TË IZOLUAR NË MAQEDONI

Mijëra refugjatë Romë përballojnë me vështirësi jetesën në Maqedoni, të padëshiruar nga Perëndimi dhe në pamundësi për t'u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë.

TË IZOLUAR NË MAQEDONI

Mijëra refugjatë Romë përballojnë me vështirësi jetesën në Maqedoni, të padëshiruar nga Perëndimi dhe në pamundësi për t'u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Refugjatët romë në Maqedoni po jetojnë ditë të vështira dhe u është dhënë edhe pak kohë për të qëndruar. Më 21 mars, qeveria vendosi të zgjasë lejen e tyre për të qëndruar në vend edhe me tre muaj të tjerë. Se çfarë do të ndodhë më pas me ta, nuk e di askush.


Një rom i ri në moshë, i dëbuar nga shqiptarët pas mbërritjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë, thotë: "Ne duam të kthehemi në shtëpi në Kosovë, dhe ata po na zgjasin afatin e qëndrimit këtu. Çfarë ka bërë komuniteti ndërkombëtar për të na ndihmuar të kthehemi në shtëpitë tona?"


Komisariati i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara (UNHCR) dhe përfaqësuesit e tij po ushtrojnë presion në rritje ndaj qeverisë maqedonase që tu japë statusin e azilantit romëve dhe autoritetet po tregojnë shenja se mund ta pranojnë këtë.


Por romët janë të pakënaqur edhe me këtë zgjidhje. Ata nuk dëshirojnë të qëndrojnë nnë Maqedoni, sepse shohin pak mundësi aty. Ata ëndërrojnë të emmigrojnë në Perëndim, ose të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë. Por që të dyja këto mundësi duken të largëta.


Maqedonia për momentin strehon rreth 8,500 refugjatë, pjesa më e madhe e të cilëve romë. Ata i janë bashkuar një komuniteti etnik rom ekzistues që numëron rreth 60,000 vetë (sipas shifrave zyrtare) deri në 150,000.


Refugjatët kanë ardhur nga Kosova verën e kaluar, pasi janë dëbuar nga ekstremistët shqiptarë. Ata kanë jetuar muajt e parë duke jetuar nën tenda nëpër kampe, ku u jepej ushqimi bazë dhe një shërbim shëndetësor primitiv.


Megjithëse Maqedonia ka një emër të mirë për trajtimin e romëve, disa banorë vendas nuk e pëlqejnë fluksin e fundit të refugjatëve.


Dhjetorin e kaluar, banorët e Stari Dorjan, një qytet i vogël pranë liqenit Dorjan, u bashkuan duke rrethuar një kamp pushimesh për fëmijët i planifikuar për tu përdorur nga refugjatët rom. Banorët ngritën barrikada rreth kampit dhe kundërshtuan autoritetet për disa ditë derisa kërkesat e tyre u pranuan.


Refugjatët kanë gjetur të njëjtën mungesë mikpritjeje edhe nga banorët e Mavrovi Anovi, një qytet në faqet e malit Mavrovë i cili është një qendër e rëndësishme turistike dimërore.


Në të dyja rastet banorët lokal kanë shprehur shqetësimin se romët mund të prishnin balancën etnike në rajon dhe mund të shkaktonin rritjen e kriminalitetit dhe prostitucionit.


Si rezultat, 230 ciganë janë strehuar në kampin e Stenkovec, ku kanë duruar temperaturat e ultë nën zero pa rroba të trasha dhe pa mbulesa.


Rreth 2,400 refugjatë romë janë strehuar në 10 qendra speciale në të gjithë Maqedoninë - kryesisht kampe pushimi të abandonuara. Pjesa më e madhe e tyre mendojnë se kthimi në Kosovë do të thotë vdekje për ta.


Rashid Ramadani, një refugjat nga Gjilani, komenton: "Ne nuk mund të kthehemi në Kosovë. Shqiptarët do të na vrisnin. Ata na akuzojnë si bashkëpunëtorë të serbëve. Ka pasur disa njerëz që kanë bërë pjesë në njësitë paraushtarake serbe, por nuk mund të fajësohet një popull i tërë në këtë mënyrë. Ne gjithmmonë kemi jetuar në paqe me fqinjët tanë shqiptarë."


