ndihmoi në ngritjen e Këshillit Kombëtar Serb.


Në takimin themelues të organizatës, në të cilën bëjnë pjesë edhe peshkopi Artemije dhe përfaqësues të tjerë të moderuar, Trajkoviq ka thënë: "Serbët e Kosovës kanë nevojë për udhëheqës të cilët jetojnë me ta dhe jo për kukulla të cilët zbatojnë qorrazi urdhërat e të tjerëve." Për më tepër, duke aluduar për politikën e dështuar të Millosheviqit në Kosovë, ai ka thënë se kishte ardhur koha që minoriteti të "marrë në dorë fatin e tij politik".


Trajkoviq, i cili i ka shpëtuar një atentati të kryer nga ekstremistë shqiptarë nëntorin e kaluar, duket se kohët e fundit ka luajtur një rol më të vogël në KKS duke ngjallur zëra sipas të cilave ai ishte larguar nga kolegët e tij.


Megjithatë shpjegimi më i mundshëm është se ai ka pakësuar përfshirjen e tij në Këshill në kuadrin e përgatitjeve për një rol më politik si kryetar i Lëvizjes së Qëndresës.


Zërat për pjesëmarrjen e mundshme të tij në zgjedhjet e ardhshme kanë dalë në një moment tepër të rëndësishëm për serbët në Kosovë. Shtimi i sulmeve terroriste ndaj pakicës serbe e ka pakësuar besimin e tyre për të ardhmen - dhe mund të rrezikojë planet për kthimin e dhjetra mijëra refugjatëve që janë strehuar në Serbi.


KKS ka dënuar dhunën ekstremiste shqiptare dhe është tërhequr në shenjë proteste nga Këshilli Administrativ i Përkohshëm. Trajkoviq e përkrahur këtë hap, por nuk është shprehur rreth përshkallëzimit alarmant të tensioneve ndërmjet dy komuniteteve.


Serbët e mbetur në Kosovë nuk dinë nëse dhuna është fillimi i fundit të tyre. Kariera politike e Trajkoviqit këtu do të varet nga mënyra se si ai do të adresojë shqetësimet e tyre.


Zvonko Tarle është kryeredaktor i Radio Kontakt në Prishtinë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists