Millosheviqi në Gjyq
Shumë njerëz në Serbi dëshirojnë që Millosheviq të paguajë për krimet që ka kryer ndaj popullit serb.
Millosheviqi në Gjyq
Shumë njerëz në Serbi dëshirojnë që Millosheviq të paguajë për krimet që ka kryer ndaj popullit serb.
Po shtohen thirrjet në Serbi të cilat kërkojnë dënimin e Sllobodan Millosheviqit për korrupsion dhe mashtrim elektoral gjatë sundimit të tij 13-vjeçar.
Megjithatë për momentin Beogradi nuk ka dëshirë të pranojë ekstradimin e ish-presidentit në Gjykatën e Hagës për t'u përballur me akuzat për krime lufte.
Drejtuesit e Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, javën e kaluar ngulën këmbë që Millosheviq të dalë në gjyq për krimet e kryera në Serbi. Sipas Washington Post, presidenti jugosllav Vojisllav Koshtunica u ka thënë diplomatëve të huaj në Beograd se paraardhësi i tij mund të akuzohet për "aktivitete të paligjshme". Koshtunica nuk ka dashur të jetë më specifik, por korrupsioni dhe mashtrimi elektoral duket të jenë akuzat më të mundshme.
Arsyet e këtyre thirrjeve të DOS-it për dënimin e Millosheviqit janë kryesisht politike. Ish-presidenti gjendet ende i mbyllur në rezidencën e tij dhe vazhdon të kontrollojë Partinë Socialiste të Serbisë, SPS, parlamentin republikan, si edhe një pjesë të policisë, ushtrisë dhe njësive paraushtarake.
Nëse ai gjykohet, pjesa më e madhe e drejtuesve të DOS-it mendojnë se ato qendra të pushtetit të tij, të cilat kanë bllokuar që prej dy javësh krijimin e një qeverie të re, më së fundi do të bien.
Komuniteti ndërkombëtar, tepër i rëndësishëm për rimëkëmbjen ekonomike të Jugosllavisë, po kërkon largimin e Millosheviqit nga jeta politike - diçka që mund të arrihet nga një gjyq. Dhe së fundi, por gjithsesi mjaft e rëndësishme, nëse Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjykohen e dënohen, rrjeti i tregut të zi i organizuar nga djali i tij Marko do të ndërpritej.
Komuniteti ndërkombëtar përkrah fuqimisht idenë e një gjyqi. Gjatë ditëve të fundit kanë dalë në dritë një sërë të dhënash për aktivitetet e jashtëligjshme të Millosheviqit.
Fundjavën e kaluar, gjatë një takimi me drejtues të vendeve të Bashkimit Europian në Biarritz, Koshtunica ka marrë informacione lidhur me 57 milion dollarë amerikanë të ngrira në llogari bankare në Zvicër që u përkasin bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, përfshirë presidentin serb Milan Milutinoviq dhe ish-ministrin e mbrojtjes gjenerali Dragoljub Ojdaniq.
Ndërkohë revista franceze Intelligence World ka cituar burime të shërbimeve sekrete amerikane, të cilat thonë se Millosheviq kishte "kërkuar si një nga garancitë kryesore për largimin nga pushteti që ai të lejohej të përdorte pasurinë e tij të konsiderueshme të mbajtur në mënyrë sekrete në Qipro, Liban, Kinë, Afrikë e Jugut."
Shërbimi sekret gjerman, BND, thotë se ka prova të sigurta që Millosheviq dhe klani i tij janë të përfshirë në krim të organizuar, si në trafik droge dhe pastrim parash.
Gazeta e përditshme gjermane Bild ka cituar dokumente, sipas të cilave Millosheviq dhe djali i tij kishin grumbulluar qindra miliona dollarë nëpërmjet krimit të organizuar - para të cilat tani thuhet se mbahen në llogari bankare në Qipro, Zvicër, Rusi, Kinë, Greqi, Afrikë e Jugut dhe Liban.
BND thotë se rreth 60 miq të Millosheviqit kontrollojnë të gjithë ekonominë serbe, përfshirë këtu edhe kryetarin e parlamentit serb Dragan Tomiq, kryeministrin serb Mirko Marjanoviq dhe ish-ministrin e energjisë Dragan Kostiq.
Kjo valë informacionesh ka bërë që disa anëtarë të SPS-së së Millosheviqit të kërkojnë ndëshkimin e të korruptuarve. "Nuk mund të ketë falje për ata që kanë përvetësuar prona, para, firma private në kurriz të vuajtjeve dhe varfërisë së popullit," thotë zyrtari i SPS-së Borivoje Drakuloviq.
Por mbetet e paqartë nëse Millosheviq do të gjykohet në Serbi për korrupsion apo krime lufte.
Gjykatësi nga Beogradi Bozhidar Preleviq, i cili u shkarkua nga qeveria e Millosheviqit vitin e kaluar, thotë se ish-presidenti duhet të gjykohet për një sërë krimesh të rënda, përfshirë thirrje për të kryer genocid e krime lufte dhe thirrje për nxitjen e dhunës raciale e fetare. "Të vetmet ligje të cilat Millosheviq nuk ka thyer janë ligjet e fizikës së Njutonit," thotë ai.
Por nga të gjithë politikanët e DOS-it vetëm Zharko Koraç, drejtuesi i Bashkimit Social Demokrat, ka bërë thirrje publikisht për të akuzuar Millosheviqin për krime lufte të kryera gjatë konfiliktit në Jugosllavi. "Ne në Serbi duhet të themi se cilët janë kriminelët e luftës dhe nëse ata janë në rradhët tona," ka thënë Koraç.
Pjesa më e madhe e drejtuesve të DOS-it kanë përkrahur pozicionin e Koshtunicës - Haga "nuk përbën një prioritet."
Po ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar mendon se pozicioni i Koshtunicës është ende i dobët për të përballuar kundërshtimin publik ndaj ekstradimit të Millosheviqit. Bodo Hombah, koordinatori i Paktit të Stabilitetit, ka thënë se do të ishte fatale të ngarkohej Koshtunica me Hagën. Kjo çështje është "shtyrë dhe jo harruar".
Edhe kryeprokurorja e gjykatës Karla Del Ponte ka lënë të kuptohet se ajo përkohësisht nuk do të kërkojë ekstradimin e Millosheviqit. "Unë do të pres, por jo përgjithnjë," ka thënë ajo.
Javën e kaluar del Ponte i shkroi Koshtunicës duke i kërkuar një takim për të diskutuar "problemet e bashkëpunimit në tërësi të Beogradit me gjykatën dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me punën e prokurorisë." Ajo ende nuk ka marrë përgjigje.
Koshtunica në fakt ka pranuar në Biarritz se bashkëpunimi me gjykatën e krimeve të luftës është një detyrim ndërkombëtar ligjor, i pranuar nga vetë Millosheviqi si një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Dejtonit.
Haga ka lëshuar disa sinjale kontradiktore për sa i përket mundësisë së gjykimit të krimeve të luftës në Serbi. Zëdhënësi i kryeprokurores Dominik Rejmon ka thënë për të përjavëshmen zvicerane Lebdo se çështja e juridiksionit do të varej nga bisedimet e mëvonshme midis Del Pontes dhe Koshtunicës.
Megjithatë të mërkurën zëdhënësi i gjykatës Xhim Landeil tha se ata do të këmbëngulnin që gjyqi të zhvillohej në Hagë.
"Asgjë nuk do të ndryshojë për sa i përket kësaj, edhe nëse Millosheviq do të gjykohet në Serbi për krime 'ordinere' dhe jo për krime lufte," ka thënë ai. "Në atë rast, gjykata mund t'i referohej avantazhit që i është dhënë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së ndaj gjykatave kombëtare."
Një përgjigje përfundimtare mund të vijë nga takimet e propozuara ndërmjet Del Ponte dhe Koshtunicës. Deri atëherë, pavarësisht nga fakti që shumë njerëz bëjnë thirrje për dënimin e Millosheviqit, nuk ka një konsensus për çfarë duhet të akuzohet, apo se ku duhet të zhvillohet gjyqi.
Një gjyq në Serbi, me bashkëpunimin e gjykatës, mund të ketë disa avantazhe për vendin - do të largonte nevojën për ekstradimin e Millosheviqit dhe mund të zgjeronte fushën e akuzave duke e akuzuar atë edhe për korrupsion, diçka që do të siguronte një mbështetje thuajse të plotë nga publiku serb.
Përvoja e Bosnjes tregon një interes të vogël nga ana e njerëzve për atë që ndodh me të akuzuarit në Hagë. Një gjyq në Beograd do të kishte një publicitet të madh dhe do të detyronte serbët të përballeshin me krimet e kryera në emër të tyre.
Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.