Që prej mbërritjes së refugjatëve në Maqedoni, qeveria ka ngulur këmbë që ata të kthehen në shtëpi, duke pretenduar se nuk ka mundësi të kujdeset për ta. Autoritetet kanë filluar edhe bisedime me Beogradin për të dërguar romët në Serbi, e cila sipas tyre ka një detyrim për t'u kujdesur për ta. Megjithatë këto iniciativa nuk u materializuann kurrë dhe tanimë janë lënë në mes.


Pavarësisht njoftimeve të përditëshme për sulme ndaj grupeve të pakicave etnike në Kosovë, Shkupi insiston se tanimë gjendja është e sigurtë në Kosovë dhe refugjatët romë mund të kthehen.


Në një intervistë dhënë javën e kaluar për radion shtetërore, ministri i punëve të brendëshme Dosta Dimovska ka thënë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të bindur refugjatët të kthehen në shtëpi sepse nuk ka asnjë rrezik.


Ndërkohë, UNHCR-ja po inkurajon romët të qendrojnë në Maqedoni, megjithëse republika e vogël dhe në gjendje të vështirë ekonomike, nuk mund t'u ofrojë shumë gjëra as banorëve të saj dhe jo më refugjatëve.


Megjithëse shumë prej tyre shpresojnë për një fillim të ri në Perëndim, asnjë vend perëndimor nuk ka treguar ndonjë shenjë se mund t'i mirëpresë ata.


Një refugjat që qendron në kampin e pushimeve të fëmijëve në Kodrën Vodno pranë Shkupit thotë: "Gazetarët dhe punonjësit e ndihmave na vizitojnë çdo ditë. Pastaj largohen. Ne kemi po të njëjtat probleme dhe të njëjtat kujtime për ato që na kanë ndodhur. Ndoshta në fillim dikush kishte dëshirë të na ndihmonte. Unë nuk e di se sa do të zgjasë kjo, por ne shpresojmë për një të ardhme më të mirë."


Ndërsa qeveria ka vendosur të zgjasë lejën e qendrimit në vend, ajo ka urdhëruar që romët të largohen nga kampet e pushimit brenda datës 1 prill. Vendimi ndoshta është marrë për shkak të afrimit të sezonit turistik dhe nevojës për të liruar dhoma për pushuesit.


Pas 1 prillit UNHCR-ja së bashku me ministritë e punësimit dhe planifikimit të territorit do të detyrohen të gjejnë vende të tjera - ndoshta nën tenda.


Por ata që nuk kanë pasur mundësi të zënë një vend në një hotel apo të marrin ndihma nga Kryqi i Kuq maqedonas dhe UNHCR-ja janë detyruar të përballojnë vetë jetesën. Në shumicën e rasteve, kjo do të thotë të marrë me qera një dhomë në lagjen e Shuto Orizari në Shkup, e vetmja enklavë rome në Europë.


Nezhdet Mustafa, kryetari i komunës së Shuto Orizari dhe drejtues i Partisë së Bashkuar të Romëve, përshkruan këtë lagje me krenari. "Ky është i vetmi bastion Rom në botë," thotë ai. "Këtu jetojnë mbi 40,000 romë."


Por megjithëse kohët e fundit kjo lagje është modernizuar disi, disa zona akoma nuk kanë sistemet sanitare dhe kanalizimet e nevojëshme. Rreth 80 përqind të banorëve të Shuto Orizari janë të papunë.


Në disa raste, deri 10 njerëz jetojnë në një dhomë të vetme. Qeratë - të cilat shkojnë nga 150 deri 200 marka gjermane në muaj - janë shumë të shtrenjta për refugjatët e papunë romë.


Mbijetesa është bërë një luftë e përditëshme. Shumë prej tyre shesin qumësht të lirë, bizele, oriz dhe vaj gatimi nga ndihmat humanitare në tregun e Shuto Orizari, duke përdorur të ardhurat për të paguar qeranë dhe pak fruta, zarzavate dhe mish. Ndonjëherë, ata mund të blenë edhe cigare dhe pije alkolike.


"Ne mbijetojmë në një farë mënyre," thotë një refugjat. "Por Maqedonia mbetet vendi më tolerant në Europë për sa i përket romëve."


Zheljko Bajiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Macedonia, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists