Mbulohen Provat për Srebrenicën

Publiku Francez nuk mund të dëgjojë provat e rëndësishme për hetimin parlamentar ndaj çështjes së Srebrenicës

Mbulohen Provat për Srebrenicën

Publiku Francez nuk mund të dëgjojë provat e rëndësishme për hetimin parlamentar ndaj çështjes së Srebrenicës

Ministria Franceze e Mbrojtjes ka bërë edhe një herë të pamundur për publikun të dëgjojë informacione tepër të rëndësishme mbi rolin e komunitetit ndërkombëtar në rënien e enklavës së Srebrenicës në vitin 1995.


Javën e kaluar, ministria ka insistuar që dy oficerë të lartë Francez, Gjeneralët Filip Morijon dhe Bernard Zhanvier, të dy ish komandantë të Forcës së Mbrojtjes së Kombeve të Bashkuara, UNPROFOR, në Bosnje, të japin informacione dhe hollësira mbi ngjarjet që kanë çuar në këtë tragjedi në një sesion të mbyllur të hetimeve të parlamentit. Deri më tani ky hetim ka qenë i hapur për publikun.


Vendimi është kritikuar menjëherë nga gazetarë dhe ata që kanë kryer fushatën në emër të të afërmëve të viktimave të Srebrenicës.


Mark Semo, një gazetar i gazetës së përditëshme Franceze, Liberacion, ka kritikuar vendimin e ministrisë së brendëshme. "Kjo nuk është mënyra e duhur që Franca të pastrojë koshiencën e saj," ka thënë ai. FransuaBushe-Solnier i organizatës jo qeveritare Mjeku Pa Kufi, MSF, ka thënë se një gjë e tillë ka dëmtuar rëndë hetimin parlamentar.


Hetimi - i urdhëruar për të përcaktuar rolin e ushtarakëve Francezë dhe figurave politike në rënien e zonës së mbrojtur nga OKB-ja - ka nisur më në fund Korrikun e kaluar pas presioneve të shumta të MSF-së.


Trupat Serbe të Bosnjes nën drejtimin e Gjeneralit Ratko Mlladiq, i akuzuar nga Gjykata e Hagës për genocid, kanë hyrë në Srebrenica në Korrik të vitit 1995. Brenda pak ditëve mbi 7,000 burra dhe djem Muslimanë janë mbledhur dhe vrarë, shumë prej tyre ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga zona në këmbë.


Për vite me rradhë, të afërmit e të vrarëve në Srebrenica kanë kërkuar përgjigje nga Zhanvier, komandanti i UNPROFOR-it në atë periudhë, se përse ai nuk veproi për të shpëtuar enklavën duke urdhëruar sulmet ajrore ndaj forcave Serbe të Bosnjes të cilat po avanconin drejt qytetit.


Në Nëntor 1999, OKB-ja ka botuar një raport prej 150 faqesh për rënien e Srebrenicës.


"Ne kemi kryer gabime të pafalëshme kur kemi vlerësuar përmasën e së keqes me të cilën po përballoheshim, dhe për këtë arësye nuk patëm sukses në mbrojtjen e banorëve të Srebrenicës nga sulmi i planifikuar dhe masakra e kryer nga forcat Serbe," ka thënë Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së Kofi Anan.


Francezët janë veçanërisht të interesuar për këtë rast. Në vitin 1993, Morijon, komandanti i atëhershëm i UNPROFOR-it, ka shkuar në enklavën e rrethuar të Srebrenicës dhe ka premtuar se do të mbronte popullsinë e saj. Komuniteti ndërkombëtar i alarmuar e deklaroi zonën nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.


Dy vjet më vonë, pasuesi i Morijonit, Zhanvier, kishte mundësinë të urdhëronte sulmet ajrore të NATO-s ndaj forcave të Mlladiqit, por nuk e bëri një gjë të tillë.


Mosveprimi i Zhanvierit ka bërë që aktivistët në mbrojtje të të drejtave të viktimave të Srebrenicës të kërkojnë që ai të dalë para gjykatës së Hagës, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasje së bashku me Mlladiq dhe drejtuesin e Serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiq.


Natyrisht që hetimi i filluar në Francë do të synojë të nxjerrë në dritë temën e bisedimeve gjatë tre takimeve me Mlladiqin në Qershor të vitit 1995, vetëm pak javë përpara sulmit të forcave Serbe të Bosnjes.


MSF mendon se Zhanvier dhe Mlladiq kanë arritur një marrëveshje me shkrim me anë të së cilës Serbët e Bosnjes kanë premtuar të mos marrin peng personelin e UNPROFOR-it në shkëmbim të mos ndërhyrjes nga ana e forcës së OKB-së.


Hetuesit Francezë janë gjithashtu të interesuar të dinë përmbajtjen e kontakteve të Zhanvierit me figura të larta politike dhe ushtarake Franceze të asaj kohe.


Kryeministri Francez Alen Zhype ka thënë se ai e ka takuar Zhanvierin në Paris më 8 Korrik, 1995, pikërisht kur Mlladiq po vendoste trupat e tij rreth Srebrenicës. Por mbetet ende mister se me kë është takuar tjetër Zhanvier.


Zhype ka thënë se biseda e tij me Zhanvier ka qenë mbi rrethimin e Sarajevos. "Ne as nuk e kemi përmendur Srebrenicën," ka deklaruar Zhype.


Zhanvier dhe Morijon janë ndër 30 oficerët e lartë Francezë të thirrur si dëshmitarë nga gjykata e Hagës. Të dy ata kanë dalë para gjykatës në sesione me dyer të mbyllura. Ministria Franceze e Mbrojtjes e ka përdorur këtë fakt si justifikim për vendimin e saj për të kryer seancat e pyetjeve në Paris pa praninë e publikut.


Në një deklaratë për shtyp të ministrisë së mbrojtjes thuhet se "Është e nevojëshme që figurat publike të thirrura nga Parlamenti për çështjen e Srebrenicës, të dëshmojnë në mënyrë të njëjtë si në Hagë…Vetëm kështu misioni mund të kryejë detyrën e tij, duke lejuar gjykatën e Hagës të vazhdojë veprimtarinë e saj".


Por zëdhënësi i gjykatës së Hagës Kristian Shartier ka thënë se procedura hetimore në Hagë nuk varet nga hetimi që po kryhet në Francë. "Nuk ka asnjë marrëveshje për këtë çështje ndërmjet Hagës dhe qeverisë Franceze," ka thënë ai.


Zhype është paraqitur në hetimin e Parisit më 24 Janar dhe është përpjekur të fajësojë Holandezët për dështimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë. Ai ka thënë se dy avionë F-16 kanë hedhur katër bomba mbi pozicionet Serbe më 11 Korrik, 1995, por ka theksuar se Holandezët kanë kërkuar që të ndërpriten sulmet ajrore sepse ato kërcënonin sigurinë e trupave të tyre të vendosura në Srebrenica.


Ministri i Jashtëm Holandez Hans van Mierlo ka hedhur poshtë menjëherë akuzat e Zhypes. "Nuk është e vërtetë që ne kemi refuzuar ndihmën," ka thënë ai. "Përkundrazi, ne nuk kemi pushuar së kërkuari ndërhyrjen, por Gjenerali Zhanvier nuk ka pranuar të na ndihmojë për arësye që edhe tani nuk janë të qarta".


Mierlo ka deklaruar se ndërhyrja, kur më në fund u realizua, ishte tepër e vonuar. "Mlladiq na kërcënoi se në rast të bombardimeve ai do të hapte zjarr ndaj bazës Holandeze. Në atë moment, në bazë, ndodheshin disa mijëra refugjatë Muslimanë të Bosnjes dhe rreth 100 'kaska blu' (trupa të OKB-së). do të ishte bërë një kasaphanë e vërtetë. Vetëm në atë moment ne kemi kërkuar anullimin e bombardimeve."


MSF mendon se Presidenti Shirak ka pasur dijeni të plotë për politikën e "përmbajtur" të Zhanvierit - një gjë e cila është hedhur poshtë nga ish këshilltari diplomatik i presidentit, Zhan-David Levite.


"Presidenti Shirak në asnjë moment nuk ka kundërshtuar bombardimet të cilat do të parandalonin sulmin e forcave Serbe ndaj Srebrenicës," ka thënë Levite, i cili ka deklaruar se thëniet e MSF-së kanë për qëllim të "dëmtojnë figurën e Shirakut".


Levite ka thënë se Shirak, i cili merrte pjesë në një takim Gjermano-Francez në Strazburg kur ka mbërritur lajmi për rënien e Srebrenicës, "ka shpërthyer tepër i zemëruar".


"Tetëmbëdhjetë avionë të aleancës së NATO-s mund të kishin ndërhyrë më 11 Korrik, 1995," ka thënë Levite. "Gjashtë prej tyre kanë marrë urdhër të ndërhyjnë. Dy avionë kanë hedhur bomba në orën 14.40 të asaj dite. Por Serbët e Bosnjes kërcënuan në radio se do të bombardonin Srebrenicën dhe do të vrisnin ushtarët Holandezë të zenë peng. Autoritetet Holandeze kanë dhënë alarmin dhe në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar ndërprerjen e ndërhyrjes së NATO-s."


Komentet e Levites pa dyshim do të ndezin mosmarrëveshjen se kush nga komuniteti ndërkombëtar është më përgjegjës për tragjedinë e Srebrenicës - batalioni Holandez në Srebrenica apo komandantët Francezë të OKB-së.


Shpjegimet e Zhaniverit janë tepër të rëndësishme për hetimin. A e ka nënvleftësuar ai shkallën e rrezikut të sulmit të Mlladiqit? A e kanë ndaluar qeveria Franceze apo qeveri të tjera Europiane ndërhyrjen me qëllim për të zhdukur edhe enklavën e fundit Muslimane në Bosnjen lindore - e cila po bëhej gjithnjë e më e vështirë për t'u kontrolluar? A ka qenë rënia e Srebrenicës fillimi i procesit të ndarjes së Bosnjes në dy entitete?


MSF po kërkon që hetimi parlamentar të bëjë publik komentet e Zhanvierit. "Pika e errët në këtë hetim mund të zbardhet vetëm nëse deklarimet e Gjeneralit Zhanvier publikohen të plota," ka thënë Bushe-Solnier.


Xhevat Sabljakoviq është korrespondent i agjensisë SENSE në Paris.


Frontline Updates
Support local journalists