TENSIONOHET GJENDJA NË GJIRIN E KISHËS BULLGARE
Një luftë e ashpër për pronat ndërmjet degëve të kishës ortodokse ka detyruar disa qindra priftërinj të predikojnë në ambjente të hapura.
TENSIONOHET GJENDJA NË GJIRIN E KISHËS BULLGARE
Një luftë e ashpër për pronat ndërmjet degëve të kishës ortodokse ka detyruar disa qindra priftërinj të predikojnë në ambjente të hapura.
Një abazhur i madh prej bronzi, një kryq prej druri me lartësinë e një njeriu, disa ikone të printuara në letra me shkëlqim dhe një flamur i madh bullgar janë gjithë ajo që ka mbetur në duart e mbi njëqind priftërinjve ortodoks, pasi policia i ka larguar ata me forcë prej disa ndërtesave të kishës javën e kaluar.
Të fshehura nën një tendë me vija të bardha dhe të gjelbra, objektet tani janë pjesë e një altari të improvizuar në një shesh të madh të kryeqytetit bullgar, Sofie.
Priftërinjtë, pasues të Inokentiy, drejtues i një kishe ortodokse bullgare “alternative” e cila rivalizon kishën zyrtare, janë vendosur në shesh së bashku me pasuesit e tyre.
Kjo zonë, pikërisht përballë ndërtesës së sinodid zyrtar të kishës, ka shërbyer të djelën e kaluar si vend ku janë kryer disa martesa, ku priftërinjtë e larguar kanë shërbyer në qiell të hapur pasi nuk janë lejuar të përdorin kishat e tyre.
Njëzet stola të bardhë janë vendosur për tu përdorur nga ata të cilët kanë marrë pjesë në këto ceremony, së bashku me dy banjo të lëvizëshme. Një tjetër tendë ka shërbyer si dhomë gjumi për priftërinjtë.
Luftërat e shenjta në Bullgari janë ndezuar shumë javën e kaluar, pasi Patriarku Maxim, kryetar i kishës ortodokse, ka arritur një fitore të rëndësishme ligjore në një konflikt të vjetër për pronësinë mbi disa prona të kishës.
Një vendim i kryeprokurorit të republikës në favor të Maxim ka çuar në një aksion të policisë më 21 korrik, për të vendosur nën sinodin e drejtuar nga Maxim të 200 ndërtesave të cilat janë përdorur nga pasuesit e Inokentiyt.
Operacioni ka nisur herët në mëngjes dhe është kryer në të njëjtën kohë në pjesën më të madhe të ndërtesave, në disa vende duke ndërprerë edhe shërbesat fetare të mëngjesit.
Anna-Maria, 15 vjeç, një prej disa të rinjve në shesh, tregon se si vëllai i saj ka parë sulmin e policisë ndaj kishës së familjes, Shën Uspenie Bogorodichno. “Vëllai im kishte shkuar në kishë të ndizte një qiri dhe ka parë policinë,” ka thënë ajo.
“Më vonë unë jam bashkuar me rreth 30 vetë duke qëndruar përpara ndërtesës, në përpjekje për ta mbrojtur atë. Por nuk mundëm të bënim asgjë.
“Kemi parë policinë duke rrahur priftin megjithëse ai po sillej në mënyrë paqësore. Ata e rrëzuan në tokë – pesë polic – dhe e rrahën deri sa i thyen hundën”.
Sipas disa dëshmitarëve, në këtë kishë ka pasur përleshje të ashpra. Pasi një burrë me thikë në dorë ka kërcënuar se do të vriste veten, duke detyruar policinë të largohej, të tjerë nga grupi i njerëzve i kanë hequr thikën nga dora, duke lejuar kështu policinë të vazhdonte operacionin.
Ai është arrestuar së bashku me priftin dhe dy të tjerë. Megjithëse të gjithë janë liruar pak kohë më pas, Hristo Pisarev ka shkuar në spital për të dëshmuar se i ishte thyer hunda dhe disa dhëmbë.
Ngjarjet kanë shkaktuar zemërim ndër shumë bullgarë, përfshirë edhe njerëz të cilët nuk janë anëtarë të asnjërës prej kishave. Intelektualë, politikanë dhe gazetarë kanë dënuar veprimin e policisë dhe kryeprokurorin për urdhërin e dhënë, si edhe qeverinë që ka lejuar zbatimin e tij.
Ministri i drejtësisë Anton Stankov ka thënë se qeveria nuk mund të ndërhynte me një vendim të prokurorit të përgjithëshëm të dhënë në zbatim të një ligji të miratuar nga parlamenti, dhe pikërisht Aktit për Fenë të miratuar në dhjetor 2002.
Përplasjet në gjirin e kishës moderne bullgare i kanë fillesat që në periudhën e komunizmit, kur kisha iu nënshtrua shtetit.
Sipas Hristo Matanov, historian në Universitetin e Sofies, kisha është kontrolluar ngushtësisht nga Partia Komuniste dhe policia sekrete, Komiteti për Sigurinë e Shtetit, i njohur ndryshe si KDS.
Qeveria ka caktuar me dashje zyrtarë të kishës të njohur si të korruptuar dhe të diskredituar me qëllim që të kishte mundësi tu bënte presion atyre. Kritikët e Maxim thonë se edhe ai ka qenë një ndër këta.
Pas rrëzimit të rregjimit komunist në vitin 1989, shumë prej besimtarëve të kishës në Bullgari kanë sulmuar Maxim si një njeri i periudhës së komunizmit dhe kanë kërkuar zëvendësimin e tij.
Në vitin 1992, një komision qeveritar për fenë e ka shpallur Maxim të paligjshëm dhe ka caktuar Pimen, një anti komunist të njohur, si kryetar të kishës.
Por Maxim nuk ka pranuar vendimin dhe kisha ortodokse faktikisht është ndarë në dy pjesë, dhe të dyja palët nuk kanë pranuar ti flasin njëra tjetrës.
Sinodi i Pimen është rritur gradualisht dhe në vitin 2004 ka kontrolluar 200 kisha, ose rreth një të gjashtën e kishave në Bullgari.
Mosmarrëveshjet janë shtuar edhe më tepër, dhe ka pasur disa raste kur zyrtarë të kishës kanë rrethuar disa manastire dhe grupe murgjërish kanë hedhur gurë në drejtim të njëri tjetrit, duke shkaktuar habi në rradhët e besimtarëve.
Ndërmjet dy sinodeve nuk ekzistojnë ndryshime teologjike. Mosmarrëveshjet nuk janë as shumë politike, megjithëse Maxim, si i emëruar në kohën e komunizmti, shihet si i qendrës së majtë, ndërsa rivali i tij si i djathtë.
Në vitin 1999, Pimen ka vdekur dhe është zëvendësuar nga Inokentiy, por tensionet kanë vazhduar të shtohen. Në vitin 2002, anëtarë të krahut të Maxim janë dënuar për vrajen e një prifti nga sinodi tjetër gjatë një mosmarrëveshjeje për pronësinë mbi manastirin e Shën Panteleimonit pranë Bansko në jug të Sofies.
Akti i Fesë i vitit 2002 u kërkon të gjitha institucioneve fetare të regjistrohen në gjykata me përjashtim të Kishës Ortodokse Bullgare. Por ligji nuk vendos nëse kjo kishë drejtohet me të drejtë nga Maxim, apo ndonjë tjetër.
Vendimi më i fundit ligjor, i cili u heq pronësinë e ndërtesave kishave të tjera, duket se nuk do të qetësojë mosmarrëveshjet. Bashkëpunëtorët e Inokentiyt e përshkruajnë shpesh Maxim si antikrisht, shpërndajnë karikatura të tij si një gjeneral rus i kohës së komunizmit, me një yll të kuq, dhe thonë se të puthësh dorën e tij është njësoj si të puthësh “dorën e Moskës”.
Ata kanë varur një parrullë të madhe ku shkruhet “Jashtë komunistët nga kisha” në kampin e tyre përballë ndërtesës së sinodit të Maxim dhe thonë se ata nuk do ta pranojnë kurrë Maxim si drejtues të Kishës Ortodokse Bullgare.
Pasuesit e Maxim janë po aq të vendosur. Duke denoncuar sinodin e Inokentiyt për atë që ata e quajnë pushtim të paligjshëm të pronave të tyre, ata i akuzojnë pasuesit e tij për lidhje me krimin.
Ivan Zhelev, drejtor i drejtorisë qeveritare për fenë, ka mbajtur anën e kishës së Maxim. Së fundi, ai ka thënë se vetëm 30 nga 200 ndërtesat në kontrollin e kishës rebele po përdoren për shërbime fetare. Ai ka thënë se të tjerat po mbahen për qëllime financiare.
Akuzat e secilës palë janë të vështira për tu provuar në gjykatë. Pasi shteti i ka rikthyer kishës ortodokse pavarësinë e saj në vitet nëntëdhjetë, ai ka hequr dorë nga çdo ndërhyrje në çështjet financiare dhe të pronësisë së kishës.
Duke mos pasur të drejtë të kontrollojë llogaritë e kishës, Hristo Matanov thotë, se kisha është përfolur si një mjet për të pastruar paratë dhe operacione të tjera financiare të paligjëshme.
“E vërteta është se nuk ka burime të besueshme për këto informacione dhe pavarësisht se sa të mundëshme mund të duken këto akuza, nuk ka asnjë mënyrë për ti provuar ato,” ka thënë Manatov.
Një pjesë e vogël e bullgarëve të cilët shkojnë në kishë janë kryesisht jo të interesuar për përplasjet në lidhje me pronat. “Këto kisha janë ndërtuar nga njerëzit dhe duhet t’u shërbejnë atyre,” thotë Anna-Maria. “Maxim natyrisht që nuk ka qenë zgjedhje e njerëzve”.
Edhe pse pa një çati mbi kokë, pasuesit e kishës alternative mbeten të vendosur të vazhdojnë luftën e tyre, pavarësisht vendimeve të autoriteteve më të larta ligjore të vendit.
“Ne kemi apeluar kundër vendimit të prokurorit të përgjithëshëm, megjithëse nuk mendoj se ai do të ndryshojë vendimin e tij,” thotë at Kamen Barakov, një prej priftërinjve rebelë më të njohur.
“Unë shpresoj më tepër tek presioni i shoqërisë. Ne natyrisht nuk do të tërhiqemi. E vetmja zgjidhje mund të jetë një referendum”.
Albena Shkodrova është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR.