ANALIZË: Dëshmon i Pari Njeri i 'Brendshëm' i Millosheviqit

Kapiteni Shqiptar i cili ka shërbyer në ushtrinë Jugosllave në Kosovë ka kundërshtuar disa elementë kryesorë të mbrojtjes së Millosheviqit.

ANALIZË: Dëshmon i Pari Njeri i 'Brendshëm' i Millosheviqit

Kapiteni Shqiptar i cili ka shërbyer në ushtrinë Jugosllave në Kosovë ka kundërshtuar disa elementë kryesorë të mbrojtjes së Millosheviqit.

Në fund të seancës së datës 8 Maj, Sllobodan Millosheviq ka kundërshtuar me forcë statusin e dëshmitarit të mbrojtur për Dëshmitarin K4, paraqitja e të cilit - e parashikuar për ditën e nesërme - u quajt si hera e parë që gjykata do të dëgjonte një njeri të "brendshëm" të dëshmonte kundër Millosheviqit.


Meqënëse dëshmitari ishte një Shqiptar i Kosovës i cili jeton në Kosovë, Millosheviqi tha se nuk kishte nevojë për masa mbrojtëse apo për "dëshmi sekrete".


Në fillim të seancës së 9 Majit, Millosheviq ka kundërshtuar njoftimin e prokurorit se Dëshmitari K4 e kishte tërhequr kërkesën e tij për masa mbrojtëse dhe do të dëshmonte në një seancë të hapur.


Duke u ankuar se nuk është hera e parë që "pala tjetër", sic e quan ai prokurorinë, kishte "ndryshuar statusin e një dëshmitari sekret në publik vetëm ditën e paraqitjes së tyre në gjykatë," Millosheviq tha se kjo tregonte një "paramendim të keq".


Gjykatësit e hodhën poshtë këtë ankesë si "krejtësisht të pabazë" ndërsa Dirk Ryneveld, drejtuesi i ekipit të prokurorëve për Kosovën, e ka përshkruar këtë si një "incident". Por për mbështetësit e Millosheviqit në Serbi dhe më gjerë, kjo do të shërbejë si një "provë" më tepër e mënyrës se si "gjykata false" manipulon idhullin e tyre.


Ky incident i vogël, shërben për të ilustruar mjeshtërinë e teknikës së tij të cilën shkrimtari George Orëell e ka përcaktuar si "mendim i dyfishtë" - e cila përmban njëkohësisht pozicione të kundërta për të njëjtën temë. Millosheviq e ka përdorur këtë aftësi që në fillim të procesit - duke u përpjekur të përfitojë "në cdo mënyrë" dhe shpesh me sukses. (Shih Të Rejat Nga Gjykata 253).


Por nëse fjala "i brendshëm" do të thoshte që dëshmitari i përkiste rrethit të ngushtë të Millosheviqit dhe kishte informacione të sakta rreth rolit të tij në ngjarjet e mbuluara nga akuza, Nikë Peraj, sic quhej dëshmitari, vështirë se mund të plotësonte këtë përshkrim.


Dëshmitari e pa nga afër për herë të parë të pandehurin në sallën e gjyqit. Ajo që e bënte Perajn një lloj të vecantë njeriu "të brendshëm" ishte fakti që në periudhën e mbuluar nga akuza ai ka qenë një ndër të paktët Shqiptarë të Kosovës të cilët kanë shërbyer si oficerë në Ushtrinë Jugosllave (gjë e cila ka qenë e mundur vetëm për faktin se ai është Katolik dhe jo Musliman si shumica e Shqiptarëve në Kosovë).


Si kapiten, ai ka qenë përgjegjës për transportin, stërvitjen dhe sigurimin në garnizonin e Prishtinës dhe në brigadën anti ajrore dhe të artilerisë në Gjakovë në kohën e konfliktit të Kosovës.


Pas tërheqjes së ushtrisë nga Kosovë përpara mbërritjes së forcave ndërkombëtare të KFOR, në mesin e muajit Qershor 1999, Peraj ka qëndruar në Kosovë. Një gjykatë ushtarake në Nish, në Serbinë e jugut, e ka dënuar atë në mungesë me 15 vjet burgim për dezertim.


