Lulzimi i Trafiqeve të Paligjshëm në Bosnje
Bumi i trafikut të paligjshëm të imigrantëve përmes Bosnjes mund të dëmtojë shanset e vendit për një integrim europian.
Lulzimi i Trafiqeve të Paligjshëm në Bosnje
Bumi i trafikut të paligjshëm të imigrantëve përmes Bosnjes mund të dëmtojë shanset e vendit për një integrim europian.
Policia e Sarajevos ka bërë një zbulim të rastësishëm javën e kaluar kur një grup prej 13 qytetarësh të Bangladeshit janë detyruar të dalin nga fshehtësia për të kërkuar ndihmë mjekësore. Ky grup kishte hyrë në vend nga Serbia dhe i ishte bashkuar disa dhjetra imigrantëve të tjerë të paligjshëm në një qendër refugjatësh në Rakovica në të dalë të kryeqytetit.
Gjatë gjashtë muajve të fundit policia e Bosnjes ka ndaluar rreth 600 imigrant ilegalë që janë përpjekur të kalojnë vendin. Grupin më të madh të tyre e përbëjnë iranianët, por janë arrestuar edhe shtetas turq (kryesisht kurdë), egjiptianë, pakistanezë, afganë, irakenë, moldavë dhe maqedonas.
Zyrtarët lokalë dhe ndërkombëtarë mendojnë se numri i atyre që kanë arritur me sukses të kalojnë vendin është rreth dhjetë herë më i madh. Policia boshnjake pranon se ekzistojnë të paktën katër rrugë të përcaktuara për trafikun ndërmjet republikës dhe Kroacisë.
Bosnja shtrihet në rrugët e përdorura që prej shumë kohësh për trafikun e heroinës ndërmjet Lindjes së Mesme dhe Europës, e mbyllur për dekada me rradhë si pasojë e kontrollit të ashpër të kufirit për shkak të luftës së ftohtë. Konfliktet në Bosnje dhe Kosovë, për arësye të kuptueshme, kanë penguar rilindjen e menjëhershme të këtyre rrugëve. Kufinjtë e pakontrolluar të republikës dhe stabiliteti relativ në rajon gjatë këtij viti të fundit kanë bërë që të rritet trafiku i drogave dhe tani së fundi edhe i njerëzve.
Si edhe vende të tjera, për shembull, Republika Çeke që tani po përballen me vështirësi të mëdha të shaktuara nga kalimi ilegal i imigrantëve përmes kufinjve më pak të kontrolluar tani ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, edhe vendet e ish Jugosllavisë tani po përballen me mungesën e personelit dhe të pajisjeve të nevojshme për të luftuar si duhet aktivitetin e kontrabandës në kufinjtë e tyre.
Megjithëse situata e sigurisë në vend është përmirësuar gjatë 18 muajve të fundit, vendi vazhdon të mbetet i ndarë ndërmjet linjave etnike në dy entitete. Policia e serbëve të Bosnjes dhe ajo e entitetit mysliman e kroat, sistemi gjyqësor dhe administrata e dy entiteteve nuk bashkëpunojnë në nivelin e duhur. Vetëm në vitin 1999 u krijua një shërbim i përbashkët i ruajtjes së kufirit nën një trysni të madhe nga ana e komunitetit ndërkombëtar.
Si rrjedhojë tregtia e imigrantëve të paligjshëm ka lulëzuar gjatë këtyre 18 muajve të fundit.
Njëmbëdhjetë iranianë dhe udhërrëfyesi i tyre boshnjak u arrestuan së fundi pranë qytetit veri-perëndimor të Bosnjes Velika Kladusha. Iranianët ishin përpjekur të kalonin kufirin për në Kroaci pasi kishin ardhur në Bosnje nëpërmjet Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë të fshehur në një kamion.
Imigrantë ilegalë nga Lindja e Largët, veçanërisht nga Kina, hyjnë në rajon shpesh nëpërmjet Beogradit. Për shkak të marrëdhënieve të mira ndërmjet Jugosllavisë dhe Pekinit, vizitorët kinezë nuk kanë nevojë për viza për në Jugosllavi. Ata që planifikojnë të kalojnë në perëndim parapëlqejnë rrugën nëpërmjet pjesës serbe të Bosnjes dhe më pas në Kroaci.
Në dymbëdhjetë muajt e fundit deri në maj të vitit 2000, policia kroate ka arrestuar 6,000 imigrantë klandestinë, krahasuar me 4,500 të tillë të arrestuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ministrit të brendëshëm kroat Sime Lucin, arrestimet në tremujorin e parë të këtij viti janë dyfishuar.
Një zyrtar i lartë i zyrës kroate të imigracionit ka bërë thirrje për ndihmë nga ana e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e këtij problemi. Shërbimi kufitar kroat, ka thënë zyrtari, ka mungesa përsa i përket personelit dhe pajisjeve të nevojshme për të kontrolluar si duhet kufirin.
Javën e kaluar policia kroate ka zbuluar 24 imigrantë ilegalë iranianë, përfshirë edhe pesë fëmijë, të fshehur në një kamion pranë qytetit kufitar të Slavonski Brod. Ngarkesa njerëzore është zbuluar vetëm kur shoferi kroat ka ndaluar në një hyrje të autostradës Zagreb-Lipovac.
Gjatë javës ndërmjet 25 qershorit dhe 2 korrikut u arrestuan 124 imigrantë klandestinë ndërsa udhëtonin në vend. Pjesa më e madhe e tyre kishin hyrë nga Bosnja apo Jugosllavia dhe ishin drejtuar për në Europën perëndimore.
Bosnja ka një vijë kufitare të përbashkët me Kroacinë prej rreth 700 kilometra të gjatë, pjesa më e madhe e së cilës nuk ruhet. Ekzistojnë të paktën 400 pika të njohura të kalimit illegal, të cilat pothuajse nuk kontrollohen fare.
Task Forca e policisë së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare po ndihmojnë policinë boshnjake për t'u fokusuar më shumë në organizatorët e kësaj tregtie, duke ofruar trajnime dhe pajisje të specializuara.
Por rezultatet në këtë drejtim janë shumë të pakta. Diplomatët perëndimorë kanë theksuar se dështimi i Bosnjes në ndaljen e trafikut të imigrantëve ilegal mund të verë në rrezik anëtarësimin në institucionet europiane. Presioni mbi vendin tashmë të shkatërruar ekonomikisht për të shtuar kontrollet dhe patrullimin e kufirit është shumë i madh. Kostot financiare edhe për strehimin dhe dëbimin e imigrantëve të paligjshëm janë gjithashtu një peshë e rëndë dhe gjithnjë në rritje.
Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.