Serbia Shtrëngon Frerët E Malit Të Zi
Dislokimi i trupave të Ushtrisë Jugosllave në kufirin e Malit të Zi ka shtrënguar rrethimin e Beogradit ndaj republikës së vogël.
Serbia Shtrëngon Frerët E Malit Të Zi
Dislokimi i trupave të Ushtrisë Jugosllave në kufirin e Malit të Zi ka shtrënguar rrethimin e Beogradit ndaj republikës së vogël.
Forcat e Ushtrisë Jugosllave në Mal të Zi njoftohet se kanë marrë nën kontroll pikat e kufirit me Shqipërinë dhe Bosnje Herzegovinën, duke shtuar tensionet ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës.
Përshkallëzimi në mosmarrëveshjen e vjetër ndërmjet dy republikave vjen menjëherë pasi Ushtria Jugosllave ka përforcuar njësitë e saj në republikë. "Përgjigja e duhur e Malit të Zi ndaj hapave të Beogradit mund të çojë në një konflikt serioz," ka paralajmëruar një diplomat perëndimor.
Mali i Zi, partneri i Serbisë në federatën Jugosllave, ka vite që përpiqet të largohet nga Beogradi. Ndërsa qeveria e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq ka përjashtuar dhënien e një statusi të barabartë ndërmjet republikave, Podgorica ka ndërmarrë disa hapa drejt pavarësisë.
Megjithëse Beogradi ruan kontrollin ndaj forcave federale atje, administrata malazeze e presidentit Millo Gjukanoviq ka krijuar një forcë policore gjithnjë e më të fuqishme, ka marrë përsipër përgjegjësinë për marrëdhëniet ndërkombëtare, ekonominë dhe monedhën.
Preokupimet e Millosheviqit me çështje të tjera si ajo e Kosovës ka ndihmuar deri më tani Gjukanoviqin që të shmangë një konflikt të drejt për drejtë. Ndoshta kjo gjë mund të mos jetë më e mundur. Ushtarë të armatosur të Armatës së Dytë Jugosllave tani janë vendosur pranë kufirit shqiptar, në pikën e kalimit në Bozhaj, duke kontrolluar trafikun, dokumentat - dhe duke shkaktuar shumë frikë në popullsinë lokale e cila është kryesisht shqiptare.
"Ky është një kontroll i thjeshtë trafiku i mjeteve dhe udhëtarëve, që hyjnë në Mal të Zi apo shkojnë në Shqipëri, asgjë më tepër," thotë një ushtar në një pikë kontrolli. Por prania e këtyre ushtarëve është një shkelje e kushtetutës në bazë të së cilës kontrolli i kufijve është përgjegjësi e policisë malazeze dhe jo e ushtrisë jugosllave.
Njoftimet nga Podgorica thonë se Ushtria Jugosllave ka vendosur trupa edhe përgjatë kufirit malazezo-boshnjak, megjithëse pika e kalimit kufitar në Scepan Polje mbetet e hapur.
Edhe kufiri serbo-malazez është i ruajtur mirë, dhe së fundi policia e rregullt po ndihmohet edhe nga ajo ushtarake, duke ndaluar kështu pothuajse krejtësisht tregtinë që zhvillohet ndërmjet dy republikave. Gjatë javës së kaluar, pasagjerët që kanë mbërritur me avion në Beograd nga Mali i Zi u janë nënshtruar kontrolleve të dokumentave dhe bagazheve të tyre. Disa syresh janë arrestuar.
Forcat federale duket se përbëjnë një kërcënim të dukshëm për Malin e Zi. Republika nuk ka bërë akoma asnjë përgjigje zyrtare, por prapa skenave qeveria e Gjukanoviqit ka përforcuar forcat e saj policore, të cilat tani mendohet të numërojnë në rradhët e tyre mbi 10,000 njerëz. Kjo forcë policore ka në përbërje të saj edhe njësi tepër speciale të cilat janë besnike të udhëheqjes politike të Malit të Zi.
Trupat e Ushtrisë Jugosllave megjithatë kanë shprehur kritika për udhëheqjen e ushtrisë federale, sipas burimeve ushtarake të cituara nga e perjavëshmja e Podgoricës, Monitor. Disa ushtarë kanë thënë se ata vazhdojnë të shërbejnë si ushtarë në Mal të Zi vetëm për faktin se nuk mund të gjejnë një punë tjetër. "Përdorimi i ushtrisë kundër MUP-it (policisë) malazeze dhe popullsisë do të çonte në shkatërrimin përfundimtar të Ushtrisë Jugosllave," ka thënë për Monitor një oficer i lartë i ushtrisë.
Mospajtimet në rradhët e ushtrisë kanë çuar vitin e kaluar në krijimin e Batalionit të 7 - një forcë elite krejtësisht besnike ndaj Beogradit. Rekrutët janë mbledhur nga anëtarët e Partisë Nacional Socialiste të rivalit kryesor të Gjukanoviqit, Momir Bullatoviq, i cili është edhe kryeministri federal dhe besnik i Millosheviqit.
Me paga më të larta dhe pozicione më të mira se në ushtrinë e rregullt, ky batalion i ri është bërë një burim i ri xhelozie dhe pakënaqësie. Shumë oficerë të Armatës së Dytë të cilët nuk kanë qenë bësnikë të vendosur, veçanërisht ata me origjinë malazeze, janë shkarkuar në masë. Ata janë zëvendësuar nga besnikë të Millosheviqit si gjeneralët Vasiljeviq, Vaskoviq dhe Muncan nga departamenti i sigurimit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.
Përveç krijimit të një ushtrie të tillë paralele, Millosheviq ka dërguar përforcime nga Armatat e Tretë dhe e Parë në Mal të Zi. Burimet ushtarake të IWPR në Beograd interpretojnë këto lëvizje si përgatitje për një konflikt të hapur. "Për në lufta është një fakt i kryer. Ne vetëm nuk dimë me siguri se kur do të shpërthejë," ka thënë një zyrtar i lartë i ushtrisë.
Një oficer tjetër në drejtimin e ushtrisë thotë, "Pretekstet janë përgatitur, dhe unë kam frikë se është çështje ditësh përpara se te shpërthejë. Askush në Serbi dhe në ushtri nuk mund të ndalojë regjimin e Beogradit."
Një sulm i përgjithëshëm nga Ushtria Jugosllave megjithatë mund të provokonte një përgjigje ushtarake nga perëndimi dhe ndoshta edhe të ndante ushtrinë sepse disa ushtarë nga Ushtria Jugosllave kanë thënë haptazi se ata nuk do të qëllojnë ndaj malazezëve. Malazezët pro-Millosheviqit nga pjesët veriore të republikës mund të kryejnë rolin e këmbësorisë së Millosheviqit. Oficerë të shërbimit të sigurimit të Millosheviqit janë vendosur në të gjithë republikën dhe në njësitë e Armatës së Dytë, duke mundësuar kështu ndihmën logjistike për formacionet paraushtarake besnike ndaj Beogradit.
Ushtria Jugosllave llogarit se forcat e NATO-s do t'u duheshin të paktën një javë përpara se ata mund të fillonin sulmet ndaj Serbisë apo të ndihmonin aktivisht Malin e Zi. Beogradi mendon se kjo është një kohë e mjaftueshme për të vlerësuar nëse ai mund të marrë në dorë kontrollin e Malit të Zi - apo ta humbë atë përgjithmonë.
Milka Tadiq është redaktore e Monitor në Podgorica. Daniel Sunter është gazetar i agjensisë së lajmeve VIP në Beograd.