Tregtia e Imigrantëve në Mal të Zi
Kriminelë malazezë po përfitojnë nga tregtia në rritje e imigrantëve ilegalë.
Tregtia e Imigrantëve në Mal të Zi
Kriminelë malazezë po përfitojnë nga tregtia në rritje e imigrantëve ilegalë.
Dy oficerë të Ushtrisë Jugosllave, UJ, që shërbejnë në Mal të Zi janë arrestuar së fundi pasi policia zbuloi 25 imigrantë ilegalë kinezë në makinën e tyre.
Oficerët kanë pranuar se u kishin marrë imigrantëve nga 500 marka gjermane për person për t'i transportuar nga Podgorica në Jaz, një plazh pranë Budvas, nga ku ata shpresonin të niseshin ilegalisht nëpërmjet Adriatikut për në Italinë e jugut.
Incidenti ka shkaktuar reagime politike këtu, sepse UJ kishte akuzuar pak kohë më parë policinë besnike të presidentit malazez Milo Gjukanoviq për trafik dhe aktivitete të tjera kriminale.
Por me të vërtetë që episodi ka treguar më shumë për tregtinë në rritje të imigrantëve ilegalë ndërmjet Malit të Zi dhe Italisë. Policia italiane çdo javë arreston rreth njëmijë imigrantë përgjatë vijës bregdetare në bregun e Pulias prej rreth 70 km gjatësi.
Në fillim të muajit gusht, një grup marinarësh të dyshuar se dërgonin imigrantët në bregun tjetër të Adriatikut u arrestuan. Arrestimi i tyre u bë pas njoftimeve se dy vajza kineze u mbytën pasi u detyruan të hidhen nga varka prej kontrabandistëve malazezë.
Shtimi i kësaj tregtie vjen një vit pasi rreth njëqind romë vdiqën ndërsa anija me të cilën po udhëtonin drejt brigjeve italiane u mbyt.
Pak kohë më pas një traget në linjën Tivar-Bari gjeti në mes të detit një anije që po mbytej me rreth 69 persona - përfshirë 30 fëmijë. Ata për fat shpëtuan të gjithë.
Tregtia e njerëzve nuk është një aktivitet i njohur. Organizatorët shumë rrallë përfundojnë në duart e drejtësisë për shkak të korrupsionit në rradhët e qeverisë. Publiku shpesh informohet për këtë biznes të frikshëm vetëm kur ndonjë anije me imigrantë mbytet gjatë rrugës për në Itali.
Kontrabanda e imigrantëve në këtë territor mendohet se ka filluar nga kontrabandistët e cigareve rreth katër vjetë më parë. Kjo tregti lulëzoi veçanërisht gjatë periudhës së krizës në Kosovë kur një numër i madh shqiptarësh dhe romësh u larguan si refugjatë nga Kosova - shumë prej të cilëve ishin të vendosur të shkonin me çdo kusht në Europën perëndimore.
Ky trafik është shtuar që prej asaj kohe falë lidhjeve të ngushta të Serbisë me Kinën dhe përmirësimit të marrëdhënieve të Sarajevës me Teheranin. Dy herë në ditë avionë jugosllav ulen në aeroportin e Beogradit të mbushur me pasagjerë kinezë të vendosur për të shkuar në perëndim. Ndërkohë imigrantët iranianë fluturojnë për në Bosnje, ku nuk kanë detyrim të regjistrohen në polici nëse nuk qëndrojnë më shumë se 90 ditë - një kohë më se e mjaftueshme për të gjetur lidhjet me dikë për kalimin në Itali.
Imigrantët transportohen për në qendra pranë brigjeve malazeze. Më pas ata transportohen me furgona gjatë natës nëpër rrugë të parrahura drejt gjireve të fshehta, nga ku nisen me skafe drejt Italisë.
Grupe të vogla transportohen me anë të motorskafeve të fuqishëm, të cilët përdoren edhe për kontrabandën e cigareve.
Grupet e mëdha nisen me anije. Rruga u kushton imigrantëve rreth 2,000-3,000 marka gjermane. Në raste kur trafikantët përdorin anije të mëdha, ata i braktisin ata në afërsi të brigjeve italiane, duke u kthyer vetë pas me skafe të shpejta. Ata i lenë pasagjerët në mes të detit, të cilët detyrohen të drejtojnë vetë anijet drejt brigjeve italiane ku edhe zbulohen nga rojet bregdetare. Kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, trupat e imigrantëve të mbytur dalin nëpër plazhet e Adriatikut.
Zoran Raduloviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.