Sipas nenit 92/2 të Rregullores së procedurave dhe provave të gjykatës, dëshmia e Perajt është paraqitur në formën e një deklarate me shkrim. Ai ka ardhur në Hagë për t'ju përgjigjur pyetjeve të të pandehurit dhe avokatëve mbrojtës të marrë nga gjykata.


Si avokatët ashtu edhe gjykatësit kanë dyshuar që një dëhsmitar kaq i rëndësishëm do të paraqiste dëshminë e tij me një deklaratë me shkrim. Por prokurori ka thënë se kjo gjë ishte e nevojëshme për shkak të limitit kohor të vendosur nga gjykata, i cili kërkon përfundimin e paraqitjes së provave për të treja akuzat deri më 10 Prill, 2003.


Megjithatë, për shkak të rëndësisë së dëshmitarit, gjykatësit i kanë lejuar prokurorit më tepër se pesë minutat e zakonëshme për të paraqitur një përmbledhje të deklaratës me shkrim të dëshmitarit, ndërsa të pandehurit i janë vënë në dispozicion 150 minuta për të bërë pyetje në vend të një ore kohë që ka zakonisht.


Përmbledhja e lexuar nga Prokurori Ryneveld, përmbante përshkrimin e Perajt për veprimet luftarake të planifikuara ndaj Shqiptarëve në zonën e Gjakovës në fillim të muajit Mars 1999.


Deklarimet e Perajt ishin të rëndësishme, në rradhë të parë sepse sipas tyre del që këto plane janë bërë disa javë përpara fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s dhe së dyti sepse në dëshminë e tij ai ka thënë se Ushtria Clirimtare e Kosovës ishte larguar nga zonë në fund të vitit 1998 dhe se "nuk kishte rezistencë nga ana e UCK-së në zonën e Gjakovës" pas fundit të 1998.


Këto thënie kanë kundërhshtuar dy nga pikat më të rëndësishme të mbrojtjes së Millosheviqit. Ai ka deklaruar gjithnjë se lëvizjet masive të popullsisë dhe vrasjet në Kosovë kanë qenë pasojë së pari e sulmeve ajrore të NATO-s dhe të veprimeve të UCK-së, dhe së dyti e përleshjeve të forcave Serbe me ato të UCK-së, të cilat kanë detyruar civilët të largohen.


Në deklaratën e Perajt thuhej se Operacioni Meja ka filluar në agimin e datës 27 Prill, 1999 si një veprim i përbashkët i ushtrisë Jugosllave, policisë Serbe, njësive të Ministrisë së Brendëshme, MUP, policisë lokale dhe njësive paraushtarake. Operacioni koordinohej nga komanda e ushtrisë në Gjakovë.


Në deklaratë thuhej se ushtria ka avancuar përmes luginave të Carragojës, Erenikut dhe Travës në zonën e Gjakovës, duke djegur fshatra Shqiptare dhe duke dëbuar civilët në drejtim të policisë Serbe dhe njësive paraushtarake, të cilët kishin bllokuar rrugët e daljes.


Peraj ka thënë në deklarimet e tij se fshatarët e dëbuar janë nisur në drejtim të Gjakovës në vargane të gjatë traktorësh, karrocash dhe makinash dhe se policia dhe njësitë paraushtarake i kanë bllokuar ata në Meje dhe Korenicë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe duke vrarë shumë prej burrave në vend.


Ditën e nesërme në komandën e ushtrisë Jugosllave në Gjakovë, Kapiteni Peraj thotë se ka parë një raport zyrtar në të cilin thuhej se 74 "terroristë" ishin vrarë në Korenicë dhe 68 të tjerë në Meje.


Peraj ka deklaruar se ai ka parë me sytë e tij trupat e rreth 20 burrave të vrarë nga një distancë e afërt, me shenja djegieje të barutit në koka. Ai ka thënë se ka parë edhe dy kamionë të ushtrisë Jugosllave të cilët transportonin trupat përgjatë rrugës Meje-Gjakovë dy ditë pas operacionit.


Deklarata përmbante edhe një përshkrim të hollësishëm të strukturës dhe dislokimit të njësive të Ushtrisë Jugosllave, MUP, Mbrojtjes Territoriale dhe forcave paraushtarake në Kosovë në pranverën e vitit 1999.


Ndër forcat paraushtarake, ai ka përmendur Tigrat e Zheljko Raznatoviq "Arkan", Shqiponjat e Bardha të kryetarit të Partisë Radikale Vojisllav Sheshelj, dhe Frenkit, të cilët kanë qenë një njësi speciale anti terroriste e policisë.


Ai ka thënë se pas fillimit të sulmeve të NATO-s. grupe prej pesë deri 10 "vullnetarësh", shpesh njerëz me të kaluar kriminale, kanë ardhur nga Serbia në Kosovë dhe janë bashkuar me njësitë e ushtrisë. Në përgjigjet ndaj pyetjeve të tjera të Millosheviqit, cili kundërshtonte thëniet rreth forcave paraushtarake në Kosovë, Peraj ka përshkruar me hollësi veprimet e dhunëshme të Tigrave, Shqiponjave të Bardha dhe Frenkive në Gjakovë.


Si zakonisht, Millosheviq ka përdorur dy të tretat e kohës së përcaktuar për pyetjet e tij për dëshmitarin e parë "të brendshëm" me "cështje jot ë rëndësishme", duke mos prekur temën kryesore të Perajt - Operacionin Meja, në të cilin, sipas tij janë djegur disa dhjetra fshatra, dhe banorët e tyre janë dëbuar dhe disa qindra janë vrarë.


Ishte e paqartë nëse ai do të merrej me këto cështje në pjesën e mbetur të kohës së tij më 13 Maj. Në fakt, ai ka lënë më një anë pjesën kryesore të dëshmisë së Perajt, por nëpërmjet "pyetjeve periferiale" ka nxjerrë në dritë dy fakte të panjohura deri tani rreth ndihmës "vllazërore" që kanë marrë Serbët nga jashtë në kohën e sulmeve ajrore të NATO-s.


Duke theksuar se në deklarimin me shkrim të Perajt ai kishte përmendur një grup "vullnetarësh Rus" të cilët kishin shkuar në Gjakovë në Prill të vitit 1999, Millosheviq ka thënë se një prej tyre ka qenë doktor dhe se ata kanë qenë një "grup humanitar".


Peraj është përgjigjur se vullnetarët ishin të armatosur dhe me uniformë ushtarake dhe se komandanti i Brigadës në Gjakovë nuk e kishte pranuar kërkesën e tyre për të qëndruar në qytet, duke thënë se "nëse jeni vullnetarë, duhet të shkoni në linjën e frontit dhe të luftoni. Këtu kemi boll nga ata që kanë ardhur për të plackitur".


Një hollësi tjetër e re e dalë nga pyetjet e Millosheviqit ka të bëjë me prezencën e një njësie të blinduar të Serbëve të Bosnjes në Rezine, pranë Gjakovës. Për cudi, Millosheviq nuk e ka mohuar faktin që forcat e armatosura të një shteti fqinj, (apo të një prej entiteteve të një shteti fqinj), ishin vendosur në Kosovë në atë kohë.


Por ai ka mohuar që kjo njësi kishte ardhur nga Republika Srpska së bashku me tanket, transportuesit e blinduar dhe pajisjet e tjera të rënda, duke thënë se kjo ishte e pamundur sepse RS ishte "e pushtuar nga SFOR".


Gjykatësi Richard May ka ndërhyrë për të ndërprerë mosmarrveshjen prej 15 minutash të Millosheviqit me dëshmitarin, duke përfunduar se ndërsa dëshmitari insistonte që njësia kishte ardhur nga RS, ai nuk mund të ishte i sigurtë nëse ata kishin sjellë me vete armët dhe pajisjet ushtarake nga entiteti Serb i Bosnjes apo i kishin marrë ato në Serbi. Seanca e pyetjeve të ish kapitenit nga ish komandanti i përgjithshëm do të vazhdojë javën e ardhëshme, së bashku me dëshmitë e reja të njeriut të "brendshëm".


Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR-së në gjykatën e krimeve të luftës dhe kryeredaktor i Agjensisë së Lajmeve SENSE.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists