Koment: Gjyqi i Millosheviq: Bashkëpunëtorët e Panevojshëm

I pandehuri ka përdorur dëshmitarin e rëndësishëm për të radikalizuar Serbët e Krajinas dhe më pas e ka shkarkuar kur nuk kishte më nevojë për të.

Koment: Gjyqi i Millosheviq: Bashkëpunëtorët e Panevojshëm

I pandehuri ka përdorur dëshmitarin e rëndësishëm për të radikalizuar Serbët e Krajinas dhe më pas e ka shkarkuar kur nuk kishte më nevojë për të.

Dëshmitari i mbrojtur C-061 i përket asaj kategorie të ish njerëzve të Millosheviqit të përshkruar nga një dëshmitar i mëparëshëm si “bashkëpunëtorët e përkohëshëm”.


Presidenti Kroat Stjepan Mesiq, duke dëshmuar më parë në këtë gjyq, ka thënë se ai pandehuri “ka përdorur bashkëpunëtorët e tij si plackë pa vlerë: pas përfundimit të detyrës së tyre ata largoheshin nga postet”.


Kjo ka qenë vecanërisht e vërtetë në rastin e drejtuesve lokal Serbë në Kroaci dhe Bosnje: me një fjalë ata kanë qëndruar në pozicionet e tyre drejtuese për sa kohë që i nevojiteshin Millosheviqit.


“Pasi “i përdorte” ata, ai thjesht i largonte dhe thërriste njerëz të rinj në vend të tyre.


Në fillim të viteve Nëntëdhjetë, C-061 – të cilin Millosheviq e ka quajtur me inat si “Zoti Kroaci 61” – ka qenë një prej drejtuesve të Serbëve në Kroaci.


Ai ka pasur pozicionin drejtues më të lartë në Rajonin Autonom të Serbëve të Krajina dhe më pas në pasardhësen e saj, Republika Srpska Krajina, RSK.


Ai është përdorur me qëllim konvertimin e drejtuesve të Krajinas Serbe nga të moderuar në radikalë.


Me fjalë të tjera kjo do të bënte që pasi Kroacia dhe Bosnja të shpallnin pavarësinë e tyre, Serbët e këtyre republikave do të mbeteshin në atë që mbetej nga Jugosllavia së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe natyrisht, duke ruajtur kontrollin mbi territoret në të cilat ata jetonin.


Kur në fund të vitit 1991, Ushtria Jugosllave, JNA, dhe forcat lokale Serbe vendosën krejtësisht nën kontrollin e tyre disa pjesë të Kroacisë të cilat ishin përcaktuar të mbeteshin në Jugosllavinë e cunguar, Millosheviq bëri një prej kthesave të tij më të forta në politikë. Ai pranoi planin e paqes të paraqitur nga Vance dhe dislokimin e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Krajina.


Menjëherë pas kësaj, C-061 është përjashtuar nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të të pandehurit.


Megjithatë, ai ka vazhduar prezencën e tij në politikën e Krajinas dhe ka qenë i afërt me të pandehurin aq sa është konsideruar nga prokurorët si një bashkëpunëtor dhe kandidat i mundëshëm për tu akuzuar për pjesëmarrje në ndërmarrjen e përbashkët kriminale në Kroaci.


Dëshmia e C-061 është shumë e rëndësishme sepse ajo provon atë që prokurori Geoffrey Nice ka thënë që prej muajit Korrik – se ndoshta akuza ndaj Millosheviqit do të mund të provohej nga një dëshmitar i vetëm. (Shih Të Rejat nga Gjykata Nr. 274).


Gjatë shtatë ditëve të dëshmisë së tij, C-061 ka mbuluar praktikisht të gjitha faktet e rëndësishme dhe elementët subjective të nevojëshme për të provuar që Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij kanë qenë përgjegjës për ndërmarrjen kriminale në Kroaci.


Nëse Millosheviq nuk arrin të hedhë poshtë dëshmitë e C-061 gjatë seancave të pyetjeve të tij, kjo dëshmi deri më tani do të jetë më e hollësishmja dhe më bindësja rreth mënyrës së organizimit të ndërmarrjes kriminale, planifikimit dhe zbatimit të saj, dhe rolit personal të të pandehurit në këto ngjarje.


Dëshmia e C-061 ka treguar se dhuna në Kroaci në fillim të viteve Nëntëdhjetë nuk ka shpërthyer në mënyrë “spontane” – si një reagim i popullsisë vendase Serbe ndaj triumfit të së djathtës nacionaliste Kroate në zgjedhje – por ka qenë e planifikuar, e përgatitur dhe e provokuar kohë më parë dhe me shumë kujdes.


Dhuna, natyrisht, nuk është organizuar pa një qëllim të caktuar. Ajo ka pasur si synim të justifikonte ndërhyrjen e JNA, e cila – me ndihmën e forcave Serbe lokale – ka marrë nën kontroll territoret e përcaktuara më parë për të qëndruar në Jugosllavinë e cunguar.


Një gjë e tillë është kryer bazuar në jë strategji ushtarake – pjesë e së cilës kanë qenë vrasjet, plackitjet dhe shkatërrimi në përgjithësi – me synim spastrimin e territoreve të planifikuara për përfshirje në shtetin e ardhëshëm të të “gjithë Serbëve”.


C-061 ka konfirmuar se të gjitha krimet e kryera ndaj Kroatëve, të përshkruara në akuzë, kanë ndodhur me të vërtetë.


Megjithatë, ndoshta duke pasur frikë se edhe ai vetë mund të akuzohet për këto abuzime për shkak të pozicionit që ka pasur në atë kohë – ai ka thënë se ai i ka marrë vesh pjesën më të madhe të këtyre krimeve “vetëm më vonë”.


Por, ai nuk lejoi që Millosheviq të mbrohej me të njëjtën mënyrë: C-061 ka thënë me siguri të plotë se i pandehuri “ka pasur me siguri dijeni” rreth këtyre krimeve, sepse policia sekrete Serbe ka qenë prezente gjatë gjithë kohës në vendet ku janë kryer krimet.


Dëshmia e C-061, së bashku me rreth shtatëdhjetë dokumente – vërtetësia e të cilave është konfirmuar prej tij përpara gjykatës – dhe rreth pesëdhjetë regjistrime të bisedave telefonike, në të cilat ai ka identifikuar pjesëmarrësit, tregon se Millosheviq ka qenë figura qendrore në ndërmarrjen e përbashkët kriminale në Kroaci.


Të gjitha këto tregojnë gjithashtu se kjo ndërmarrje e përbashkët është zhvilluar si pas një plani të përgatitur më parë.


Në një bisedë telefonike të përgjuar me Radovan Karaxhiq, vetë Millosheviq ka folur për planin RAM (korniza) – një plan sipas të cilit JNA do të siguronte “kornizën”, pra kufinjtë e shtetit të ardhëshëm të të gjithë Serbëve.


Gjatë kësaj bisede, Millosheviq ka dhënë urdhëra për Karaxhiq sipas të cilave ai duhet të kontaktonte komandantin e korpusit të JNA në Banja Luka dhe duke iu referuar marrëveshjes së arritur “në nivelet më të larta” (duket qartë se bëhet fjalë për shtabin e përgjithëshëm të JNA), të merrte prej këtij komandanti të gjitha armatimet për të cilat kishte nevojë.


Dokumentat, bisedat telefonike të përgjuara dhe tregimet personale të C-061 nga të paktën tridhjetë takimet që ka pasur me Millosheviqin, tregojnë qartë se i pandehuri ka përdorur presidencën e RFSJ të mbetur (në të cilën kanë vazhduar të qëndrojnë vetëm përfaqësuesit e Serbisë dhe Malit të Zi) për të vendosur kontrollin de fakto mbi JNA dhe forcat e saj në Kroaci dhe Bosnje në gjysmën e dytë të vitit 1991.


Po këto prova tregojnë se Millosheviq – me anë të shërbimeve sekrete shtetërore Serbe dhe forcave të Mbrojtjes Territoriale të Serbisë, të cilat kanë qenën nën drejtimin e tij – kishte marrë gjithashtu de fakto në dorë kontrollin mbi forcat e Serbëve lokal në Kroaci dhe Bosnje.


Më në fund, nëpërmjet ndërmjetësisë së Jovica Stanishiq, Frenki Simatoviq dhe Radovan “Badza” Stojiciq – tre prej njerëzve të tij më besnikë në policinë sekrete Serbe – Millosheviq ka kontrolluar gjithashtu edhe formacionet paraushtarake, të cilat sic ka deklaruar javën e kaluar, janë krijuar nga partitë e opozitës së asaj kohe.


Në fillim, Millosheviq i ka konsideruar drejtuesit e tyre, përfshirë ultra nacionalistin Vojisllav Sheshelj dhe drejtuesin e paraushtarakëve gangsterin Zeljko “Arkan” Raznatoviq, si “idiotë të dobishëm”, apo si “të cmendur” dhe “kriminelë” për përdorim të përkohëshëm, por më pas ai i ka përshëndetur ata si “patriotë”.


Me pak fjalë, sipas provave të paraqitura nga C-061, e gjithë ushtria, policia, forcat vullnetare dhe paraushtarake të përfshira në ndërmarrjen e përbashkët kriminale në Kroaci kanë qenë në fakt nën kontrollin e vetë Millosheviq.


C-061 nuk ka asnjë dyshim se i pandehuri ka qenë krye komandanti i tyre.


Dokumentat, vërtetësia e të cilave është konfirmuar edhe nga C-061, tregojnë gjithashtu se Millosheviq kontrollonte të gjitha burimet financiare të cilat shkonin nga Serbia drejt “pjesëve Serbe” të Kroacisë dhe Bosnjes, dhe se RSK dhe më pas Republika Srpska kanë qenë krejtësisht të varura ekonomikisht dhe financiarisht nga Serbia.


Gjatë seancave të pyetjeve të dëshmitarëve të mëparëshëm, Millosheviq është përpjekur të paraqesë mbështetjen e tij si një “ndihmë humanitare” për vëllezërit në bregun tjetër të lumit Drina, duke vlerësuar se pa këtë ndihmë, Serbët në Kroaci dhe Bosnje “do të kishin vdekur për të ngrënë”.


Dëshmia e C-061 ka një vlerë të madhe sepse ai ka dhënë një pamje të qartë dhe të plotë të mënyrës së punës së Millosheviq. Me pak fjalë, ajo mund të përshkruhet si një politikë dinake.


Pushteti që gëzonte Millosheviq ndaj pjesëmarrësve të tjerë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale ka qenë jo zyrtar, i bazuar në fshehtësi, dhe ky pushtet është ruajtur nëpërmjet dhënies së rrushfeteve, kërcënimeve dhe presioneve.


“Bashkëpunëtorët e pavlefshëm” hiqeshin nga postet sapo kishin luajtur rolin e tyre dhe nuk i duheshin më atij.


Dëshmia e C-061 tregon se Millosheviq ka vepruar nëpërmjet strukturave të pushtetit parallel, të krijuara pas shpinës së institucioneve zyrtare.


Ai urrente me forcë institucionet zyrtare dhe nuk u ka besuar kurrë atyre, edhe kur ato kanë qenë nën kontrollin e tij de fakto dhe de jure.


Millosheviq i ka detyruar ato të “miratojnë” zyrtarisht vendimet e marra prej atij vetë, apo i ka anashkaluar institucionet zyrtare nëpërmjet strukturave të pushtetit të tij parallel, jo zyrtar, të fshehtë.


Dhe ai ka vazhduar ti përdorë ato në të njëjtën mënyrë edhe tani kur qëndron në bangën e të akuzuarve. Në disa raste gjatë muajve të fundit ai ka pyetur dëshmitarët e akuzës se “Cfarë ka pasur të bëjë Serbia, qeveria e saj dhe unë si president me luftërat civile në Kroaci dhe Bosnje Herzegovinë”?


Ashtu si edhe pritej, në pjesën e parë të pyetjeve të dëshmitarit C-061, Millosheviq është përqëndruar në përpjekjet e tij për të kundërshtuar përshkrimin e hollësishëm të strukturave paralele të krijuara në Krajina në fillim të viteve Nëntëdhjetë nga shefi i policisë sekrete Serbe Jovica Stanishiq (Shih Të Rejat nga Gjykata Nr.290).


Pasi i ka kërkuar dëshmitarëve të thonë me emra se cilët njerëz sipas tyre, kanë marrë pjesë në këto struktura paralele të cilat kontrolloheshin nga policia sekrete Serbe, Millosheviq ka thënë se ata kanë qenë të gjithë zyrtarë lokalë të cilët kanë vepruar në gjirin e institucioneve “të rregullta” të Krajinas.


Dëshmitarët janë përgjigjur se ata nuk kanë zbatuar vendime të marra në nivel lokal, por kanë marrë urdhëra nga shërbimet sekrete Serbe.


Kur në muajin Maj 1992 qeveria dhe asambleja e RSK është përpjekur të vendosë policinë e Krajinas nën kontrollin e saj duke emëruar shefin e policise Milan Martiq në postin e ministrit të mbrojtjes, Simatoviq i policisë sekrete Serbe ka ndërhyrë. Me urdhër të Simatoviq, Martiq nuk ka pranuar të japë dorëheqjen nga posti i tij.


Me qëllim shmangien e konflikteve dhe të luftës civile, ka thënë C-061, asambleja e RSK është detyruar të pranojë këtë fakt të kryer dhe të lërë Martiq në postin e ministrit të brendëshëm, duke i lejuar kështu shërbimeve sekrete Serbe të ruanin kontrollin e tyre ndaj policisë në Krajina.


Duke komentuar mbi këtë cështje, Millosheviq është përgjigjur “E përse duhet të shqetësohesha unë për mosmarrëveshjet tuaja të brendëshme ?”


Dëshmitari është përgjigjur se këto nuk kanë qenë mosmarrëveshje të brendëshme, “por mënyra me të cilën juve – me anë të shërbimeve sekrete dhe Milan Martiq – keni ushtruar influencën tuaj dhe keni vendosur kontrollin ndaj forcave të armatosura në Krajina, me qëllim për ti përdorur ato për qëllimet tuaja”.


Dueli ndërmjet Millosheviq dhe ish “bashkëpunëtorit të tij të panevojshëm” do të vazhdojë për të paktën edhe tre ditë të tjera gjatë javës së parë të Dhjetorit.


Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR në Hagë dhe kryeredaktor i agjensisë së lajmeve SENSE.


Frontline Updates
Support local journalists