Putin Nuk Sjell Gjë të re për Kosovarët

Putin ka mbështetur politikën e 'pengimit' të Koshtunicës ndaj demokratizimit të Kosovës.

Putin Nuk Sjell Gjë të re për Kosovarët

Putin ka mbështetur politikën e 'pengimit' të Koshtunicës ndaj demokratizimit të Kosovës.

Vizita e papritur e Presidentit Rus Vladimir Putin javën e kaluar në Kosovë ka sjellë pak ide të reja për zgjidhjen e problemeve të rajonit.


Dhe megjithëse Putin ka theksuar interesat e Rusisë në Ballkan, ai nuk ka arritur të japë ndonjë argument të qëndrueshëm për ushtrimin e influencës së Moskës në rajon.


Putin ka pasuar paraardhësin e tij Boris Jeltsin me mbështetjen e tij për Beogradin - dhe është shfaqur si i vetmi aleat i elementëve konservativë dhe nacionalist të cilët, pavarësisht se e paraqesin veten si të moderuar, në fakt janë pasardhës të rregjimit të kaluar.


Presidentët Rus dhe Jugosllav kanë deklaruar së bashku se toleranca ndërkombëtare për ekstremizmin Shqiptar në rajon është fajtore për mungesën e stabilitetit të tanishëm.


Putin ka kundërshtuar gjithashtu edhe zgjedhjet e planifikuara për tu mbajtur në Nëntor, duke i cilësuar ato si të parakohëshme dhe në dëm të pakicës Serbe në provincë.


Presidenti Rus ndan të njëjtin mendim me Koshtunicën se Serbët e Kosovës duhet të bojkotojnë zgjedhjet, dhe se ata nuk duhet të marrin pjesë në krijimin e institucioneve demokratike të përbashkëta në Kosovë.


Një qëndrim i tillë pengues ndaj demokratizimit të Kosovës tregon qartë se këta njerëz kanë mbetur peng të së kaluarës.


Të dy presidentët kanë propozuar organizimin e një konference rajonale me synim planifikimin e së ardhmes së Ballkanit. Ata mendojnë se është e domosdoshme që të ruhen kufinjtë e tanishëm dhe që Serbia të vazhdojë dominimin e saj në federatën Jugosllave.


Ky mendim nuk merr parasysh faktin se kjo strukturë faktikisht ka përfunduar së ekzistuari. Këmbëngulja e tyre për të ruajtur institucionet federale është sa jodemokratike aq edhe hipokrite.


Duke penguar zgjedhjet në Kosovë, Beogradi në fakt ka vendosur të vazhdojë tensionet etnike në rajon. Për sa i përket Moskës, si padrone e Serbisë, ajo është e interesuar që Serbia të kontrollojë një zonë sa më të madhe sepse në këtë mënyrë do të shtohej edhe influenca e Rusisë.


Por nuk ka asnjë kuptim të zhvillohet ndonjë konferencë për të ardhmen e rajonit pa krijuar më parë institucionet demokratike të Kosovë. Në vitin 1990, Sllobodan Millosheviqi ka insistuar se duhej siguruar më parë sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, dhe pastaj të mbaheshin zgjedhje të lira. Të gjithë e dinë se cili qe rezultati i kësaj politike.


Tani edhe Koshtunica po përpiqet të sigurojë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën si një parakusht për pjesëmarrjen e Serbëve në zgjedhje. A nuk është kjo një mbeturinë e stilit të vjetër të të menduarit? Që demokracia mund të presë apo edhe të ndalohet derisa Koshtunica të jetë i sigurtë që Serbia kontrollon situatën?


Por çfarë i duhet atij një federatë ndërsa Malazezët dhe Kosovarët nuk dëshirojnë më të jenë pjesë e saj. Por pavarësisht, ai përpiqet të ndalojë zhvillimin e demokracisë në emër të federatës.


Shkëlzen Maliqi është drejtues i korrespondentëve të Radios Europa e Lirë në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists