Kosovarët Kërkojnë Drejtësi
Shqiptarët e Kosovës mendojnë se gjykata e Hagës po zvarrit çështjen e vendosjes përpara drejtësisë së të dyashuarve për krime lufte.
Kosovarët Kërkojnë Drejtësi
Shqiptarët e Kosovës mendojnë se gjykata e Hagës po zvarrit çështjen e vendosjes përpara drejtësisë së të dyashuarve për krime lufte.
Tetëmbëdhjetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, gjykata ndërkombëtare për krime lufte në Hagë ende nuk ka akuzuar asnjë Serb i cili ka kryer krime kundër popullsisë Shqiptare të Kosovës.
Deri më tani akuzat janë ngritur vetëm ndaj atyre të cilëtthuhet se kanë urdhëruar për këto krime.
"Unë e di se gjykata dëshiron të gjykojë të ashtuquajturit 'peshq të mëdhenj', por mendoj, dhe veçanërisht në rastin e Kosovës, njerëzit të cilët i kanë kryer në fakt krimet duhet të dalin para drejtësisë, sepse shumica prej tyre kanë qenë banorë vendas, dhe disa edhe fqinjë me ata që kanë persekutuar," ka thënë Kosovare Kelmendi, e Fondit për Drejtësi Njerëzore, organizëm i cili i ka dhënë gjykatës disa dëshmi për krimet e kryera gjatë luftës.
Kelmendi dhe aktivistë të tjerë theksojnë se në Bosnje janë akuzuar si ata që kanë urdhëruar ashtu edhe ata që i kanë kryer krimet.
Deri më tani, vetëm ish presidenti Sllobodan Millosheviç dhe pesë zyrtarë të lartë federal - Milan Milutinoviç, Nikola Sainoviç, Dragoljub Ojdaniç, dhe Veljko Stojiljkoviç - janë akuzuar për krimet e kryera në Kosovë.
Dështimi i gjykatës për të çuar përpara drejtësisë vrasësit materialë ka zhgënjyer familjet e viktimave dhe kërcënon të rrezikojë stabilitetin në provincë.
Vjosa, një Shqiptare nga Gjakova thotë: "Njerëzit të cilët kanë humbur shumë anëtarë të familjes janë lodhur duke pritur nga drejtësia, dhe ka rrezik që ata të duan ta kryejnë atë vetë."
Kritikët e gjykatës ankohen gjithashtu se ajo është fokusuar vetëm në zhvarrosjen e trupave nga varret masive, por zyrtarët e Hagës thonë se ky proces është një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të akuzave ndaj të dyshuarve.
"Ne e kuptojmë që njerëzit janë të lodhur," thotë hetuesi i gjykatës Stiv Liç. "Por ne po bëjmë të pamundurën për të kryer hetime të paanëshme dhe efikase. Do të ketë edhe arrestime por duhet pak durim."
Sipas të dhënave të gjykatës, rreth 4,000 trupa janë zhvarrosur nga varret masive dhe aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se tashmë ka prova të mjaftueshme për të arrestuar Serbët e dyshuar për krime lufte.
Në vizitën e saj të rëndësishme në Kosovë verën e kaluar, kryeprokurorja e gjykatës Karla Del Ponte ka thënë se lista e Serbëve të dyshuar do të zgjerohet edhe më tej. Ajo ka thënë se disa anëtarë të ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, do të hetohen si të dyshuar për krime. Ajo ka përmendur se këto hetime kanë të bëjnë me pesë raste të veçanta, por nuk ka pranuar të thotë më shumë.
Pas deklarimeve të saj, ish drejtues të UCK-së, tashmë të shpërbërë kanë thënë për median në Prishtinë se UCK-ja nuk ka kryer krime lufte. Ata kanë thënë se ajo vetëm ka mbrojtur popullsinë Shqiptare - dhe se gjykata është e lirë të kryejë hetime mbi aktivitetin e saj.
Kritikët e gjykatës, ndërkohë, kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth numrit të madh të Serbëve të dyshuar për krime lufte të cilët janë larguar nga burgjet e Kosovës.
Në një incident vitin e kaluar, njëzet e pesëserbë të akuzuar për krime lufte janë arratisur nga burgu i Mitrovicës, në pjesën veriore të qytetit të kontrolluar nga Serbët.
Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se arratisjet e të dyshuarve nga burgu përforcojnë kërkesat e tyre që të dyshuarit të dërgohen në Hagë.
"Të dyshuarit për krime lufte duhet të gjykohen në gjykatën ndërkombëtare ose Haga duhet të lejohet të kryejë këto gjyqe në Kosovë," thotë Kelmendi.
Është rritur zemërimi rreth dështimit të gjykatës për të akuzuar zyrtarët Serbë përgjegjës për masakrën e kryer në burgun Dubrava, ku paraushtarakët dhe të burgosur Serbë thuhet se kanë vrarë të paktën 200 të burgosur Shqiptarë.
Burgu i Dubravës ka qenë një bazë ushtarake Serbe dhe është goditur nga avionët e NATO-s. gjatë fushatës ajrore të aleancës, në këtë burg u sollën rreth 1,000 të burgosur Shqiptarë nga burgjet e tjera në Serbi.
Sipas të dhënave zyrtare për vdekjen e të burgosurve shqiptarë, 19 punëtorë dhe të burgosur kanë vdekur nga bombardimet e NATO-s. Megjithatë, të mbijetuarit thonë se rreth 200 të burgosur Shqiptarë janë vrarë nga rojet, paraushtarakët dhe të burgosurit Serbë.
Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se ish ministri Serb i drejtësisë, Dragoljub Jankoviç, i cili ka qenë përgjegjës për burgjet, duhet të konsiderohet fajtor për këtë masakër.
Pavarësisht kritikave ndaj gjykatës, Liç thotë se ajo po arrin një progres të mirë në Kosovë. "Hetimet po kryhen në mënyrë profesionale," thotë ai. Natyrisht, ne duam të arrestojmë të dyshuar, por është e rëndësishme që të kemi prova të forta".
Pak njerëz në Kosovë dyshojnë rreth vendosmërisë së gjykatës për të nxjerrë kriminelët para drejtësisë, por ata janë të shqetësuar nga ritmi i ngadaltë I procesit juridik.
Valbona Mehmeti është gazetare e së përditëshmes Shqiptare, Koha Ditore.