KOMENT: NJË SHPWRBLIM I HELMATISUR

Gazetari i njohur kosovar paralajmëron drejtuesin e ardhëshëm të UNMIK se ai mund të mallkojë ditën që ka pranuar të marrë postin.

KOMENT: NJË SHPWRBLIM I HELMATISUR

Gazetari i njohur kosovar paralajmëron drejtuesin e ardhëshëm të UNMIK se ai mund të mallkojë ditën që ka pranuar të marrë postin.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Monday, 21 February, 2005

Kur Kofi Annan të ka orfuar postin e Përfaqësuesit Special në Kosovë, në përshkrimin e detyrës mund të përfshihej edhe fjalia “I destinuar për dështim”. Në Kosovë do të kesh një status të ngjashëm me një perëndi, por jo pushtet të vërtetë: pa ushtri, bankë qendrore, prokurori, kushtetutë dhe miq. Do të zgjohesh duke ndjerë se duhet ti cosh këta njerëz drejt demokracisë dhe statusit përfundimtar dhe do të shkosh të flesh duke menduar se nuk ke arritur asgjë.

Sapo të fillosh të kuptosh një problem, do të shohësh se lista e problemeve të tjera është zgjatur.

Kur ta largohesh, Dr. Ibrahim Rugova do të të dhurojë një gur [dhurata e zakonëshme e tij për vizitorët e nderuar]. Gjithashtu do të marrësh një karikaturë nga redaktorët e gazetës sonë dhe fjalë të mira nga BE (“Ne vlerësojmë lartë kontributin tuaj për …”). Do të ketë edhe shumë thashetheme nga njerëzit me të cilët ke punuar, dhe shumë spekulime në lidhje me pasuesin tuaj.

Do të përpiqesh të rrisësh rëndësinë e misionit tënd. Do të përsërisësh shpesh frazën “Evropa nuk mund ta harrojë Kosovën” – duke ditur, se ka ndodhur pikërisht kështu.

Kur të mbërrish, do të gjendesh përballë dilemës përherëshme dhe të madhe: të kanë dërguar të bëhesh mbret, president, kryeministër, ministër i financave dhe bërës i drejtësisë, por sapo të mbërish do të kuptosh se nuk je asgjë prej këtyre.

Do të vish me një plan, i cili do të duket i shkëlqyeshëm, por realitetet e Kosovës do të bëjnë që ta kesh të vështirë ta zbatosh.

Do të ndodhë diku ndonjë vrasje dhe të gjithë ne do të merremi me të për një javë’ një prej centraleve të prodhimit të energjisë elektrike do të prishet dhe papritmas do të shohësh veten të shndërruar në një ekspert të ngrohësve të ujit; dhe pastaj Beogradi do të shpallë një inisiativë ku të kërkojë për cdo anëtar të pakicës serbe në Kosovë nga një oficer policie.

Do të thuash se e vetmja gjë e rëndësishme është zbatimi i standardeve, megjithëse pas pak kohësh nuk do ti besosh as vetë fjalëve të tua.

Planet e tua të mëdha nuk do të kuptohen nga askush. Kur të takohesh me drejtuesit politik vendas, do të kuptosh nga sytë e tyre se e gjithë biseda është pak a shumë e kotë. Do të flasësh për standarded dhe bashkëpunimin. Një prej tyre me të qeshur, do të kërkojë pavarësinë. Në fund të bisedimeve, do të largohesh me ndjenjën se nuk keni mësuar asgjë të re nga njëri tjetri.

Shpesh herë do të kapësh veten duke menduar se “A ia vlen e gjithë kjo?” Do të mendosh për familjen, miqtë, dhe detyrat më të lehta që ke pasur më parë. Do të shohësh gjithnjë e më shumë varfëri, do të lexosh për largimin e kosovarëve nga vendi i tyre dhe do të gjendesh gjithnjë i kritikuar. Do të arrish të mallkosh ditën që Annan të ka bërë të ndjehesh krenar duke të thënë se ishe kandidati më serioz për këtë post.

Por do ta pranosh postin për dy arësye.

E para është egoja: pas kaq vjet punë do të shpërblehesh me një misioni i cili do të të bëjë të njohur kudo. Në takimet e ministrave të jashtëm të Evropës do të kesh hapësirën tënde për të raportuar mbi Kosovën. Në mbrëmje, në ndonjë kryeqytet evropian, ndonjë kamerier kosovar do të ofrojë një pije, në shenjë respekti.

Arësyeja e dytë ka të bëjë me karrierën. Duke marrë këtë post, do të hysh në listën e njerëzve të rëndësishëm të Evropës.

Kur të pranosh postin e kryeadministratorit të Kosovës, kërko një përcaktim të mandatit tënd. Fakti që je i plotfuqishëm me një mandat të OKB-së nuk përbën ndonjë gjë të madhe.

OKB nuk do të jetë në gjendje të të shpjegojë detyrën. Annan do të thotë se detyra jote është respektimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Zyrtarët do të të japin një listë veprimesh të cilat nuk duhet ti bësh. Kryeqytetet perëndimore do të flasin rreth standardeve. Dhe ndonjë diplomat do të paralajmërojë se nuk ke shumë kohë, pasi kosovarët po humbasin durimin.

Ndërkohë, do të ndodhin dy gjëra: debati mbi reformën e UNMIK dhe zgjedhjet në Kosovë.

Gjatë debatit për reformën e UNMIK do të jesh në pozicionin e pazakontë të të qenit drejtues i një organizate e cila ndryshon, apo pretendon se po ndryshon.

Më pas do të mbahen zgjedhjet, të cilat për muaj me rradhë do të paralizojnë përpjekjet e tua për të biseduar me drejtuesit kosovarë për cështjet e standardeve dhe bashkëpunimit. Pas zgjedhjeve, presioni popullor për lëvizjen më të shpejtë në drejtim të vendosjes së statusit përfundimtar do të shtohet.

Pyet, megjithëse mund të duket e cuditëshme, se cili është sistemi i dhënies llogari. Ju jeni rritur në një sistem të tillë, me rregulla shumë të thjeshta: parlamenti jep llogari para zgjedhësve, qeveria para parlamentit. Në Kosovë nuk ekziston një sistem i tillë. Këtu cdo gjë do të bëhet në emrin tënd. Cdo zyrtar do të marrë vendim në emrin tënd.

Dhe më në fund – ki kujdes dhe ruaju. Nuk do të kalojnë as gjashtë muaj dhe do të ndodhë ndonjë incident i cili do të ketë nevojë për vëmendjen tuaj urgjente. Por ti nuk mund të jesh në rolin e ndërmjetësit, sepse në momentin që ke pranuar të bëhesh kryeadministrator, je bërë pjesë në konflikt.

Veton Surroi është kryeredaktor i së përditëshmes Koha Ditore në Kosovë.

Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists